“Interpretimi” i Vigan Qorrollit: Neni 82.2 i Kushtetutës imponon zgjedhje të parakohshme

Aktuale

“Interpretimi” i Vigan Qorrollit: Neni 82.2 i Kushtetutës imponon zgjedhje të parakohshme

Më: 6 prill 2020 Në ora: 00:05
Vigan Qorrolli

Vigan Qorrolli, mësimdhënës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ka shprehur bindjen se pas mocionit të mosbesimit kundër Qeverisë, nuk ka rrugë tjetër kushtetuese përpos shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme.

Ai ka argumentuar se pika e dytë e nenit 82 të Kushtetutës, që i referohet situatës, nuk përbën dispozitë që e pajis kreun e shtetit me diskrecion.

“Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”, është përmbajtja e nenit 82.2 të Kushtetutës.

Presidenti Hashim Thaçi konsideron se folja “mund” në përmbajtjen e këtij neni i jep diskrecion, duke ia lënë mundësinë që t’i evitojë zgjedhjet, nëpërmjet rastit që duhet dhënë formimit të një qeveri të re.

Por ka një gjykim në gjykatën më të lartë të Shteteve të Bashkuara, që e ka sqaruar nëse një folje e këtillë mundëson diskrecionin.

Qorrolli në një intervistë dhënë, rikujton se për foljen “mund”, në versionin në gjuhën angleze të tekstit të Kushtetutë së Kosovës është përdorur folja “may”. E, ai argumenton se në jurisprudencën krahasuese – sidomos nga Gjykata Supreme e SHBA-së, autoritet ky që e interpreton Kushtetutën amerikane – foljeve “duhet” dhe “mundet” u është dhënë vlerë e barabartë.

“Sipas kësaj del se normativisht foljet më të fuqishme për t’u përdorur, të cilat e imponojnë një detyrim për t’u zbatuar, si për shembull: “do të”, “duhet”, apo “mundet”, kanë fuqi të njëjtë juridike. Në rastin Gutierrez de Martinez v. Lamagno, (1995), Gjykata Supreme e SHBA-ve, gjykoi se folja modale ‘shall’ (shqip: ‘do të’, ‘duhet të’) është e barasvlershme me foljen tjetër modale ‘may’ (shqip: ‘mundet’)”, thotë Qorrolli. “Shkalla e diskrecionit të cilin duhet ta përdorë presidenti Thaçi është e atillë, që ai duhet ta zbatojë praktikën e njëjtë të tijën si në vitin 2017: ta shpërndajë Kuvendin”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat