Kusari: Zyrtarët amerikanë më kanë thënë se ka diskutime për ndarjen e Kosovës

Aktuale

Kusari: Zyrtarët amerikanë më kanë thënë se ka diskutime për ndarjen e Kosovës

Më: 27 mars 2020 Në ora: 19:32
Mimoza Kusari-Lila

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se është dëshmitare se zyrtarë amerikanë i kanë thënë asaj dhe një figure tjetër politike se ka diskutime për ndarjen e Kosovës në dialogun mes Thaçit dhe Vuçiqit.

Këto komente ajo i ka bërë në një intervistë në 'Info Magazinë'.

"Edhe ambasadori Grenell që është drejtpërdrejt i angazhuar me dialogun Kosovë-Serbi, por edhe përfaqësues të Departamentit të Shtetit dhe ambasadës amerikane në Kosovë kanë përcjellë atë se çfarë ndodhi këtu në raport me procesin në Kuvend. Por më duhet të them që të gjitha diskutimet dhe teoritë për ndarje apo shkëmbim territoresh nuk janë. Unë jam vetë dëshmitare e takimeve me diplomatë të lartë, në të cilin është përmendur fakti se dy presidentët Vuçiç dhe Thaçi kanë nxjerrë hartat dhe kanë diskutuar për shkëmbim territorial. Është vetë presidenti Thaçi që vitin e kaluar organizonte gati çdo ditë një seri konferencash në Kosovë, ku dilte dhe fliste se Kosova nuk do të japë territor, por do të marrë territor. Dhe çështjen e territorit nuk e sollëm ne partitë politike si çështje të diskutimit të lirë apo teori konspirative. Ishte ajo që u vërtetua dhe u konfirmua dhe pastaj direkt dhe indirekt u tha në vazhdimësi nga presidenti Thaçi. Këto diskutimet e fundit, se çfarë është thënë mes Vuçiq dhe Thaçit, është një terr informativ. Nuk ka pasur informacione në Kosovë. Këto takime nuk kanë qenë zyrtare sepse ne kishim ish-qeverinë në dorëheqje dhe ka ardhur deri në një pikë ku thuhet se marrëveshja është e domosdoshme. Duhet një marrëveshje finale me Serbinë, por para së gjithash ne na duhet një proces që garanton barazi dhe natyrisht drejtësi për të gjithë ata që pësuan gjatë luftës në Kosovë. Krejt çfarë ne kemi parë ka qenë një nivel diskutimi për pazare të organizmit politik, veçanërisht të presidentit, fatkeqësisht, sesa një zgjidhje që do të jetë e qëndrueshme dhe e pranueshme për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të Serbisë", ka thënë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat