Raka: 10-14 ditët e ardhshme janë vendimtare për gjendjen me koronavirusin

Aktuale

Raka: 10-14 ditët e ardhshme janë vendimtare për gjendjen me koronavirusin

Më: 31 mars 2020 Në ora: 00:12
Lul Raka

Mikrobiologu i njohur, Lul Raka, ka thënë se numri prej 106 personave të prekur me koronavirus në Kosovë, është i pritshëm.

Në një intervistë Raka ka thënë nëse bëhet një krahasim me vendet e rajonit, atëherë Kosova e ka lakoren më të sheshtë.

Sipas tij, ka një standard krahasimi dhe ai bëhet kur të arrihet numri 100, i cili është arritur sot në Kosovë.

“Tashmë jemi dëshmitarë se përhapja është shtrirë, kemi raste në komunitet. Lakoren e rasteve prej tash e vizaton virusi, si do të shkojë, a do të shkojë vertikalisht, sheshtë dhe nuk do të shkelë kapacitetet menaxhuese të institucioneve në Kosovë, mbetet të shihet. Ajo që mund të parashikojmë është se në ditët në vijim mund të ketë rritje, por si do shkojë lakorja, mbetet të shihet në 10 deri në 14 ditët e ardhshme”, ka thënë Raka.

Sipas tij, IKSHPK-ja ka bërë punë të jashtëzakonshme, bashkë me ekipet në terren.

“Tash poenta e luftimit të pandemisë është: testo, gjurmo, izolo. Duhet të bëjmë teste në terren te rastet të cilat janë prioritet e ato prioritete caktohen prej institucioneve ndërkombëtare, por mund të ketë edhe elemente të strategjisë vendore. Nëse testojmë sa më shumë, e tash me testet e reja që i kemi marrë, 7.000 na kryejnë punë shumë. Tash duhet të rrisim gamën e testimit. Testimi varet nga kapacitetet e shtetit, si për shembull kur ne i kishim 1.500 – 2.000 teste, atëherë nuk mund të shkonim me testim masiv. Por tash që i kemi 7.000 shtesë dhe 1.000 teste të shpejta donacion, që nuk di nëse kanë ardhur apo jo, atëherë duhet me rrit gamën e testimeve”, tha ai.

Raka tregoi se sipas studimeve shkencore, për të pasur një gjurmim të suksesshëm për çdo rast të vërtetuar, duhet të testohen 36 persona të kontaktit të afërt.

Ai ka thënë se kapacitetet e Kosovës janë të konsiderueshme.

“Brenda ditës mund të bëhen 300 teste, kapacitetet janë. Shembujt më të mirë janë Singapori, Korea Jugut e Japonia, por pjesa më e madhe e botës ballafaqohet me mungesë të testeve, me mungesë të kapaciteteve. Në qoftë se kanë mungesë testesh dhe kapacitetesh, atëherë kanë me i testu vetëm rastet prioritare. Ai numër është i vogël, por në këtë rast ti je duke e parë vetëm majën e Ajsbergut, përfundi në ujë ke raste plot”, tha Raka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat