Kisha në Gjakovë sfidon shtetin dhe pandeminë, mbanë mesha me besimtarë

Aktuale

Kisha në Gjakovë sfidon shtetin dhe pandeminë, mbanë mesha me besimtarë

Më: 9 prill 2020 Në ora: 20:46
Foto Kisha Gjakove

Të paktën tre mesha, në 10 ditët e fundit, janë kremtuar në dy kishat e të njëjtës famulli, në qytetin e Gjakovës. Përkundër, se shteti ka ndalur çfarëdo tubimesh me njerëz dhe ka rekomanduar qëndrimin në shtëpi, si masë parandaluese për përhapjen e pandemisë COVID-19, që deri më sot ka marrë jetën e 6 kosovarëve.

‘E Diela e Larit’, të dielën që lamë pas, është kremtuar si çdo vit tjetër në Gjakovë. Përkundër se Kosova, sikurse e gjithë bota, ndodhet para një situate të jashtëzakonshme shëndetësore të një pandemie globale.

Në kishën e “Shën Palit dhe Pjetrit”, që ndodhet jo shumë larg qendrës së qytetit të Gjakovës, mëngjesin e të dielës, sikurse çdo vit tjetër, në prani të dhjetëra besimtarëve janë bekuar lulet dhe degët e ullinjve, si rit fetar i të krishterëve, që përkujtojnë pritjen e Jezusit që iu bë pas kthimit të tij në vendlindje, pak para kryqëzimit dhe ringjalljes që sipas kalendarit gregorian përkujtohen këtë fundjavë.

Kjo ditë e shënuar në kalendarin e besimtarëve katolik, është kremtuar me një meshë të zakonshme, në Kishën e Gjakovës, duke sfiduar komplet shtetin dhe masat që Qeveria e Kosovës ka vënë tash e disa javë, pas shpalljes së Emergjencës Shëndetësore në gjithë vendin, pas përhapjes së pandemisë së njohur Coronavirus, që edhe në Kosovë ka marrë disa jetë njerëzisht, sikurse mbi 92 mijë vdekje që janë shënuar në gjithë globin, shkaku i COVD-19.

Dhjetëra besimtarë katolik nga qyteti i Gjakovës, e kanë përcjellë nga brenda kishës meshën e drejtuar nga prifti famullitar i këtij qyteti, Patër Ndue Kajtazi, përkundër se qysh me 24 mars të këtij viti Qeveria e Kosovës me anë të një vendimi ka ndaluar “tubimet në të gjitha mjediset — private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura — përveç kur është e domosdoshme për të kryer detyrat e punës për parandalim dhe luftim të pandemisë, si dhe ku lejohet distanca dy metra me të tjerët”.

Besimtarët në këtë meshë, sipas riteve katolike, janë ‘bekuar’ me ujë dhe janë shërbyer me ‘kungim’ nga e njëjta enë e meshtarit i cili të paktën nuk kishte venë as dorëza për të siguruar shëndetin e besimtarëve, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”. Gjithashtu, gjakovarët e grumbulluar në këtë meshë, kanë uruar paqen mes veti, duke i shtrirë dorën njeri-tjetrit, përkundër se ekspertët e shëndetësisë në gjithë boten kanë bërë thirrje që të shmangen kontaktet fizike, si një nga format më e mundshme e përhapjes së infeksioneve mes njerëzve.

Përveç shtetit të Kosovës, Kisha e Gjakovës ka sfiduar edhe thirrjet e Ipeshkvisë së Kosovës, madje edhe të Vatikanit, që meshat katolike të kremtohen në Kisha pa besimtarë, për të ruajtur dhe mosrrezikuar shëndetin e tyre, në këtë gjendje pandemie që ka kapluar gjithë boten.

Madje, e njëjta meshë, në Vatikan është kremtuar nga Papa Françesku dhe klerikët tjerë, pa praninë e besimtarëve në bazilikat e Selisë së Shenjtë në Romë.

Për këtë veprim të Kishës së Gjakovës dhe meshtarit të saj, në Ipeshkvin e Kosovës thonë të mos jenë në dijeni.

Kështu të paktën pretendon zëdhënësi i Ipeshkvisë, Don Fatmir Koliqi.

“Ne nuk kemi ndonjë informacion që ka pasur meshë me popull atje”, tha Koliqi.

“Ne i kemi të pranuar të gjitha shkresat dhe kemi udhëzuar që meshat e domosdoshme të mbahen vetëm me ata që duhet të jenë të pranishëm gjithsesi, si p.sh. prifti”, shton prifti katolik, duke udhëzuar që për këtë rast të bisedohet direkt me meshtarin e Kishës së Gjakovës, Patër Ndue Kajtazi.

Sikurse mesha e së ‘Dielës së Larit’ i njëjti meshtar, këtë të martë, sikur edhe të martën e shkuar, meshë me besimtarë ka mbajtur edhe në oborrin e kishës së ‘Shna Nadaut” në Gjakovë, që ndodhet përballë asaj të ‘Shen Palit dhe Pjetrit’ duke kremtuar të ashtuquajturat të martat e Shna Ndaut.

Ritet dhe mos respektimi i masave shëndetësore, e edhe i vendimeve të shtetit, për të shmangur përhapjen e mundshme të pandemisë Coronavirus nuk kanë vlejtur as gjatë këtyre meshave, që për dy jave resht janë kremtuar të martave paradite, në ambiente të hapura.

Madje, në një fotografi që është shpërndarë nga vetë faqja e Kishës së Gjakovës në facebook, shihet që as rregulli i distancës nuk është respektuar, nga besimtarët që kanë ndjekur meshën nga afër, përkundër se tubimet e tilla janë të ndalura tash e disa javë nga Qeveria e vendit.

E në facebook, Kisha e Gjakovës ka transmetuar live këto meshë. Por, në to kamera është drejtuar vetëm nga Altari i Kishës, ku shihet vetëm prifti Ndue Kajtazi duke drejtuar meshën. Por, ajo që dëshmojnë këto video është prania e besimtarëve në kishë, të cilët dëgjohen duke bërë lutjet brenda kishës.

Nga ana tjetër, Ipeshkvia e Kosovës, në kuadër të së cilës funksionon edhe Kisha e Gjakovës, sikurse edhe Vatikanit, sot kur ka filluar tre ditshi i rëndësishëm i festës së Pashkëve, që kremtohet të dielën në botën katolike, ka vazhduar të bëjë thirrje dhe udhëzuar meshtarët që meshat e të ashtuquajturës ‘Java e Madhe e Pashkëve’ për të krishterët, të kremtohen pa praninë e besimtarëve për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, që siç thuhet në letrën e Ipeshkvit Dodë Gjergji, “në një mënyrë na ka detyruar të ndryshojmë radikalisht mënyrën e jetës sonë baritore dhe formën e komunikimit me besimtarin”.

Ndërkohë, në Kosovë, deri më sot janë identifikuar 224 raste të infektuarish me Coronavirus, prej të cilëve 37 janë shëruar. 6 prej tyre e kanë humbur jetën, si pasojë e komplikimeve shëndetësore që u ka shkaktuar infektimi me pandeminë COVID-19.

Nga të infektuarit, 10 prej tyre janë nga Gjakova, derisa numri më i madh i të prekurve shënon në Malishevë, me gjithsej 66 të infektuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat