Thirrje publike LDK-së: Tërhiqe mocionin, po të mos jetë Qeveria Kurti - do të bëhemi më keq se Italia

Aktuale

Thirrje publike LDK-së: Tërhiqe mocionin, po të mos jetë Qeveria Kurti - do të bëhemi më keq se Italia

Nga: A.Zh Më: 22 mars 2020 Në ora: 12:17
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Në Kosovë është shënuar viktima e parë nga Koronavirusi. Për këtë arsye, analisti politik Vigan Qorrolli, ka kërkuar që të ndalen përpjeket për rrëzimin e Qeverisë, përcjell Bota sot.

Në një postim në Facebook, Qorrolli e ka quajtur të palogjikshme dhe të pakapërdishme, rrëzimin e Qeverisë në një situatë si kjo.

Sipas tij, po të bie Qeveria Kurti, qytetarët nuk i binden karantinës e as kujt tjetër, derisa Kosova do të bëhej më keq se Italia.

“LDK-së në këtë moment të rëndë për sfidën që po e kalojmë si shtet e si shoqëri – i duhet bërë një thirrje publike: Tërhiqe mocionin!”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Tashmë kur e kemi edhe vdekjen e parë prej coronavirusit, duhet të ndalen përpjekjet (sado legjitime e politikisht të arsyeshme) për rrëzimin e qeverisë.

Duke e ditur se sa të brishta janë institucionet tona, me probleme themelore të funksionimit pa titullar politik – rrëzimi i qeverisë në këtë moment është gjëja më e palogjikshme dhe më e pakapërdishme që mund t'i ndodh Kosovës.

Po mos t'u bënte qeveria e re, rrethi te Albi nuk kryhej kurrë. Tani që u bë rruga, nuk ka komunikacion e as tollovi fare, se mungojnë kerret e njerëzit.

Po të bie kjo qeveri, qytetarët nuk i binden as karantinës, as kujt tjetër. Do mbesim në mëshirën e Zotit. Do bëhemi më keq se Italia.

Kur të kalojë kjo zallamahi, uluni e merruni vesh për shkarkime e ngarkime politike. Mbani zgjedhje e çkado që ua rrapllon mendja e kresë. Atëherë ua bën hallall çdo njeri me mendje të shëndosh në këtë vend.

Prandaj LDK-së në këtë moment të rëndë për sfidën që po e kalojmë si shtet e si shoqëri – i duhet bërë një thirrje publike: TËRHIQE MOCIONIN!

#rriNshpi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat