Kurti akuzon Thaçin se do që “ta djegë gjithë vendin”

Aktuale

Kurti akuzon Thaçin se do që “ta djegë gjithë vendin”

Më: 6 prill 2020 Në ora: 08:15
Hashim Thaçi dhe Albin Kurti

Reagime të shumta kanë nxitur përpjekjet për të krijuar tensione në veriun e populluar me shumicë serbe, në kohën kur vendi po përballet me përhapjen e pandemisë së koronavirusit. Pas situatës së krijuar me karantinat e komunave në veri, të koordinuar në akuza ndaj Qeverisë janë shfaqur presidenti, opozita, dhe LDK-ja.

Një ditë pasi presidenti Thaçi deklaroi se Qeveria me mosveprimet e saj po u krijon terren strukturave paralele në veri, ka reaguar kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Nëpërmjet një videoje të publikuar në “Facebook”, Kurti ka porositur qytetarët që deklarimet e presidentit për veriun të merren me rezervë. Duke aluduar në Thaçin, kryeministri në detyrë ka thënë se po tentohet të shpallet gjendje e jashtëzakonshme.

“Po, ka politikanë e zyrtarë të lartë në Beograd që duan konflikt në Kosovë, sidomos në veri të Ibrit. Mirëpo ka politikanë e zyrtarë të lartë edhe në Prishtinë që duan konflikt në Kosovë, sidomos në veri të Ibrit. Ata duan të provojnë tensione, sepse duan incidente. Projekti i tyre i shkëmbimit territorial sikur të realizohej do të shkaktonte konflikte e gjakderdhje të reja. Ai projekt dështoi. Tash duan konflikte e gjakderdhje në terren për t’u rikthyer te shkëmbimi territorial, përkatësisht te ndarja e Kosovës. Krejt njëjtë është edhe ajo intenca për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme me çdo kusht e çmim. Pasi që nuk arritën ta shpallin për ta bërë, duan ta bëjnë që ta shpallin”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se “atyre që kontribuuan për ndarjen e Mitrovicës dhe e lanë të pazhvilluar e në mjerim për mbi dy dekada mos ju besoni tash kur kërkojnë sovranitet e integritet nga qeveria që e rrëzuan pa i bërë as dy muaj në detyrë”.

Në fund, Kurti e ka krahasuar presidentin Thaçi me “dhelprën që kur i digjej bishti thoshte se po digjet e gjithë bota”.

“Edhe deklarimet e presidentit që po sillet si njëri nga liderët opozitarë merrni me rezervë e qetësi. E dini thënien e urtë të popullit tonë se kur dhelprës po i digjej bishti ajo thoshte se po digjet e gjithë bota. Dhelpra po e tund bishtin e djegur që të na djegë gjithë vendin tonë. Mirëpo jo nuk do ta lejojmë”, ka theksuar Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat