Fetah Rudi i drejtohet Albin Kurtit me një fjalim të fuqishëm: Kryeministër unë dhe LDK s’jemi me ju, por sot jemi me SHBA-të

Aktuale

Fetah Rudi i drejtohet Albin Kurtit me një fjalim të fuqishëm: Kryeministër unë dhe LDK s’jemi me ju, por sot jemi me SHBA-të

Nga: N. H Më: 25 mars 2020 Në ora: 19:17
Fetah Rudi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi, i është drejtuar kolegëve të tij, veçmas kryeministrit Albin Kurti, me një fjalim të gjatë.

Rudi mes të tjerave, në fjalimin e tij tha se prezenca e tij sot, pavarësisht gjendjes së pandemisë, ka tri arsye.

Deputeti i LDK-së kujtoi se si gjithmonë ishte përkrah presidentit Rugova dhe se si iu rrezikua jeta vetëm pse përkrahte LDK-në.

Ja fjalimi i tij:

Te dashur miq,

Me poshte e gjeni fjalimin tim te mbajtur ne seancen e sotme.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

I nderuari kryeministër Kurti dhe kabinet qeveritar,

E nderuara dhe e respektuara kryetare Vjosa Osmani,

Te nderuar kolegë deputet,

Prezenca ime këtu sot në këtë seancë, pavarësisht situatës së jashtëzakonshme për shkak të virusit Covid 19, ka rëndësi për tre arsye, ku për secilën do të jap nga një histori të shkurtër.

Gjatë viteve kur po keqësohej situata e të drejtave të popullit shqiptar të Kosovës nën regjimin e Serbisë, unë jam angazhuar për herë të parë në lëvizjet intelektuale për avancimin e statusit të Kosovës. Jam angazhuar aktivisht në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Përgjatë kësaj periudhe, kam pasur nderin të punoj dhe të takoj mendjet më të ndritura të intelektualëve të kohës që punonin për të avancuar pozitën e Kosovës, e në të njëjtën kohë kujdeseshin që situata të mos eskalonte në një pikë që do të mund të sillte pasojat e më vonshme në një dimension edhe më katastrofik nga ajo sa ndodhi. Me këtë grup dhe në këtë aktivizëm kam qenë i angazhuar dhe vazhdoj të jem edhe sot, me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Poashtu, kur e kërkoi koha, e kapa edhe pushkën në krah, si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si shumë burra e gra në Kosovë.

Pra arsyeja e parë pse konsideroj që ka rëndësi prezenca ime këtu, ka të bëjë me atë se historia ime është histori shumë shqiptarëve të asaj kohe, që me mënyrat dhe mjetet që kishim në dispozicion përfaqësuam një alternativë para popullit e para miqve tanë. Një alternativë ndaj shtypjeve. Një alternativë ndaj padrejtësive. Një alternativë për paqe, liri, e demokraci!

II.
Në kuadër të aktiviteteve tona politike në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ne udhëtonim shpesh për takime te Presidenti i Kosovës dhe kryetari i LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova. Mbaj mend shumë nga këto takime. Mbaj mend bisedat, planet, aktivitetet, qëllimet dhe objektivat që donim të arrinim. E mbaj mend që këto qëllime e aktivitete ishin në të mire të Kosovës dhe nuk ishin në dëm të askujt, dhe gjithmonë në harmoni dhe miqësi me aleatin më të madh të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por mbaj mend po ashtu në mënyrë krejt të qartë, ngjarjen që më ndryshoi jetën. Me datën 15 dhjetor të vitit 2000, në ora 14:35 minuta, kur po ktheheshim nga Prishtina pas takimit me Rugovën, në vendin e quajtur “Ura e Bytyqeve” në fshatin Orllat, vetura me të cilën po udhëtonim u sulmua nga një breshëri plumbash. E mbaj mend që nuk e kam ndjerë dhimbjen në ato momente. Por e dij që kjo dhimbje do të më shoqëronte gjatë gjithë jetës sime.

Dikujt, i penguan bisedat tona. Dikujt i penguan planet tona. Dikujt i penguan edhe qëllimet dhe objektivat që LDK tentonte t’i arrinte. Unë do të isha shumë më i lumtur nëse këto mospajtime, ai apo ata persona, te cilët sot mund të jenë edhe në këtë sallë, të mi thonin me fjalë. Ne në LDK gjithmonë kemi qenë për dialog dhe mirëkuptim.

Një diskutim mbi mospajtimet tona mund të kishte shmangur këtë ngjarje makabër, dhe unë sot do të isha në gjendje të qëndroja në këmbët e mija. Fjala ime do të dëgjohej më larg dhe të gjithë kolegët këtu do të mund të më shihnin.

Historia ime është historia e kolonel Ahmet Krasniqit, Enver Malokut, Xhemajl Mustafës, Haki Imerit, Shaban Manajt, Shefki Popovës, Ramiz Hoxhes, Selman Binishit, Ismet Racit, Smajl Hajdarajt, Tahir Zemajt, Ukë Bytyqit, Ismail Berbatovcit, Besim Dajakut, Bekim Kastratit, Bardhyl Ajetit, Sebahate Tolajt, Isuf Haklajt, Kosovë e Albert Zeqirajt, e shumë e shumë të tjerëve që u vranë tinëzisht. Historia ime eshte historia e plagosjes se Sabri Hamitit, Agim Veliut, Ejup Visokes, Gani Gecit e Sejdi Kocës. Historia ime është histori e të gjithë aktivistëve të LDK-së që u vranë apo u targetuan për tu vrarë. Është histori e tmerreve dhe presioneve që qindra persona përjetuan për faktin e vetëm se ishin të angazhuar në LDK dhe përkrah Rugovës.

Kjo është edhe arsyeja e dytë pse mendoj që prezenca ime këtu ka rëndësi.

III.

Tregimi apo historia e tretë ka të bëjë me sfidat, me mos-dorëzimin, me shpresën dhe me besimin për ndryshime.

Përgjatë shumë vitesh ne kishim shumë sfida, si në nivel lokal ashtu edhe në nivel qendror.
Gjithkush kontriboi në atë që ndodhi, e mire apo e keqe.

• Dikush me qetësi e dituri,
• Dikush me korrupcion,
• Dikush me kapje të shtetit,
• Dikush me pasurim brenda natës,
• Dikush me bllokim të sistemit të drejtësisë, sepse e dinin që një sistem i drejtë e efektiv do t’i dërgonte në burg,

Gjatë tërë këtyre viteve, kam mbetur i angazhuar në LDK përkundrejt të gjithave. Përkundër që shpesh herë, si shumë qytetarë të Kosovës edhe unë e humba shpresën. Por asnjëherë nuk e humba guximin për të shpresuar. Asnjëherë nuk e humba guximin për të besuar. Për të besuar se një ditë e mira do të fitojë mbi të keqen.

Nuk e humba guximin dhe guxova të besoj edhe atëherë kur ndërtesat e takimeve nuk kishin hyrje për personat me nevoja të veqanta. Edhe atëherë kur u desh t'i bëhem barrë djalit tim të vetëm, vëllaut dhe familjes sime për të më ndihmuar të mbetem i angazhuar në ato që besoja dhe që vazhdoj të besoj edhe sot.

Andaj i nderuari kryeministër, unë besova në ju, besova në koalicionin Vetëvendosje-LDK, përkrahës i të cilit kam qenë që nga fillimi. Por sot i nderuari kryeministër, ndihem keq dhe jam shumë i zhgënjyer me ju. Sot, ky besim është thyer, sot kryeministër e keni tradhtuar besimin që keni marr më 6 tetor, ju dhe ne. Besimin që do të jeni ndryshimi. Sot kryeministër, është tradhtuar edhe miku ynë me i madh, SHBA, raportet më të cilat janë në pikën më të ultë që nga 22 dhjetori i 2019, nata kur u tentua të shfuqizohet Gjykata Speciale, gjykatë kjo që do të çoje prapa grilave ata që mi vranë shokët e mij, e mua me lanë në karrocë tash e 20 vite. Kryeministër unë dhe LDK ishim me ju, por sot unë dhe LDK, jemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot unë jam për ruajtjen e miqësisë të cilën e krijoi presidenti Rugova, miqësi të cilën ju, por edhe shumë të tjerë mund të mos e pëlqeni. Pavarësisht zhvillimeve të mëtejshme, unë kurrë nuk do ta tradhtoj votën e LDK-së, për të cilën kam mbetur edhe në gjendjen që jam sot. Fjalimin tim do ta përmbylli me fjalët e presidentit Rugova, të cilat duhet t’i kujtojmë gjithmonë: Shtëpia nuk mund të mbahet pa miq. Zoti e bekoftë Kosovën, zoti e bekoftë Amerikën. Ju faleminderit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat