Thirrja për vëllavrasje nga Agim Bahtiri – vjen reagimi i AKR-së

Aktuale

Thirrja për vëllavrasje nga Agim Bahtiri – vjen reagimi i AKR-së

Më: 30 mars 2020 Në ora: 17:09
Ilustrim

Aleanca Kosova e Re dënon fuqishëm gjuhën jodemokratike që përdoret nga politikanët dhe opinionistët, të cilët bëjnë thirrje për mosrespektim të rendit kushtetues dhe vullnetit politik të partive politike parlamentare dhe thërrasin në vëlla-vrasje.

Kosova është një demokraci parlamentare në të cilën qytetarët zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Kuvend dhe të cilët zgjedhin qeverinë e Kosovës bazuar në një shumicë të formuar. Kuvendi i Kosovës ka një mandat 4 vjeçar dhe qeveria në sistemin politik të Kosovës varet nga shumica në Kuvend që siguron qeverisjen.

“Thirrjet për vëlla-vrasje dhe për kryengritje kundër shumicës parlamentare janë të rrezikshme, shkojnë kundër kulturës politike dhe vlerave të Kosovës dhe të qytetarëve të saj që kanë luftuar me dekada për një vend që është demokratik, i lirë dhe që respekton vullnetin e lirë dhe fjalën e lirë të të gjithëve”, thuhet në reagim.

AKR do të mbështesë shumicën në Kuvendin e Kosovës që kërkon një zgjidhje që siguron stabilitet, unitet dhe respekt të vullnetit të qytetarëve të Kosovës për të ruajtur aleancat strategjike me SHBA dhe partnerët kryesorë evropianë të Kosovës.

Qytetarët e Kosovës kanë treguar tradicionalisht përafrim dhe respekt me kushtetutën dhe sundimin e ligjit dhe këto thirrje për dhunë dhe urrejtje nuk u përkasin qytetarëve të Kosovës dhe vlerave të tyre, përfundon reagimi i AKR-së.

Bahtiri paralajmëroi “konflikt vëllavrasje” nëse formohet pa Lëvizjen Vetëvendosje një shumicë e re parlamentare.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka sqaruar deklaratën e tij të bërë sot duke thënë se ishte nxjerrë nga konteksti. Ai ka thënë se prejse është në politikë gjithmonë ka bërë ftesa për qetësi të qytetarëve dhe për zgjidhje të problemeve politike me dialog.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat