Kurti për herë të parë tregon pse po tmerrohen politikanët e tjerë nga ai

Aktuale

Kurti për herë të parë tregon pse po tmerrohen politikanët e tjerë nga ai

Nga: A.Zh Më: 17 prill 2020 Në ora: 21:38
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës në detyrë Albin Kurti, ka thënë se partnerët e koalicionit (rendi i vjetër) po trishtohen nga ai, për shkak se mendojnë se ai i di të gjitha gjërat, ashtu siç mendon kryeministri shqiptar Edi Rama.

Ai në emisionin “Debat Plus”, ka deklaruar se ata besojnë që ai i din të gjitha për krimin dhe korrupsionin e tyre, përcjell Bota sot.

“Ka mundësi që jo pak prej tyre mendojnë sikur Edi Rama që unë i di të gjitha. Kurrë s’kam deklaruar që i di të gjitha. Të flasësh me kompetencë dhe të thuash se i di të gjitha, janë dy gjëra të ndryshme. Ata besojnë se unë i di të gjitha sa i përket krimit dhe korrupsionit të tyre dhe ky lloj tmerri, kjo lloj frike që mund ta kenë, vjen për shkak se ata besojnë që unë për krimin dhe korrupsionin e tyre di më shumë se ç’di”, ka thënë kryeministri në detyrë.

Por ai ka thënë se lufta kundër krimit dhe korrupsionit nuk varen nga ai, por nga institucionet e drejtësisë në vend.

“Në fakt kjo nuk varet prej meje. Kjo varet prej prokurorisë një ditë dhe gjyqësorit një ditë. Ne vetëm sa e patëm filluar procesin e Vettingut me një grup fillestar që do ta dizajnonte atë. Nuk kishim më shumë se sa fidanët e procesi që do të sillte drejtësi një ditë në vend, por jo së shpejti”, është shprehur më tej Kurti.

Ai ka përmendur edhe shkarkimin e Bordeve të ndërmarrjeve publike, duke thënë se aty kishte shumë keq menaxhim dhe shpërdorim të brendshëm.

Sipas tij, halli i tyre është që mund të përfundojnë në burg dhe qytetarët do t’i shohin ashtu siç nuk i kishin imagjinuar kurrë.

“Ajo çfarë pat treguar në atë drejtim është qëndrimi ynë ndaj këtyre Bordeve të ndërmarrjeve publike, të cilat kanë aq shumë keq menaxhim dhe shpërdorim të brendshëm dhe tash janë në hall që do të diskreditohen dhe do t’u duhet një ditë të shkojnë në burg dhe qytetarët t’i shohin siç nuk i kanë imagjinuar asnjëherë. Ta keni parasysh, shumë njerëz për gjëra të tjera pranojnë të shkojnë në burg, veçse për hajni është shumë e rëndë, sepse çjerrën figurat e ndërtuara për shumë vite e që kanë marr me mijëra vota të qytetarëve, ndodh një lloj çmontimi dhe demaskimi të madh. Aty mund ta shohim një lloj frike”, ka thënë Albin Kurti./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat