Flasin nga Ministria e Shëndetësisë: Kjo është gjendja e pacientëve të tjerë me koronavirus

Aktuale

Flasin nga Ministria e Shëndetësisë: Kjo është gjendja e pacientëve të tjerë me koronavirus

Më: 6 prill 2020 Në ora: 11:38
QKUK

Pas njoftimit të vdekjeve të dy pacientëve që ishin infektuar me Covid-19, bëhet e ditur edhe gjendja e pacientëve të tjerë të cilët janë hospitalizuar në Klinikën Infektive të QKUK’së.

Udhëheqësi i Divizionit për Komunikim me Publikun të kësaj Ministrie, Faik Hoti, në një përgjigje për Metron ka thënë se nga 47 pacientë me koronavirus të cilët janë të shtruar në Klinikën Infektive, dy prej tyre janë në mjekim intensiv në gjendje të rëndë dhe në ventilim mekanik, pesë të tjerë kanë nevojë për oksigjenoterapi dhe përkujdesje intenstive ndërsa 40 pacientë të tjerë janë në gjendje stabile.

” Nga 47 pacientët e infektuar me Covid 19, 40 pacientë janë në gjendje stabile, 5 pacientë kanë nevojë për oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive. Në mjekimin intensiv janë në gjendje të rëndë dhe në ventilim mekanik dy pacientë”, thuhet në përgjigjen e Hotit.

Ai tutje ka shtuar se sot, më datë 6 prill gjashtë raste të dyshuatra me Covid-19 kanë rezultuar negative, ndërsa klinika është në pritje të rezultateve të dy rasteve të tjera.

“Sa i përket stafit të Klinikës Infektive, nuk ka raste të reja të infeksionit brenda-spitalor, përpos 4 infermiereve të infektuara më parë të cilat janë në gjendje të mirë shëndetësore; tri infermiere janë të hospitalizuara në klinikë, ndërsa njëra është e vetizoluar në shtëpi”, ka thënë tutje Hoti.

Kujtojmë se në orët e hershme të ditës së sotme, dy pacientë të prekur me koronavirus nuk kanë arritur t’i bëjnë ballë kësaj sëmundje dhe kanë ndërruar jetë në mjekimin intensiv të Klinikës Infektive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat