Vazhdon përplasja: Deputetja e VV-së i reagon Mustafës: Mos derdh lotë krokodili

Aktuale

Vazhdon përplasja: Deputetja e VV-së i reagon Mustafës: Mos derdh lotë krokodili

Nga: A.Zh Më: 16 prill 2020 Në ora: 21:15
Fitore Pacolli dhe Isa Mustafa

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli, i ka reaguar kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, i cili e ka quajtur hipokrite deklaratën e saj.

Pacolli mbrëmë e ilustroi gjendjen në shëndetësinë e Kosovës duke thënë se as kryeministrat nuk i besojnë sistemit të shëndetësisë, të cilin sipas saj, vetë e kanë sjellë në këtë gjendje.

E sot Pacolli i ka thënë Mustafës së nuk është turp të tregohet e vërteta, por të shfrytëzohen të mirat e shtetit për veten dhe familjen e afërt, përcjell Bota sot.

Ajo ka akuzuar Mustafën se gjatë qeverisjes së tij, ka lejuar dhe kontribuar në degradimin e sistemit shëndetësor.

Deputetja e VV-së i ka thënë të parit të LDK-së së nuk duhet të përdor ura lidhëse për t’u afruar me PDK-në dhe ata që dikur i akuzonte për krime.

“Nuk ke nevojë të përdorësh ura lidhëse për tu afruar me PDK-në. Nuk ke nevojë as të derdhësh lot krokodili për ata që dikur i akuzoje për krime. Qytetarët tani të njohin mirë. Je po i njëjti, përsëri për interesa tua dhe të dostit tënd tradhëton besimin e qytetarëve”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Postimi i plotë i Pacollit në Facebook:

Z. Mustafa, nuk është turp të thuash të vërtetën. Turp është të shfrytëzosh të mirat e shtetit vetëm për veten dhe familjen e afërt.

Turp është kur nën qeverisjen tënde e të partisë tuaj keni lejuar e kontribuar në degradimin e sistemit shëndetësor. Pa rrugëdalje shumë prindër mbushnin sheshet me megaphonë e rrjetet sociale me lutje për të kërkuar ndihmë për shërimin e fëmijëve të tyre. Fëmijë të këtij vendi, jeta e të cilëve varej vetëm nga vullneti i zemrëmirëve. Shteti i rrënuar, për rrënimin e të cilit bartni edhe ju një pjesë të përgjegjësisë, nuk mund t’i ndihmonte.

Nëpër spitale njoftimet në hyrje se u mungonjë medikamentet bazë sikur përshëndetnin pacientët. Kjo ishte një mënyrë që mjekët tu kërkonin pacientëve të varfëruar deri në palcë se duhej ti blenin ato nëse e duan shërbimin. Ata nuk kishin vend tjetër përvec shtetit të tyre që i kishte braktisur. Por, Ju kishit mundësi të tjera. Mund të mjekoheshit edhe jashtë shtetit.

Nuk po di se kujt po i mungon edukata familjare dhe e traditës kombëtare, mua apo juve?

Mua që flas për mungesën e një sistemi publik shëndetësor që ofron përkujdesje cilësore për të gjithë apo juve që po arsyetoheni se nuk keni pasur nevojë të pyesni askënd për mjekimin tënd jashtë shtetit të cilin ju e keni udhëhequr për një kohë?

Mua që po kërkoj përgjegjësi tek ata, përfshirë edhe juve, që na mohuan të drejtën të kemi sistem publik të zhvilluar shëndetësor apo juve që kërkesën time për përgjegjësi po e quani logjikë fashiste?

Për ju qenka logjikë fashiste. Për mua është e detyrë e përgjegjësi e secilit që zë pozitat udhëheqëse të punoj për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Ai/ajo që vendos për shërbimet publike që i ofrohen qytetarëve nuk ka logjikë që vet t’i braktisë e të marrë shërbime tjera më të mira për veten dhe familjen e tij/saj.

Ai/ajo që keqpërdor paranë publike e investon vetëm në projekte ku mund të ndaj tallin e nuk i intereson fare për shërbimet publike e për përparimin dhe avancimin e shtetit nuk mund të udhëheq shtetin.

Me veprimet tuaja ju po shpërfaqni që keni mbetur po i njëjti. Ai që hedh gurin dhe fsheh dorën.

Nuk ke nevojë të përdorësh ura lidhëse për tu afruar me PDKën. Nuk ke nevojë as të derdhësh lot krokodili për ata që dikur i akuzoje për krime. Qytetarët tani të njohin mirë. Je po i njëjti, përsëri për interesa tua dhe të dostit tënd tradhëton besimin e qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat