“Reuters”: Kjo ishte arsyeja kryesore për rrëzimin e Qeverisë Kurti

Aktuale

“Reuters”: Kjo ishte arsyeja kryesore për rrëzimin e Qeverisë Kurti

Nga: A.Zh Më: 27 mars 2020 Në ora: 17:07
Qeveria e Albin Kurtit

Mediat botërore i kanë kushtuar hapësirë lajmit për rrëzimin e Qeverisë së Albin Kurtit, në kohën kur vendi po përballet me pandeminë e Koronavirusit.

Prestigjiozja amerikane “New York Times”, sot ka shkruar se diplomatët amerikanë kanë diskutuar për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi, përkundër që një gjë e tillë mbrëmë u mohua nga Amerika.

Edhe “Reuters”, ka përmendur si arsyen kryesore për rrëzimin e Qeverisë Kurti, “nënshkrimin e një marrëveshje të arritur tashmë për të shkëmbyer territore midis Kosovës dhe Serbisë”, përcjell Bota sot.

“Reuters” shkruan se mbetet e paqartë se si qeveria do të vazhdojë punën e saj pasi vendi nuk mund të zhvillojë zgjedhje të parakohshme për shkak të përhapjes së sëmundjes së Koronavirusit.

Ajo raporton se përveç shkarkimit të Agim Veliut si ministër i brendshëm, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, patën mosmarrëveshje edhe për taksën.

Agjencia përmend tentativën e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij serb Aleksandar Vuçiq për shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi, si pretendim për të zgjidhur mosmarrëveshjet që kanë mes vete të dyja vendet.

“Në vitin 2018, Thaçi dhe Vuçiq sinjalizuan se ata mund të bien dakord për një shkëmbim territoresh për të zgjidhur pretendimet territoriale që të dy vendet kanë kundër njëri-tjetrit, por të dy u përballën me kundërshtim të fortë të idesë brenda dhe jashtë vendit”, shkruan “Reuters”.

Më poshtë mund të lexoni artikullin e plotë të “Reuters”:

Ligjvënësit e Kosovës rrëzuan qeverinë e kryeministrit Albin Kurti në një votim mosbesimi të mërkurën, duke shkaktuar krizë politike derisa vendi i Ballkanit përpiqet të ndalojë përhapjen e koronavirusit.

Me 82 vota kundër tij në parlamentin me 120 vende, Kabineti nuk i mbijetoi votës së iniciuar nga partneri i koalicionit Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), më pak se dy muaj që kur qeveria mori pushtetin.

Mbetet e paqartë se si qeveria do të vazhdojë punën e saj pasi vendi nuk mund të zhvillojë zgjedhje të parakohshme për shkak të përhapjes së sëmundjes së Koronavirusit.

Qeveria u rrëzua pas një mosmarrëveshje nëse do të shpallej gjendja e jashtëzakonshme për të luftuar Koronavirusin. LDK-ja paraqiti mocionin e mosbesimit pasi kryeministri Kurti shkarkoi anëtarin e LDK-së Agim Veliun nga pozita e ministrit të brendshëm.

Veliu kishte mbështetur thirrjet e presidentit të Kosovës që gjendjja e jashtëzakonshme duhet të shpallej për të luftuar Koronavirusin. Kurti tha se një veprim i tillë drastik nuk ishte i justifikuar.

"Duke shkarkuar ministrin e LDK-së pa asnjë konsultë, kryeministri theu koalicionin qeverisës", tha Arben Gashi, kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së.

Kosova ka raportuar 86 raste të koronavirusit. Një person vdiq pasi u prek nga sëmundja e frymëmarrjes.

Largimi i ministrit të brendshëm pasoi mosmarrëveshje të tjera, veçanërisht nëse tarifa prej 100% për mallrat e prodhuara në rivalin ballkanik Serbi, duhet të hiqej.

Kosova prezantoi tarifën në nëntor të vitit 2018, duke thënë se ajo do të hiqej pasi Serbia të njohë Kosovën.

Kosova ndaloi dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit dhe zemëroi Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, e cila mbështeti shpalljen e pavarësisë së Kosovës në 2008 pas luftërave që ndanë ish-Jugosllavinë.

Kurti vendosi të heqë pjesërisht tarifat, duke bërë që Shtetet e Bashkuara të ndalonin 50 milionë dollarë ndihmë për Kosovën.

Kurti tha se arsyeja për shkarkimin e qeverisë së tij ishte heqja e një pengese për të lejuar Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, të shkëmbejnë territoret si pjesë e marrëveshjes përfundimtare midis Prishtinës dhe Beogradit.

Në vitin 2018, Thaçi dhe Vuçiq sinjalizuan se ata mund të bien dakord për një shkëmbim territoresh për të zgjidhur pretendimet territoriale që të dy vendet kanë kundër njëri-tjetrit, por të dy u përballën me kundërshtim të fortë të idesë brenda dhe jashtë vendit.

"Arsyeja që po e shkarkoni Qeverinë time, është të lejoni nënshkrimin e një marrëveshje të arritur tashmë për të shkëmbyer territore midis Kosovës dhe Serbisë" u tha Kurti deputetëve para votimit./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat