Zyra e presidentit i reagon Kurtit për letrën e dërguar Lajçakut

Aktuale

Zyra e presidentit i reagon Kurtit për letrën e dërguar Lajçakut

Nga: A.Zh Më: 9 prill 2020 Në ora: 16:03
Hashim Thaçi dhe Albin Kurti

Zyra e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, ka sqaruar se kryeministri në detyrë Albin Kurti, nuk është konsultuar me presidentin si udhëheqës i politikës së jashtme lidhur me Ekipin Negociator. Për këtë të fundit, Kurti dje e ka njoftuar përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Por, në një komunikatë të lëshuar për media, zyra e Thaçit ka thënë se “kryeministri i shkarkuar nga Kuvendi”, përveç që nuk është konsultuar me Presidentin, me “këtë qasje është duke e shkelur edhe hierarkinë kushtetuese”, përcjell Bota sot.

Presidenca ka theksuar se Kurti është i “delegjitimuar nga votat e shumicës absolute të përfaqësuesve të popullit në Kuvendi dhe nuk mund të bëjë zotime në emër të institucioneve të Kosovës dhe as në emër të një qeverie në largim”.

Sipas Presidencës, lista e delegacionit të propozuar nga Kurti mbetet një dëshirë personale e tij dhe asgjë më shumë.

Komunikata e plotë e presidencës:

Meqë dje dhe sot kishte shumë pyetje drejtuar Zyrës së Presidentit lidhur me Ekipin Negociator të proklamuar nga kryeministri i shkarkuar, Zyra për Informim e Presidentit të Republikës së Kosovës sqaron opinionin publik vendor dhe ndërkombëtar, se kryeministri në largim nuk është konsultuar me Presidentin si udhëheqës i politikës së jashtme.

Kryeministri është i shkarkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është kryeministër në largim i një qeverie në largim. Ai përveç që nuk është konsultuar me Presidentin si udhëheqës i politikës së jashtme, me këtë qasje është duke e shkelur edhe hierarkinë kushtetuese.

Kryeministri i shkarkuar është i delegjitimuar nga votat e shumicës absolute të përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Kosovës dhe nuk mund të bëjë zotime në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe as në emër të një qeverie në largim.

Lista e delegacionit të propozuar nga kryeministri i shkarkuar mbetet një dëshirë personale e tij dhe asgjë më shumë.

Kurti në letrën e tij për Lajçakun, ka thënë se dialogu duhet të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se marrëveshja përfundimtare duhet të shoqërohet me një garanci nga BE-ja dhe SHBA-ja që obligon zbatimin e ndërsjellë dhe të plotë të marrëveshjes.

Kurti në letër i ka thënë Lajçakut se sipas Kushtetutës së Kosovës është i obliguar që të themelojë dhe udhëheq ekipin negociator të Kosovës.

Në këtë frymë, Kurti ka theksuar se ekipit negociator do t'i printe ai, ndërsa anëtarë të tij do të ishin, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, dhe nga një përfaqësues të partive politike parlamentare: Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike, koalicionit AAK-PSD, Nismës Socialdemokrate, Listës Serbe dhe Grupit 6+.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat