Gramoz Berisha dhe nëna e tij përkujtojnë 52 familjarët e vrarë nga forcat serbe - Bota Sot
Gramoz Berisha dhe nëna e tij përkujtojnë 52 familjarët e vrarë nga forcat serbe

Aktuale

Gramoz Berisha dhe nëna e tij përkujtojnë 52 familjarët e vrarë nga forcat serbe

Më: 26 mars 2020 Në ora: 14:59
Gramoz Berisha dhe nëna e tij

21 vjet më parë, forcat serbe, fillimisht kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të më shumë se 50 anëtarëve të familjes Berisha, e më pas viktimat e të plagosurit i kishin bartur në një kafiteri, ku i kishin gjuajtur me bomba, për t’u siguruar se askush s’do të mbijetojë.

E tëra nisi kur te shtëpitë e kësaj familjeje, që nuk gjendet më larg se 100 metra nga stacioni policor i Suharekës, do të shfaqeshin paramilitarët serbë, që disa do t’i vrisnin në pragun e shtëpisë e të tjerët do t’i dëbonin nga shtëpia e tyre, duke i dërguar në lokalin e një kafiterie, ku edhe do të ndodhte masakra.

Nga kjo masakër kanë mbijetuar tre anëtarë të familjes, Vjollca Berisha me të birin, Gramozin dhe Shyhrete Berisha.

Në përkujtim të kësaj dite të tmerrshme për familjen Berisha, Gramoz Berisha dhe nëna e tij, Vjollca kanë përkujtuar më të dashurit e tyre në hyrje të lokalit ku 21 vjet më parë u vranë dhe u dogjën familjarët e tyre.

“Ata mbijetuan bashkë me Shyhreten, që t’i rrëfejnë botës për tragjedinë njerëzore të një populli të vogël në mes të Evropës. Ata mbijetuan që mbi ne të rëndoj barra, përgjegjësia e kujtimi për të mos harruar kush ishim dhe kush jemi sot. I kemi shumë borxh Gramozit, dhe mijëra familjeve të tjera që humbën më të dashurit e tyre. Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta”, shkruan Bashmir Xhemaj në Facebook.

Familja Berisha ka marrë mbështetje edhe nga familjarë të tjerë në ditën e përkujtimit të kësaj masakre të tmerrshme.

“Sa herë e dëgjoj thënien “Njeriu është më i fortë se guri” më kujtohet zonja Vjollca e cila vendosi ta vazhdojë jetën që ta shndërrojë një djalosh në shkëmb! Ti i shërbeve Mozit tonë që ai sot të bëhet burrë e t’i shërbej këtij populli, je frymëzim për çdo prind”, shkruan Urim Zenelaj në Facebook.

Para pak vjetësh disa prej anëtarëve janë gjetur dhe janë varrosur eshtrat e Bujar Berishës, Faton Berishës, Nexhat Berishës dhe Arta Berishës, nën nderimet ushtarake. Por, ende nuk janë gjetur të gjithë anëtarët e familjes Berisha.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat