Historia e luftës Agim Veliu – Vjosa Osmani

Aktuale

Historia e luftës Agim Veliu – Vjosa Osmani

Më: 8 prill 2020 Në ora: 20:56
Agim Veliu – Vjosa Osmani

Agim Veliu, është njëri ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Që nga paslufta, ai e ka mbajtur pozitën e kryetarit të degës së LDK-së në Llap dhe shumicën e herave, ishte edhe kryetar i Podujevës.

Vjosa Osmani, angazhimin e saj brenda LDK-së, e kishte nisur qysh në moshë të re.

Ajo u bë fytyrë publike, në momentin kur u bë shefe e kabinetit të presidentit të atëhershëm, Fatmir Sejdiu.

Osmani, është deputete e Kuvendit, që nga viti 2010. Tashmë mban postin e kryetares së Kuvendit, ishte kandidate për kryeministre nga radhët e LDK-së, vitin e kaluar dhe aktualisht mban pozitën e nënkryetares së partisë.

Të dy këto figura të larta të LDK-së, kanë pasur një vazhdimësi përplasjesh mes tyre, por duket që tashmë gjithçka ka dalur jashtë kontrollit.

Por, si nisi historia e “luftës” Veliu-Osmani

Ishte viti 2014, kur kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, mori vendim për të bërë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, që në atë botë udhëhiqej nga Hashim Thaçi.

Ky vendim i LDK-së, i mbështetur nga shumica e zyrtarëve të saj, gjeti një kundërshtim të madh nga Vjosa Osmani.

Ajo, tashmë kishte filluar publikisht të fliste kundër partisë dhe njerëzve kryesor të saj.

E kundërshtonte koalicionin me PDK-në, nuk e votoi qeverinë e Isa Mustafës dhe i quante vegla të Hashim Thaçit.

Gjithçka kulmoi në momentin kur në shtatorin e vitit 2015, u mbajtën zgjedhjet për kreun e LDK-së.
Osmani, e cila kishte shfaqur hapur ambicie për këtë post, nisi një luftë të ashpër karshi një pjese të kryesisë dhe kryetarit Isa Mustafa.

Vjosa Osmani e quajti diktakturë zgjedhjen e Isa Mustafës kryetar të partisë në vitin 2015.

Lufta e saj brenda LDK-së, vazhdoi.

Në anën tjetër, Agim Veliu, i cili njihet si njëri ndër personat më të afërm të Isa Mustafës, pati filluar që akuzave të Vjosa Osmanit, t’i përgjigjet publikisht. Madje edhe në mënyrë të ashpër.

Pas akuzave të njëpasnjëshme të bëra nga Osmani, kryesia e LDK-së, me propizim të kryetarit Isa Mustafa, në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017, ia kishin lënë Osmanit numrin 83 në listën zgjedhore.

Përkundër kësaj, Osmani, kishte arritur t’i merr mbi 64 mijë vota, në atë garë zgjedhore.

Mes Osmanit dhe një pjesë të LDK-së, ndodhi një armëpushim, gjatë viteve 2017-2019, në kohën kur LDK ishte në opozitë.

Betejës për “luftë”, iu rikthyen në gushtin e vitit të kaluar.

Agim Veliu, tashmë kishte ambicie për të marrë drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njësoj sikurse Osmani.

Përveç këtyre dyve, publikisht ambicie kishin shprehur edhe disa figura të larta të partisë.

“Goditje” dhe “kundërgoditje” ishin shfaqur mes tyre në atë kohë.
Në fund, gjërat i kontrolloi Isa Mustafa.

Ai gjeti një konsensus brenda LDK-së, që ai të vazhdonte të ishte në krye të partisë.

Agim Veliun e “rehatoi” afër vetës, duke ia lënë postin e nënkryetarit të parë. Vjosa Osmanin, e cila deri në atëkohë nuk ishte pjesë e Kryesisë, e kishte bërë nënkryetare të tretë.

E kur kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqje, një diskutim i ashpër mes Osmanit dhe Veliut, filloi edhe me atë se kush duhet t’i prijë listës zgjedhore.

Në fund, me vendim të Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së u mor vendimi që Vjosa Osmani të jetë kandidate për kryeministre të vendit.

Edhe gjate fushatës, nuk pushoi “lufta” e tyre. Kjo pasi që, saktësisht në ditën kur Osmani po mbante fushatë në Podujevën e Agim Veliut, asaj i rrodhi në publik një bisedë me një gazetar.

Në atë bisedë, Osmani, kishte hedhur akuza të rënda ndaj Veliut. E kishte quajtur të paditur dhe vegël të Hashim Thacit.

Kur u bë certifikimi rezultateve të zgjedhjeve, LDK, nuk kishte arritur të dalë në vendin e parë. Atë tashmë e kishte zënë Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.

Kjo bëri që të kishte sërish përplasje mes Vjosa Osmanit dhe Agim Veliut.
Osmani dëshironte me çdo kusht koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, koalicion të cilin Veliu e shihte me skepticizëm.

Në fund fare, Veliu pranoi një koalicion me partinë e Albin Kurtit, që do ta bënte këtë të fundit kryeministër të vendit.

Por, ai tashmë e kishte një kusht.

Dëshiroi të bëhej ministër i Punëve të Brendshme.

Pas diskutimeve të gjata dhe përplasjeve brenda dhe jashtë partisë së Isa Mustafës, koaliconi LVV-LDK ndodhi.

Albin Kurti u bë kryeministër, Vjosa Osmani kryetare e Kuvendit dhe Agim Veliu ministër i Punëve te Brendshme.
Pas një pauze prej gati dy muajsh, u përsëritë historia e vjetër mes Osmanit dhe Veliut.

Veçse tashmë retorika mes tyre ishte më e ashpër dhe pjesë e kësaj lufte kishte hyrë edhe kryeministri Albin Kurti, pasi që ky i fundit e kishte shkarkuar Agim Veliun nga shefi i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Me t’u marrë ky vendim, LDK me shumicë votash brenda Kryesisë, vendosi të dilte nga koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.

Si edhe shpeshherë në të kaluarën, Vjosa Osmani, doli kundër.

Ajo e kundërshtoi prishjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje dhe filloi ta “godasë” fuqishëm përmes deklaratave, nënkryetarin e partisë Agim Veliu.

Osmani tha se Veliu nuk është dashur të bëhet fare ministër dhe se e bëri fajtorë për prishjen e qeverisë.

Kjo ngjalli një reagim të ashpër të dikur kryetarit të Podujevës, Agim Veliu, i cili Osmanin e quajti përkthyese të Thaçit.Veliu thotë se ajo që nuk guxoi të kandidojë për kryetare të Komunës së Mitrovicës, po ia konteston legjitimitetin atij që i fitoi 15 palë zgjedhje të njëpasnjëshme.

“Fitoret radhazi në zgjedhjet lokale dhe nacionale flasin më së miri. Përkthyesja e Thaçit, e cila asnjëherë nuk ka guxuar të garojë në zgjedhje në komunën e saj dhe as në degën e saj, po ia konteston legjitimitetin qytetar një fituesi të 15 palë zgjedhjeve të njëpasnjëshme”, shkruan Veliu.

Gjithashtu, Veliu ia përmendi Osmanit edhe Prishtinën, ku sipas tij, humbjet në Prishtinë erdhën si rezultat rolit të saj destruktiv dhe ambijceve karrieriste të saj.

“Ndërkaq, humbjet në Mitrovicë dhe në Degën e Tretë në Prishtinë kanë qenë të njëpasnjëshme, mes tjerash edhe për shkak të rolit të saj destruktiv e me ambicie karrierist”, tha Veliu.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të Veliut.

Fitoret radhazi në zgjedhjet lokale dhe nacionale flasin më së miri
Përkthyesja e Thaçit, e cila asnjëherë nuk ka guxuar të garojë në zgjedhje në komunën e saj dhe as në degën e saj, po ia konteston legjitimitetin qytetar një fituesi të 15 palë zgjedhjeve të njëpasnjëshme.
LDK-ja i kishte ofruar Vjosa Osmanit fillimisht të jetë kandidate për kryetare të Komunës së Mitrovicës, prej nga vjen, por kishte refuzuar. Po ashtu në zgjedhjet lokale të vitit 2017 i është ofruar kandidatura të garonte për kryetare të kryeqytetit, që apriori e kishte refuzuar, duke u arsyetuar se nuk ka kohë.
Ne nuk jemi fshehur pas askujt, sepse i kemi fituar të gjitha zgjedhjet lokale dhe nacionale në Komunën e Podujevës.
Ndërkaq, humbjet në Mitrovicë dhe në Degën e Tretë në Prishtinë kanë qenë të njëpasnjëshme, mes tjerash edhe për shkak të rolit të saj destruktiv e me ambicie karrieriste.
Kur është dashur që të mos rrezikohet komuna, në zgjedhjet lokale më është kërkuar t’i kthehem garës për kryetar komune dhe kam lënë pozitën e deputetit dhe i jam rrekur punës dhe, si rezultat i angazhimit tim dhe elektoratit besnik të LDK-së, i kam fituar zgjedhjet.
Kur u kandidua për kryeministre, LDK-ja në të gjitha sondazhet, përfshirë edhe ato të oponentëve politikë, ishte e para me diferencë prej 7%, por në zgjedhje doli e dyta.
Në vend që të marrë përgjegjësi për humbjen, sillej si fituese. Ndoshta ka të drejtë, sepse fitoren e VV-së e konsideronte fitore të saj.
Të thuash se strukturat e partisë, duke përfshirë Kuvendin e LDK-së, Këshillin e Përgjithshëm, Kryesinë dhe Kryetarin, nuk përfaqësojnë votuesin e LDK-së, është hipokrizi.
Të thuash se votuesi i LDK-së përkrahë një kryeministër dhe një parti që ia mbyll telefonin Shtëpisë së Bardhë dhe e izolon Kosovën nga aleati ynë historik, është një hipokrizi tjetër.
Të thuash se dialogun me Serbinë duhet ta udhëheqë një kryeministër, i cili nuk ka guxim ta marrë udhëheqjen e dialogut dhe refuzon ftesat amerikane për përfshirje në dialog, është një paradoks tjetër.
Të thuash e përkrahi qëndrimin amerikan për dialogun e taksën dhe njëkohësisht e përkrahi një kryeministër që shpërfill kërkesat e Departamentit të Shtetit, është kontradiktore.
Të thuash se 90 deputetë të Kuvendit të Kosovës nuk përfaqësojnë legjitimitet qytetar, është mungesë elementare e njohjes së demokracisë që buron nga vota e popullit.
Ta kundërshtosh partinë tënde që ta udhëheqë shtetin dhe dialogun, siç ka bërë në të kaluarën, por edhe tani, është keqpërdorim i besimit të partisë dhe elektoratit.
Këto paradokse dhe anakroni gjejnë përgjigje te ajo thënia popullore: “han bukën e shtëpisë, bën argatin e kojshisë”.
Ka dalë në oborrin e një fqinji që ka pretendime për shtëpinë e saj dhe është bërë me të, kundër shtëpisë së vet.
Po e fajëson shtëpinë e vet pse po e mbron pragun e vet, e po i duken normale synimet gllabëruese të fqinjit pretendues ndaj shtëpisë së saj.
Por, me të nuk do të merrem më. Sepse ajo këtë e pret. Prej kësaj është rritur. Por, fatkeqësisht nuk është maturuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat