Eskalon debati në mes Bekim Jasharit dhe Sami Lushtakut, ky i fundit i përgjigjet ashpër

Aktuale

Eskalon debati në mes Bekim Jasharit dhe Sami Lushtakut, ky i fundit i përgjigjet ashpër

Nga: D.RR Më: 11 prill 2020 Në ora: 19:19
Bekim Jashari dhe Sami Lushtaku

Zyrtari i lartë i PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, i është kundërpërgjigjur kryetarit të komunës së Skenderajt, Bekim Jasharit, pasi ky e akuzoi se ndihmat për familjet e varfëra po i bën për poena politik.

Lushtaku i ka thënë Jasharit se ia ka dhënë mundësinë për t’u bërë kryetar komune për nder të familjes Jashari, e jo për të.

Ai i drejtohet Bekim Jasharit duke i thënë se nuk di asgjë për luftën, sepse ke informata gjysmake, teksa i është drejtuar se në komunën e Skenderajt nuk ka bërë asnjë projekt madhor.

Postimi i plotë:

I dashur Bekim,

E di mirë që të pengon autoriteti e fuqia ime politike qe e kam në Drenicë. Jam i vetëdijshëm për këtë që prej se të kemi bërë kryetar të komunës, pasi unë personalisht por edhe gjithë Partia Demokratike e Kosovës, t'i kemi hapur dyert e dritaret, që ti të bëhesh kryetar komune. Këtë veprim e kam bërë për nder të familjes Jashari dhe jo për ty.

Ti Bekim, që prej se je bërë kryetar komune vazhdimisht je shndërruar në një figurë prej viktime dhe përçarësi. Je munduar të ndërhysh edhe në zgjedhjet e brendshme të Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, por ty dhe secilit që ka tentuar të ndërhyjë për qëllime të ulëta, ja kam treguar vendin përmes votës së anëtarësisë. Kam fituar mbi 90% të votave si në zgjedhje të brendshme ashtu edhe në ato të komunës deri sa më je lutur që të të përkrahë ty në këtë detyrë.

E paske përmendur edhe luftën, për të cilën ti nuk di asgjë sepse ke informata gjysmake që ke dëgjuar nga të tjerët. Kemi hyrë në luftë por nuk e kemi ditur a shpëtojmë apo jo. Kam luftuar për atdheun sepse e kam pasur obligim, pa menduar çka na pret në të ardhmen. Jam krenar për këtë, e për gjitha këto, dëshmitari më i mirë është Zoti.

Unë nuk e shfrytëzoj pandeminë as për poena politik e as për rritje të përkrahjes sime sepse përkrahje politike kam të mjaftushme. Kjo të pengon ty. Nuk jemi në diktaturë që t'i të kontrollesh çdo gjë. Ti nuk je Zoti i qytetarëve të Skenderajt që të më tregosh si janë ata e si ndjehen. Unë i njoh shumë më mirë e shumë më afër se ti për më shumë se 30 vite me radhë.

Unë nuk kam dashur që të merrem me ty prej se je bërë kryetar komune. Por meqë ti po merresh me mua, do ta kthej me monedhën e njëjtë. Për gati 3 vite që e ke marr drejtimin e komunës, nuk ke bërë asnjë projekt madhor. Ke krijuar ndarje e përçarje në çdo gjë që ti ke pasur mundësi. Këtë herë po të kursej nga të tjerat.

Sa i përket pakove ushqimore, ato janë kontribut i anëtarësisë së PDK-së në Skenderaj dhe i të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë prandaj kemi vendosur llogon e degës. Merita është e të gjithëve dhe jo e imja. E di që do të doje që çdo gjë të kalonte përmes teje por jemi në sistem demokratik dhe të gjithë kemi të drejtë të ndihmojmë sa kemi mundësi. Ashtu edhe do të bëjmë.

Do të jemi afër qytetarëve si gjithmonë. SL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat