Profesori i Kushtetueses: Mund të shkaktohet krizë politike, ja pse s’mund të anashkalohet VV-ja

Aktuale

Profesori i Kushtetueses: Mund të shkaktohet krizë politike, ja pse s’mund të anashkalohet VV-ja

Më: 2 prill 2020 Në ora: 16:18
Mazllum Baraliu

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka kërkuar liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të propozojë kandidatin e ri për ta mandatuar për kryeministër të ri të Kosovës. Njohës të Kushtetutës, thonë se nuk ekziston afat kushtetues se kur Vetëvendosje duhet të kthejë përgjigje drejt presidencës, duke theksuar se praktikat në Kosovë kanë dëshmuar që në raste të tilla mund të krijohet edhe krizë politike.

Kreu i shtetit ka marrë vendim sot për formimin e një qeverie të re pa shkuar në zgjedhje. Këtë, Thaçi e bëri pasi takoi veç e veç të gjitha partitë politike parlamentare, me të cilat diskutoi rreth hapave tutje pasi Kuvendi i mori besimin qeverisë Kurti më 25 mars, duke e rrëzuar me dy të tretat e deputetëve.

Përmes një letre zyrtare, Presidenti i është drejtuar Kryeministrit të Kosovës, me kërkesën që t’i dërgohet emri i ri të cilin do ta mandatojë për kryeministër të ri të vendit.

Ndër të tjera, në letrën e presidentit thuhet se do të marrë hapat e nevojshëm sipas Kushtetutës së Kosovës për formimin e qeverisë së re.

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, sqaron se nuk ka ndonjë afat të përcaktuar kushtetues për kohën kur Lëvizja Vetëvendosje do t’i kthejë presidencës përgjigje.

Baraliu: Nuk ka afat kushtetues që Vetëvendosje t’i kthejë përgjigje presidencës

“Është momenti i papërshtatshëm dhe është dashur kjo çështje të lihet derisa të kalojë koronavursi, përndryshe nuk ka afat, ka vakum kushtetues dhe në vështirësitë dhe problemet që mund t’i ketë mandatari, sigurisht që mund të ketë edhe mosrespektim të ndonjë kohe e cila mund të quhet eventualisht kohë e arsyeshme për t’u përgjigjur. Andaj po them ne jemi në një situatë kur vetëm me këto veprime njëri tjetrit mund t’i shkaktojmë dëm institucional dhe asgjë më tepër se kaq”, thotë Baraliu përmes telefonit.

Andaj sipas tij, procesi mund të zgjasë në pafundësi nëse partia nuk i dërgon emrin për mandatar, meqë ekziston vakum kushtetues dhe e njëjta nuk e ka parashikuar një skenar të tillë.

Baraliu: Mund të shkaktohet krizë politike

“Mund të shkaktohet ngërçi politik dhe krizë politike për arsye se kemi ngatërruar punët edhe më herët me situatë të tilla të ngjashme, edhe me vendime të Gjykatës Kushtetuese ne relacion me dispozitat e Kushtetutës. Andaj, është fakt që është gjithsesi i pranishëm edhe në dispozitat e Kushtetutës që Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve. Vetëvendosje nuk mund të eliminohet, siç edhe ka vepruar presidenti sot, prandaj edhe në këto eventualisht blloqet qe po përpiqen të bëhen, politike, për ndonjë konfiguracion tjetër të ndonjë qeverisje tjetër, do të duhej domosdoshmërish të merret parasysh vullneti i shprehur nga votuesit për fituesin e zgjedhjeve të kaluara që është Vetëvendosje. Pra nuk mund të lihet anash Vetëvendosje, nuk kemi afate kushtetuese për të caktuar saktësisht sa ditë mundet mandatari i ri, gjegjësisht partia që e mandaton dikë nga radhët e veta, ta jap përgjigjen drejt presidencës dhe në anën tjetër ka pretendime të bëhet një qeverisje tjetër, këndej e kemi qeverinë në detyrë, andej e kemi barrën e koronavirusit një pandemie të egër e cila është përhapur në gjithë botën dhe ne jemi të rrezikuar, pra gjithsesi kriza është evidente dhe nuk do të duhej të kontribuohej tutje në një krizë të thelluar sepse gjithsesi primare është lufta kundër pandemisë, për të gjithë ne”, thotë Baraliu.

Tutje, profesori Baraliu thotë se po shihet nje gatishmëri e LDK-se, AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate për formimin një qeverie të re.

Duke interpretuar nenet e Kushtetutës, Baraliu thotë se një tjetër mundësi që Presidenti e ka para vetës është të shpërndajë Kuvendin dhe të dërgojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Baraliu: Ekziston mundësia kushtetuese që presidenti të shpërndajë Parlamentin

“Gatishmëria ekziston e këtyre partive të tjera, dhe plani ekziston si duket sepse vet fakti që ata u dakorduan kaq shpejt për të rrëzuar këtë qeveri, pra LDK me dy partitë e tjera, mund të shkojnë edhe drejt Parlamentit. Mundësia tjetër është neni 82 i Kushtetutës, paragrafi 2 që i jep mundësinë presidentit që të shpërndajë Parlamentin, pasi mocioni i mosbesimit kalon. Presidenti ka autorizime të shpërndajë Parlamentin dhe ta dërgojë në zgjedhje të reja dhe do të duhej të mendonte në këtë çështje presidenti, sepse mbrëmë u deklarua në një televizion që do ta ketë parasysh respektimin e plotë të Kushtetutës dhe dy variante, bile të parën e përmendi shkuarjen në zgjedhje, ose formimi i një qeverie të bazës së gjerë, ose unitetit ose teknike, si do që ta quani”, thotë Baraliu.

Në letrën që Thaçi i ka dërguar Kurtit sot, thuhet se siguron që të gjithë hapat e mëtejmë do të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin përkatës në fuqi.

Pas letrës së Thaçit, ka reaguar vetëm nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollqaku, e cila ka thënë se po kalohet nga PAN në PLAN.

“Grabitje e pushtetit në kundërshtim me Kushtetutën, e pastaj legalizim i veprimit antikushtetues përmes ndërrimit të Kushtetutës. #nukkalon”, ka shkruar ajo.

Pas takimeve që presidenti ka zhvilluar me liderët e partive politike, Lëvizja Vetëvendosje është shprehur për zgjedhje te reja duke kundërshtuar formimin e një qeverie ndryshe, ndërsa partitë e tjera kanë përkrahur formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse duke thënë se nuk është koha për zgjedhje për shkak të pandemisë me Covid19.

Qeveria Kurti ka mbetur në detyrë prej 25 marsit, kur Kuvendi i Kosovës me shumicë votash e rrëzoi atë pasi LDK inicioi një mocion mosbesimi ndaj qeverisë pjesë e së cilës ishte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat