Blerta Deliu ka një pyetje për Vjosa Osmanin

Aktuale

Blerta Deliu ka një pyetje për Vjosa Osmanin

Më: 9 prill 2020 Në ora: 16:59
Blerta Deliu

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka kërkuar nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanin që të sqarojë se pse nuk janë publikuar ende votat e dhëna në seancën për mocionin ndaj qeverisë Kurti.

Përmes një postimi në Facebook, Deliu ka shkruar se si pasojë teknike është raportuar se kanë qenë 82 vota për, kur numri realisht do të duhej që të ishte më i madh.

Postimi i plotë:

Kryetarja e Kuvendit, e cila ka drejtuar seancën për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, por edhe sekretaria e Kuvendit dhe grupet parlamentare, duhet të kërkojnë sqarim pse ende në publik nuk është sqaruar saktë numri i votave të dhëna për mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë.

Si pasojë e gabimeve teknike nga ana e regjisë me rastin e votimit të mocionit, por mbase edhe për faj të tendenciozitetit politik, numri i votave të dhëna nga parlamenti për rrëzimin e qeverisë është raportuar 82 ndërkohë që duhet të ishte më i madh.

Nga mungesa e përmirësimit të procesverbalit me të dhënat e sakta, edhe sot në opinion po manipulohet me numrin e deputetëve mbështetës të mocionit duke deklaruar se ishte 82.

Kujtoj këtu se pjesëmarrës të shpallur në seancë ishin 117 deputet nga të cilët abstenues ishte 1 deputet dhe votat kundër mocionit ishin 32 (duke përfshirë këtu Osmanin dhe dy deputetët e saj brenda LDK-së). Kjo do të thotë se votat për rrëzimin e qeverisë duhet të kenë qenë së paku 84 e jo 82 sikurse u raportua.

Kjo neglizhencë përbën shkelje të rëndë të vullnetit të deputetit dhe detyrimeve kushtetuese nga ana e drejtuesit/drejtuesës së Kuvendit. Numri i saktë i votave mund të gjendet lehtë duke shqyrtuar xhirimet televizive të momentit të votimit por edhe duke u konsultuar me drejtuesit e grupeve parlamentare të cilët raportojnë saktë vullnetin e pjesëtarëve përkatës.

Kryetarja e Kuvendit duhet ta obligojë sa më parë sekretariatin ta përmirësojë procesverbalin dhe të ofrohen të dhënat e sakta mbi mbarëvajtjen e seancës për votimin mocionit të mosmbesimit ndaj Qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat