​Qëndroni në shtëpi dhe në distancë, janë javët vendimtare në luftën kundër koronavirusit në Kosovë

Aktuale

​Qëndroni në shtëpi dhe në distancë, janë javët vendimtare në luftën kundër koronavirusit në Kosovë

Më: 21 mars 2020 Në ora: 12:15

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës dhe ministri Shëndetësisë, kanë deklaruar se tre javët e fundit janë vendimtare për Kosovën në luftën me koronavirusin.

Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe të respektojnë masat dhe rekomandimet e institucioneve për të luftuar përhapjen e Covid19. E ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur që në Kosovë do të vinë edhe 50 respiratorë të rinj, të cilët i kanë blerë. Por, ka përsëritur se çfarëdo mase e ndërmarrë prej kësaj sëmundje, është e kot nëse qytetarët nuk i zbatojnë rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik dhe masat e Qeverisë së Kosovës

Konferencën me gazetarë, kryeministri i Kosovës e ka mbajtur sot në oborrin e qeverisë, derisa ka theksuar se shumë shpejtë do t’u vijë fundi edhe konferencave në ambient të mbyllur, duke lënë mundësinë e komunikim it vetëm përmes telefonit dhe internetit. Krejt këto masa meqë çdo grumbullim paraqet rrezik çdo herë e më të madh.

Kurti ka thënë se vendimet do të merren ditë pas dite, meqë Kosova nuk është ende në javën që do të tregojë figurën e vërtetë të gjendjes së shëndetit publik në vend.

Kurti: Të qëndrojmë në distancë dhe të frenojmë përhapjen e virusit

“Siç kemi parë në shtetet e zhvilluara në Evropë, kurba, lakorja e përhapjes së virusit po zgjerohet, andaj duhet ta frenojmë sa më shumë dhe frenimi bëhet me distancë, dhe me qëndrim brenda shtëpive tona e me higjienë sa më të lartë. Jemi para shifrave të mëdha të përhapjes së koronavirusit në Evropë, dhe nuk bën të ndjehemi disi të vetëkënaqur që nuk jemi përballë një krize të tillë edhe në Kosovë, meqenëse ne jemi vetëm në fazën e parë. Duhet të vetëdijesohemi, të ndërgjegjësohemi të gjithë, se kujdesi nuk u takon vetëm punonjësve të shëndetit publik”, tha Kurti.

Duke theksuar se të moshuarit janë në rrezik më të madh, Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi, të qëndrojnë në distancë dhe të pastër, në mënyrë që mos të rrezikojnë jetën e familjareve, sidomos të personave të shtyrë në moshë.

Kurti: Moshat e shtyra janë në rrezik nga covid19, duhet t’i mbrojmë ata

“Virusi Covid19 ka një inkubim të tillë për të cilin ne do ta njohim të vërtetën mbi shfaqjet e tij vetëm në dy javët e ardhshme, le t’i paraprimë, kurba apo lakorja e shpërndarjes, e përhapjes është në dorën tonë, nëse do të tregohemi të përgjegjshëm, ajo do të jetë e ulët dhe jo shumë e shtrirë. Në këtë kohë, në veçanti duhet t’i mbrojmë pleqtë tanë, duhet t’i mbrojmë gjyshen e gjyshin, nën dhe babain, meqenëse moshat më të shtyra janë shumëfish më në rrezik. Të rinjve mund të u d uket se nuk janë të sëmurë meqenëse karakterizon energjia e vitalitetit të tyre, e kanë imuniteti ne lartë, mirëpo ata mund të jenë bartës që të përhapin sëmundjen të anëtarët e tyre të familjes, përfshirë këtu të moshuarit”, tha Kurti.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia njoftoi se kanë porositur blerjen e 50 respiratorëve të rinj, dhe se brenda pak ditësh do t’i kemi dozat e para të produktit klorikin, duke theksuar se ende nuk ka asnjë ilaç që është i treguar i suksesshëm në këtë sëmundje, në mënyrë të përgjithshme.

Vitia: I kemi porositur 50 respiratorë të rinj, vinë në muajin prill dhe maj

“Në Kosovë janë 122 respiratorë, 95 në sektorin publik dhe 47 në atë privat, dhe me qëllim t’i forcojmë kapacitete kemi porositur blerjen edhe të 50 respiratorëve të rinj, dhe gjithashtu po presim t’i porosisim edhe një kontingjent tjetër. Këta 50 respiratorë, një pjesë pritet të vinë në muajin prill kurse pjesa tjetër në muajin maj. Informata e dytë që dua ta ndaj me ju është se brenda pak ditësh do t’i kemi edhe dozat e para të produktit Klorikin, por duhet përmendur se akoma nuk ka një bari i cili është treguar i suksesshëm në trajtimin e kësaj sëmundje në mënyrë të përgjithshme”, tha ai.

Por ministri i shëndetësisë tha se janë të kota të gjitha masat që ndermirën nëse qytetarët nuk bashkëpunojnë.

Ai tha se dy-tre javët e ardhshme janë vendimtare për Kosovën në luftën ndaj Covid19.

Vitia: Dy-tre javët e ardhshme janë vendimtare

“Por këto janë masat më ekstreme në rastin më ekstrem, atëherë nuk kemi sigurinë që as respiratorët, e as terapia do të bëjnë të vetën, por po e përsëris edhe njëherë këtu për të bërë të qartë se do të jetë e kot çfarëdo mase që ndërmarrim kundër kësaj sëmundje nëse qytetarët nuk i zbatojnë masat që ka mar rë qeveria dhe rekomandimet që kanë dhënë institucionet përkatëse, Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë. Është momenti i fundit të kuptojmë që kjo situatë është mjaft serioze, koronavuris është realitet dhe sot po mbjell vdekje gjithandej globit, dy tre javët e ardhshme janë vendimtare për luftën tonë”, tha Vitia.

Ai tha se nëse institucionet dhe qytetarët janë në krye të detyrës, do të kalohet më pak pasoja.

Ministri i Shëndetësisë tha se tashmë po shohin shembuj ato vende që kanë reaguar shpejtë në këtë çështje, dhe ato që e kanë neglizhuar.

Ai theksoi se ata që e kanë neglizhuar seriozitetin e kësaj sëmundje, pavarësisht sistemit të mirë shëndetësor, situate u kanë dalë jashtë kontrollit

Duke theksuar se ende nuk ka askund në botë ilaç për shërim, ose vaksinë për parandalim të këtij virusi, arma e vetme në këtë betejë është kujdesi, solidariteti dhe disiplina.

***

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një konferencë për media nga Ministria e Shëndetësisë, duke bërë thirrje për respektim strikt të rekomandimeve për higjienë dhe shmangie të grumbullimeve dhe kontakteve të ngushta.

Kurti ka bërë thirrje të qëndohet në shtëpi, të pastër dhe të rrinë në distancë.

Fjalimi i plotë:

“Së shpejti do të na duhet që edhe këto konferenca në ambient të hapur t’i ndalojmë dhe të komunikojmë vetëm përmes internetit dhe telefonit, pasi që çdo grumbullim paraqet rrezik më të madh.”

“Ne kemi kaluar shumë kriza si popull por kjo është një krizë me të cilën nuk është se jemi përballur ndonjëherë. Ne duhet ta mbajmë si gjendje dhe të mos e lejojmë të kthehet në krizë të pakthyeshme.”

“Pra, ta frenojmë përhapjen e virusit COVDI19 dhe ta mbajmë në funksion sistemin shëndetësorë. Ne shpresojmë që gjendja të mos na paraqitet e rëndë ditët në vijim, por meqë kemi parë në shtetet më të zhvilluara, lakorja e përhapjes së virusit po zgjerohet andaj duhet ta frenojmë sa më shumë, dhe frenimi bëhet me distancë.”

“Jemi para shifrave të mëdha të përhapjes së korobavirusit në Evropë dhe nuk duhet të ndjehemi të vetkënaqur që nuk jemi përballë një krize të tillë edhe në Kosovë sepse ne jemi vetëm në fazën e parë. Duhet të vetëdijësohemi të gjithë se kujdesi nuk u takon vetëm punonjësve të shëndetit publik. Shëndeti publik është i publikut dhe secili prej neve duhet të kujdeset për vetën dhe të tjerët, prandaj ne mbrëmë i kemi mbyllur parqet, kemi marrë vendim që nga ora 8 të mëngjesit deri në ora 20 të darkës të jenë të ndaluara për qëndrim  dhe lëvizje.”

“Duhet ta përsërisim se duhet të ketë disiplinë individuale, higjienë personale dhe të qëndrojmë në shtëpi. Po kërkoj që më e mira në këtë rrezik pandemik të jetë të qëndroj vetëm dhe kjo në shikim të parë ngjanë paradoksale por frenimi i përhapjes së virusit e kërkon këtë gjë. Le të mësojmë nga fatkeqësia në vende të tjera që të mos përsëritet tek ne. Teknologjia informative pra digjitale, deri tani na ka zbavitur por tani duhet të kthehet në solidaritet, vendime do të merren ditë pas dite, ne ende nuk jemi në javën që do të tregojë gjendjen e shëndetit publik në Kosovë.”

“Virusi COVID-19 ka një inkubim të tillë për të cilin ne do të njohim të vërtetën për shfaqjen e tij vetëm në dy javët e ardhshme, lakorja e shpërndarjes është në dorën tonë. Nëse tregohemi të përgjegjshëm ajo do të jetë e ulët dhe jo shumë e shtrirë. Në këtë kohë duhet t’i mbrojmë pleqtë tanë, meqenëse moshat më të shtyra janë më në rrezik. Të rinjve mund t’iu duket se nuk janë të sëmurë meqë iu ndihmon energjia e vitalitetit të tyre, mirëpo ata mund të jenë bartës që të përhapin sëmundjet tek anëtarët e tyre të familjes, përfshirë këtu më të moshuarit. Në një studim prej panumër sosh që po dalin këto ditë u tha se aty ku pleqtë kanë qenë më shumë nëpër banesat publike a sociale për pleqtë, për dallim prej aty ku kanë qenë nëpër familje, shkalla e vdekshmërisë dhe sëmundjeve është më e ulët. Mirëpo në kulturën tonë ne e dimë që shumica dërmuese, e të moshuarve tanë jetojnë me neve, në familjet tona dhe ata i kemi në front të kësaj beteje, ndonëse mund të mos na duket kështu. Gjyshja, gjyshi, nëna, babai janë njerëzit më të rrezikuar dhe këta duhet t’i mbrojmë duke ruajtur vetën ne mbrojmë edhe ata, le të vetëdijesohemi dhe të ndërgjegjësohemi vet për këtë, le të flasim me miqtë e shokët përmes telefonit e internetit, dhe në këtë mënyrë ta kalojmë bashkërisht duke qëndruar vetëm. Bashkërisht duke qëndruar vetëm. Jemi bashkë në këtë situatë sepse virusi nuk përzgjedh njerëz për nga rajoni a për nga mosha, mirëpo vdekja i prek më së shumti më të moshuarit. Pra le t’i ruajmë gjyshen e gjyshin, nënën e babain të gjithë ne që jemi ose në moshë të re, ose në moshë të mesme.”

Kurti me apel për qytetarët: Këta janë personat më të rrezikuar nga Koronavirusi

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kërkuar nga qytetarët që t’i respektojnë rregullat dhe këshillat e dhëna nga institucionet shëndetësore, në mënyrë që koronavirusi të mos shpërndahet më shumë.

Ai e ripërsëriti edhe vendimin e mbylljes së parqeve nga ora 8:00 – 20:00.

Kurti bëri apel qe këtë sfidë ta kalojmë bashkërisht duke qëndruar vetëm.

E kjo sipas tij bëhet edhe duke e përdorur internetin për të mbajtur kontaktet me personat e dashur.

“Gjyshja e gjyshi janë më të rrezikuar, dhe ne ata duhet t’i mbrojmë. Rri i pastër, rri në distancë, rri në shtëpi “, deklaroi Kurti.

Vitia: Ju lutem rrini në shtëpi, kështu fitojmë betejën me COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se kanë porositur respirator të rinj dhe brenda pak ditësh do të sjellin edhe në Kosovë një bari që po ka efekt në shërimin e sëmundjes.

Ai ka kërkuar të zbatohen të gjitha masat e Qeverisë dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

“Koronavirusi është realitet dhe po mbjell vdekje në gjithë globin. Dy javët e ardhshme janë vendimtare për luftën ndaj koronavirusit. Do ta kalojmë këtë situatë serioze me së më pak pasoja. Jemi dëshmitarë se vendet që kanë neglizhuar situata ju ka dalë jashtë kontrollit. Është momenti i fundit të bëhemi bashkë në këtë situatë. S’ka as ilaç për shërim, as vaksin për parandalim, arma e vetme është kujdesi, solidariteti dhe qëndrimi në shtëpi”, ka thënë ai.

“Rrini në shtëpi, mbajeni higjienën personale e familjare. Mbanë distancën sociale”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar nga komunat të bëjnë dezinsketimin e rrugëve dhe hapësirave publike.

Shefi i MSH’së ka kërkuar mirëkuptim edhe për personat që janë në karantinë që të ruajnë shëndetin e tyre dhe të qytetarëve të tjerë.

Deri tash në Kosovë janë prekur 24 persona me koronavirus. Së pari është lajmëruar në Klinë e Viti. Pastaj Malishevë, Podujevë, Gjakovë, Prishtinë, Lipjan.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të ketë një konferencë për media. Bashkë me të do të jetë edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Konferenca mbahet nga ora 15:00 në oborrin e Qeverisë së Kosovës.

Në këtë konferencë pritet të tregohet situata aktuale me koronavirusin në Kosovë si dhe masat e reja që mund të mirren në këtë situatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat