Sveçla: Pati tendenca për tensionim në veri, fokus i Qeverisë është ndalja e koronavirusit

Aktuale

Sveçla: Pati tendenca për tensionim në veri, fokus i Qeverisë është ndalja e koronavirusit

Më: 7 prill 2020 Në ora: 00:32
Xhelal Sveçla

Xhelal Sveçla, ushtrues detyre i Ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se pati tendencë për tensionim të situatës në veri.

“Pati tendencë nga këto retorika të vazhdueshme, madje bajate, të eksponentëve të caktuar politikë, por edhe të argatëve të tyre. Qëllimi ishte të godasin LVV-në, të ndalin rritjen eksponenciale të LVV-së. Këta më shumë po u frikësohen kësaj rritjeje, sesa rritjes së rasteve me koronavirus”.

Ai ka bërë thirrje që fokusi të jetë në ndaljen e koronavirusit, duke iu dhënë fund lojërave politike.

“Ne jemi vendi i vetëm në glob, që përkundër se është duke u menaxhuar situata jashtëzakonisht mirë, kemi mocion apo rrëzim të Qeverisë në këtë kohë, do të thotë se kundërshtarët tanë nuk po kursejnë asgjë, as shëndetin e qytetarëve, për të na luftuar neve politikisht”, ka thënë ai.

Sa i përket kufizimit të lëvizjes dhe vendimit të Kushtetueses të 13 prillit, Sveçla ka thënë se është ecur drejt krijimit të mekanizmave mbështetës.

“Po ashtu kemi krijuar grupin për analizë dhe projektim, i cili ka për detyrë ta përcjellë situatën, të marrë shembujt më të mirë dhe më të këqij, dhe të parashikojë se çfarë mund të ndodhë me vendin tonë ne vazhdim”, ka thënë Sveçla.

Ai ka thënë se analizat e para tashmë po vijnë.

“Ndodhemi para dyjavëshit më të rrezikshëm dhe po punojmë që organizimi të jetë sa më efikas e mobilizimi sa më i mirë, që kjo të stopohet në maksimumin e saj”, ka deklaruar Sveçla.

Ai ka thënë se Qeveria do të mundohet që kurba e rritjes të zvogëlohet sa më shumë, në mënyrë që numri i të infektuarve të mos jetë më i madh, sesa kapacitetet për trajtimin e tyre.

“Të mos na ndodhë si në Itali”, ka thënë Sveçla. Ai ka thënë e njëjta situatë është edhe në Spanjë, në Francë e në Gjermani.

Sa i përket vendimit të Kushtetueses, ai ka thënë se janë kundërshtuar procedurat, e jo vendimet.

“Është thënë që këto vendime nuk mund t’i marrë Qeveria e Kosovës, por Ministria e Shëndetësisë bazuar në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve infektive. Dhe ne këtë po e bëjmë: Do t’i kthehemi ligjit për luftimin e sëmundjeve ngjitëse dhe në bazë të atij do t’i marrim vendimet meritore”, ka thënë ai.

Sveçla ka bërë të ditur se e ka vizituar sot komunën e Malishevës, ashtu si edhe Prizrenin, Rahovecin e Fushë-Kosovën.

“Gjendja më e rëndë është në komunën e Malishevës. Kjo ka ndodhë edhe për shkak se numri më i madh i diasporës nga Italia vjen nga kjo komunë. Po ashtu, mendoj se ka ndodhur edhe për shkak të neglizhencës në fillim të hapave të nivelit qendror drejtuar institucioneve lokale”, ka thënë ai.

Sveçla ka thënë se Kosova ka veçori negative, në raport me shoqëritë tjera, që e rëndojnë gjendjen.

“Kemi dendësinë e madhe të popullsisë, në raport me kilometër katror. Kemi strukturë të përzier. Nuk e kemi rastin e vendeve perëndimore, ku gjenerata e tretë jeton vetë dhe mund të futen në karantinë. Mos ta harrojmë edhe se kemi një sistem shëndetësor që lë shumë për të dëshiruar. Jemi ballafaquar me mungesa të tmerrshme të materialit mbrojtës”, ka thënë ai.

Sveçla ka thënë se shtetet e ndryshme kanë ndaluar eksportin e materialeve mbrojtëse dhe barnave.

“Ka garë ndërkombëtare për mallra që tashmë janë deficitare. Ne kemi vetëm 120 respiratorë, kemi porositur edhe pesëdhjetë, shpresoj të vijnë”, ka thënë ai.

Sveçla ka thënë se në fillim ka pasur probleme edhe me miellin, shkaku i panikut tek njerëzit.

“Tashmë kjo situatë është stabilizuar dhe nuk ka mungesë në treg. Çfarë ka tani mungesë, është mungesa e disciplinës”.

Ai ka thënë se do të bllokohen të gjitha hapësirat, ku qytetarët pa nevojë qëndrojnë apo shëtisin.

“Jemi në fazën e fundme kur po identifikojmë të gjitha mundësitë ligjore për ndëshkimin e qytetarëve të papërgjegjshëm. Do të ketë edhe dënime me para, por ka edhe dhjetëra arrestime që po ndodhin për çdo natë, sidomos për ata që me qëllim shkelin direktivat dhe ligjet në fuqi”, ka thënë Sveçla.

Ai po ashtu ka thënë se do të ketë vendime të vazhdueshme para 13 prillit.

Sa i përket kallëzimit penal të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ndaj kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtirit, Sveçla thënë se shumica e sjelljeve të Thaçit janë qesharake. Ka shtuar se deklarata e Bahtirit “nuk ka qenë më e qëlluara”.

“Mendoj se në kontekstin e aktualitetit duhet të jemi më të përgjegjshëm në deklaratat tona”, ka thënë ai.

Sa i përket përgjigjes të LVV-së rreth kërkesës së Thaçit për një kandidat për kryeministër, Sveçla ka thënë se vetë është i fokusuar në luftën kundër koronavirusit.

“LVV ka kapacitete të mjaftueshme për t’u marrë me të gjitha çështjet, ka persona që po merren edhe me atë çështje”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat