Infektologu, Valbon Krasniqi, ka thënë se ende nuk i kanë gjetur burimet e kontaktit të infeksionit, për 4 persona nga Prishtina.
Këtë ai e konfirmoi sot në RTV Dukagjini, ku ndër të tjera thotë se janë duke punuar me vëmendje për të gjetur kontaktet.
“Kemi 3-4 raste në Prishtinë që nuk po mundim të identifikojmë burimin e kontaktit të infeksionit, por jemi duke parë me vëmendje kontaktet që kanë pasur dhe burimin e mundshëm të infeksionit. Sa më shpejt që të zbulohet burimi i infeksionit është më mirë pasi shkëputet zinxhiri i infeksionit qysh në rrethin e parë të kontakteve”, ka thënë ai.
Tutje, Krasniqi ka thënë se një paciente e gjinisë femër e moshës 73 vjeçare është në gjendje pak më të rëndë në krahasim me të tjerët.
“Është dita e saj e gjashtë që është shtrirë në klinikë dhe vështirë se mund ta parashikojmë gjendjen e saj shëndetësore”, tha ai.
Ndryshe, deri tash në Kosovë janë shënuar 94 raste me koronavirus, një prej tyre është shëruar plotësisht dhe një tjetër ka ndërruar jetë.