61 të infektuarit në Malishevë në gjendje të mirë, marketet e barnatoret do ta vazhdojnë punën

Aktuale

61 të infektuarit në Malishevë në gjendje të mirë, marketet e barnatoret do ta vazhdojnë punën

Më: 7 prill 2020 Në ora: 12:31
Ragip Begaj

Rasti i parë u lajmërua me 14 mars.

Por, tash 20 ditë pas tij, në komunën e Malishevës u shfaqën edhe 60 raste të reja me Coronavirus.

Ragip Begaj, kryetar i kësaj komune, që është me e prekura me COVID-19 në gjithë Kosovën, tha se gjendja e të gjithë këtyre pacientëve është e mirë.

“Gjendja shëndetësore është stabile sipas informatave që po i marrim nga Klinika Infektive. Presim e shohim më tutje”, u shpreh ai.

I pari i Malishevës mohoi lajmin që qarkulloi në medie se në komunën e tij nga e marta do të mbyllen të gjitha marketet dhe barnatoret.

Ai tha se deklarata e tij është keqinterpretuar dhe se këto veprimtari do ta vazhdojnë punën e tyre.

“Është një dezinformim sepse nuk kam thënë ashtu. Kam thënë se duhet të punojnë barantoret dhe veprimtaritë të cilat janë të nevojshme. Nuk kam gabuar në deklaratë. Kam thënë le të punojnë marketet dhe barnatoret”, deklaroi Begaj.

E, i pyetur për furnizimin me maska dhe dorëza të personelit shëndetësor në komunën e tij, Begaj, tha të kenë pranuar të hënën një kontingjent më këto pajisje.

Sipas tij, ai, është i mjaftueshëm për një javë.

“Nuk ka qenë si duhet. Gjithnjë i kemi shprehur shqetësimet tona. Të hënën ka ardhë një kontingjent. Po presim furnizim nga niveli qendror. Edhe për këtë javë kemi”, theksoi ai.

Tutje, Begaj nuk u shpreh fortë i kënaqur me respektimin e orës policore në komunën e tij.

Qeveria në një mbledhje të jashtëzakonshme, me 15 mars pati marrë vendim për futjen e Komunës së Malishevës në karantinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat