Qalaj e pranon se mjekë serb kanë hyrë në Kosovë: Të gjithë me leje

Aktuale

Qalaj e pranon se mjekë serb kanë hyrë në Kosovë: Të gjithë me leje

Më: 4 prill 2020 Në ora: 19:46
Rashit Qalaj

(E plotësuar) - Para pak minutash, lidhur me situatën aktuale në Kosovë në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka folur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

Qalaj para gazetarëve  e ka pranuar se që nga përhapja e pandemisë COVID-19,  ka qenë një numër i madh i personelit mjekësor serb që kanë hyrë në Kosovë, mirëpo vetëm me leje.

“Me leje, ka hyrë një numër i madh i personelit mjekësor nga Serbia. Asnjë individ mund të them që ka hyrë në Kosovë pa leje”, ka thënë Qalaj.

Tutje, Qalaj ka folur pak edhe për situatën e sigurisë në Kosovë, teksa ka thënë se e njëjta është e qetë duke iu falënderuar edhe qytetarëve.

“Nga aspekti i sigurisë, Kosova është e qetë dhe e sigurtë, duke iu falënderuar edhe qytetarëve tanë. Angazhimet e policisë janë të mëdha. Gjatë ditës ne bëjmë përcjelljen e qytetarëve  për në karantinën tek qendra e Studentëve, po ashtu në koordinim me institucionet tjera, mbajmë të izoluara edhe lokacionet që janë të përcaktuara nga institucionet e shëndetësisë. Angazhim i policëve është maksimal”, ka thënë ndër të tjerash Qalaj.

***

Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia, në një konferencë të përbashkët me drejtorin e Policisë Rashit Qalajn dhe drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadanin ka folur për situatën e krijuar në veri të Mitrovicës e shifrave me koronavirusin Covid-19.

Vitia tha se në IKSHPK, dje deri pasdite janë testuar 443 raste ku pozitivë kanë rezultuar 9.

“Janë shëruar 6 dhe lajmi i mirë është se numri i të shëruarve po rritet. 1743 raste janë testuar gjithsej dhe 135 janë infektuar, 1 i vdekur dhe 16 të shëruar në përgjithësi. Në mesin e të testuarve që kanë dalë pozitivë janë edhe 3 nga veriu”, tha Vitia.

IKSHPK, thotë Vitia, do të vazhdojë të testojë njerëzit pandërprerë.

Sipas Vitisë, do të bëhet çmos për ta parandaluar përhapjen e Covid-19.

“Krantinimi i 2 komunave në veri u bë me dijeninë tonë. Janë marrë masat sipas protokollit. Ne kemi vepruar nga udhëzimet që vijnë nga OBSH-ja. Shpresojmë që bashkë do t’ia dalim. Me kryetarët e komunave në Mitrovicën e Veriut e Zveçan do të koordinohemi në vazhdimësi. Jemi në dijeni për deklaratat e shumta sot, edhe të karakterit politik, por po kërkoj që sot të jemi solidarë. Pandemia është kërcënim për gjithë njerëzimin, kujdes ju lutem nga komunikatat e pasaktësuara. I ftoj qytetarët të ndjekin këshillat tona, të jenë të sigurt që zyrtarët policorë, bashkë me infermierë e mjekë po japin maksimumin. Ju lutem t’i shmangni vizitat familjare. Ruani shëndetin tuaj e të familjarëve. Mendoni dy herë para se të dilni nga banesa e shtëpia. Çdo dalje bart rrezikshmëri të lartë, ky muaj do të saktësojë gjithçka. Vetëm bashkë mund t’ia dalim”, përfundoi Vitia.

***

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka sqaruar situatën e krijuar në veri pas shpalljes së vendimit për futjen në karantinë të Mitrovicës sëVeriut dhe Zvecanit.

Ai ka bërë të ditur se ky vendim është marrë me rekomandim të IKShP-së nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, në koordinim të plotë me autoritetet lokale.

“Sipas Ligjit për Parandalimin e sëmundjeve ngjitëse është vetëm Ministria e Shëndetësisë e cila mund të marrë vendime në raport me situata tilla. Natyrisht se MSh-ja ka qenë në koordinim të pltoë me autoritetet lokale në komunat përkatëse dhe në koordinim me to ky vendim është marrë nga Ministria e Shëndetësisë në koordinim me autoritet lokale. Kjo është e vërteta dhe vetëm e vërteta. Prapë bëj apel që t’i lëm dallimet politike anash sepse në pyetje është shëndeti i qytetarëve tanë, pavarësisht në cilin vend dhe cilin nacionalitet. Dhe ne si MSh do të japim ndihmën të gjithë qytetarëve të vendit”, tha ai.

Këto komente Vitia i bëri në një konferencë të përbashkët për media me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashid Qalaj.

***

Vitia dhe Qalaj mbajnë konferencë për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat