Ymeri e mirëpret ngritjen e aktakuzës ndaj katër ish-ministrave për çështjen e hidrocentraleve

Aktuale

Ymeri e mirëpret ngritjen e aktakuzës ndaj katër ish-ministrave për çështjen e hidrocentraleve

Më: 10 prill 2020 Në ora: 16:12
Visar Ymeri

Ish-deputeti i PSD-së, Visar Ymeri e ka cilësuar si lajm të mirë ngritjen e aktakuzës ndaj 19 personave prej të cilëve 4 ish-ministra lidhur me procesin e privatizimit të Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike.

Ymeri përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ky është njëri prej proceseve më të dëmshme e të dyshimta të privatizimit në Kosovë.

“Uroj që procesi gjyqësor për këtë rast të mos përlyhet nga ndërhyrjet politike dhe të përfundojë me vendim meritor për të akuzuarit”, ka shkruar Ymeri.

Postimi i plotë:

Lajm i mirë. Qenka ngritur aktakuza kundër 19 personave (prej të cilëve 4 ish ministra) për rolin e tyre në procesin e privatizimit të Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KKDFE e pas privatizimit KEDS). Ky është njëri prej proceseve më të dëmshme e të dyshimta të privatizimit në Kosovë. Këta katër ish ministra akuzohen se gjatë procesit të privatizimit kanë marrë vendim që kompanisë së interesuar për blerjen e KKDFE t’ia japin katër hidrocentrale edhe pse këto ka qenë dashur të mbesin pronë e KEK-ut, duke e dëmtuar kështu interesin publik dhe shtetëror të Kosovës. Uroj që procesi gjyqësor për këtë rast të mos përlyhet nga ndërhyrjet politike dhe të përfundojë me vendim meritor për të akuzuarit.

Një problematizim i tillë gjyqësor i një procesi aq shumë të lavdëruar të privatizimit duhet t’i shërbejë institucioneve publike dhe publikut në përgjithësi në Kosovë që ta trajtojnë e rimendojnë jo vetëm privatizimin e KKDFE-së, por tërë euforinë privatizuese të çdo aseti ekonomik në Kosovë, eufori kjo e cila kryesisht justifikohej me menaxhim më të mirë të ndërmarrjes (në rastin e KEDS kjo qartazi bjen poshtë) dhe me parandalim të korruptimit të ndërmarrjes (prapë në rastin e KEDS kjo po bie poshtë meqë, siç e thotë nobelisti Stiglitz, privatizimi kur institucionet publike janë të dobëta e përshpejton korrupcionin në vend se ta ndalojë atë). Për më tepër se kaq, ky proces tregon po ashtu se korrupcioni ne vend se të jetë devijim është rrjedhojë e pashmangshme e sistemit neoliberal të qeverisjes të cilin e ka aplikuar aq keq Kosova, ideologji kjo që insiston në parimin e mbivendosjes së tregut përmbi shtetin, ku tregu, e jo shteti, duhet të jetë ai që i ofron shërbimet ndaj qytetarëve. A nuk e kanë përdorur pikërisht këtë parim ish ministrat e akuzuar? Aktakuza e thotë që ata kanë marrë vendim për ta mbrojtur VETËM interesin e njërës palë (interesin privat) e jo edhe atë të palës tjetër (interesin publik).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat