Qorrolli: Pa VV-në s’mund të bëhet Qeveria, kjo mund të ndodhë vetëm nëse ajo bën këtë gjë

Aktuale

Qorrolli: Pa VV-në s’mund të bëhet Qeveria, kjo mund të ndodhë vetëm nëse ajo bën këtë gjë

Më: 30 mars 2020 Në ora: 09:17
Analisti Vigan Qorrolli

Analisti Vigan Qorrolli, ka thënë se debati aktual në Kosovë se kush ka të drejtë, presidenti apo kryeministri, është i drejtuar keq.

Sipas tij, në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para si parti politike, dhe të njëjtës i jepet e drejta për ta bërë Qeverinë e para, kjo sipas tij, për shkak të besnikërisë së popullit i cili e ka renditur të parën.

Ai tutje ka shtuar se pa Lëvizjen Vetëvendosje nuk mund të bëhet Qeveria, ndërkaq shton se kjo mund të bëhet vetëm nëse ajo vet heq dorë.

“Debati aktual në Kosovë se kush ka të drejt, presidenti apo kryeministri, është i drejtuar keq, së pari, sepse premisa kryesore e tij bazohet në një përcaktim të pajustifikuar dhe të pasaktë të demokracisë, në terma thjesht proceduralë, si rregull i shumicës parlamentare. Kosova është e modeluar sipas kushtetutës së saj, si demokraci kushtetuese parlamentare, ku Kuvendi është organi numër një dhe çdo pushtet tjetër derivon nga ai, edhe presidenti edhe kryeministri (qeveria)”, ka shkruar ai.

Sipas Qorrollit, Kosova është vendi i parë dhe mbase i fundit në Evropë që qeveria e saj rrëzohet për qëllime të tjera dhe jo të politikës së brendshme.

Ai thotë se “rëndësia e vërtetë e kërkesës së përgjithshme që një qeveri ta ruajë besimin e Kuvendit buron në detyrimin që ajo qeveri të mbrohet, të shpjegojë politikat e saj dhe të justifikojë veprimet e saj, për prapaskenat e veta, për raportin me partitë e opozitës dhe përmes tyre për vendin/kombin në tërësi.

Sipas tij, Qeveria e Albin Kurtit nuk ka rënë për asnjërën prej këtyre kritereve fundamentale të demokracisë kushtetuese parlamentare.

“Neni 82.2 i Kushtetutës së Kosovës nuk është apriori i gjykueshëm me fjalën MUND – të cilën kushtetutbërësi e ka përcaktuar si mundësi të presidentit për shpërndarjen e kuvendit. Kritikët, që janë laik kryesisht, me të drejt thonë se ky nuk është domosdoshmërisht një detyrim absolut. Por cila është logjika mbrapa përdorimit të këtij neni dy herë në historikun e pas pavarësisë”, ka shkruar ai.

Ai thotë se në dy rastet paraprake, në vitin 2010 dhe 2017, presidentët (u.d. Krasniqi dhe Thaçi) e kanë përdorur nenin 82.2 (shpërndarja e kuvendit) si normë autorizuese dhe jo si një normë diskrecionale.

Sipas tij, në dy rastet në fjalë presidentët respektiv të Kosovës kanë qenë të bindur, se herën e dytë nuk mund të formohet një qeveri e qëndrueshme.

“Prandaj si e vetmja zgjidhje shihen zgjedhjet. Meqë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese (2014) thotë shprehimisht se presidenti nuk ka diskrecion në refuzimin e kandidatit për kryeministër – po ky aktgjykim në petitumin e tij (pika dh.) thotë se, ‘në rast se kandidati për kryeministër nuk merr votat e nevojshme…’, dhe nuk flet nëse një kryeministër rrëzohet me mocion mosbesimi por, flet vetëm në rast se kandidati për kryeministër nuk e merr besimin e shumicës së nevojshme parlamentare (61 vota)”, ka shkruar ai.

Ai thotë se “vetëm në pikën (e) të petitumit, ky aktgjykim flet për dhënien e serishme të së drejtës për partinë e njëjtë por, me mandatar (kandidat për kryeministër) tjetër. Kjo do të thotë se pa Lëvizjen Vetëvendosje NUK mund të bëhet qeveria e re. Kjo mund të ndodh vetëm nëse ajo heq dorë me shkrim tek Presidenti se nuk mund ta formojë një shumicë të re parlamentare”.

“Sipas germës kushtetuese dhe praktikës së mbivendosur të tekstit normativ, Presidenti i Republikës, z. Hashim Thaçi, do të ishte brenda të drejtës së tij për shpërndarjen e Kuvendit (neni 82.2), për së dyti herë në jetën e tij presidenciale — nëse partia e parë e dalë në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 (LVV) nuk i ofron një emër të ri për kryeministër atij. Vetëm kjo gjë, Kosovën, do ta çonte në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme”, ka shkruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat