69 persona nga Topanica e Kamenicës në listë për t’u testuar, kishin kontakte me 12 të infektuarit

Aktuale

69 persona nga Topanica e Kamenicës në listë për t’u testuar, kishin kontakte me 12 të infektuarit

Më: 2 prill 2020 Në ora: 19:11
Ilustrim

Në Komunën e Kamenicës numri i të infektuarve me koronavirus ka arritur në 12, përderisa në tërë Kosovën 126 persona kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Në Komunën e Kamenicës, përkatësisht në fshatin Topanicë, janë gjithsej 12 persona të cilët kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Që prej rastit të parë kur është regjistruar në këtë fshat, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, ka kërkuar nga Komuna e Kamenicës që Topanica të futet në karantinë.

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka bërë të ditur, se janë duke u hulumtuar të gjitha kontaktet që kanë pasur këta 12 persona të infektuar.

Sipas tij, deri më tani janë 69 persona që janë identifikuar dhe janë në pritje për t’u testuar.

“Prej momentit kur personi i parë është konfirmuar edhe kanë filluar identifikimet e kontakteve që ai dhe familja e tij ka pasur me persona të tjerë të cilët jetojnë në të njëjtën shtëpi. Grupi i parë ka qenë prej 17 personash ku nga ta 11 gjatë ditës së djeshme rezultuan pozitiv me koronavirus. Këta janë të ndarë në gjashtë familje, gjegjësisht gjashtë shtëpi të ndryshme kryesisht janë familje e gjerë e personit të parë të infektuar, ka të tjerë që kanë edhe relacione të tjera familjare. Edhe tash jemi duke vazhduar me përpilimin e listës së identifikimit të personave të tjerë që kanë pasur kontakt me të infektuarin. Deri më herët i kemi pasur 69 persona. Ndërkohë kjo listë do të vazhdojë edhe varësisht prej mundësisë por edhe kohës duhet Instituti vjen dhe i teston këta në shtëpitë e tyre”, tregoi Kastrati.

Mirëpo, sa i përket familjarëve të të infektuarve me koronavirus, Kastrati ka thënë se janë duke u përkujdesur për ushqim, barna e gjëra të tjera të nevojshme.

Ai ka bërë të ditur, se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë me përjashtim të një familjari të cilit gjatë ditës së sotme është dashur t’i jepet asistencë mjekësore nga QKMF-ja e Kamenicës.

“Ne jemi duke u përkujdes për ushqimin e tyre, brana dhe materiale të tjera të nevojshme. Që ka nevojë iu kemi blerë edhe një termometër edeh dy herë në ditë duhet Instituti ti kontaktojë përmes telefonit dhe me i pyet për gjendjen dhe temperaturën e tyre. Ndërkohë sot një prej personave ka pasur nevojë që edhe stafi shëndetësor nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare t’i bëj një vizitë në shtëpi dhe të asistoj”, tregoi Kastrati.

Në mesin e 12 të infektuarve me koronavirus, është edhe një foshnjë pesëmuajshe dhe një person 72-vjeçar.

Kastrati ka bërë të ditur, se fatmirësisht deri më tani gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive në QKUK.

“Dy prej tyre kanë shkuar edhe janë të shtrirë në Klinikën Infektive në QKUK, është personi më i moshuar 72-vjeçar dhe foshnja  pesëmuajshe dhe kryesisht është shkaku i moshës që të mund të jenë më afër dhe kujdesi ndaj tyre të jetë më i lartë. Deri më tani në bazë të informatave që i kemi gjendja e foshnjës pesëmuajshe është stabile. Vlen të theksohet fakti se prej të gjithë asaj që kemi parë nëpër botë që fëmijët nën moshën 16-vjeçare janë më të sigurt ose e kalojnë më lehtë këtë sëmundje, por uroj dhe shpresoj që ky fëmijë ta kalojë këtë virus sa më lehtë”, theksoi Kastrati.

Ndryshe deri më tani në Kosovë janë 126 persona të prekur me COVID-19, 10 të shëruar dhe një i vdekur. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat