Dy këshilltarë të Kurtit shpërndajnë informacion se janë 15 të vdekur me COVID në Kosovë

Aktuale

Dy këshilltarë të Kurtit shpërndajnë informacion se janë 15 të vdekur me COVID në Kosovë

Më: 18 prill 2020 Në ora: 15:44
Albin Kurti dhe Elvis Hoxha

Dy këshilltarët e Kryeministrit të shkarkuar Kurti, Elvis Hoxha dhe Shkëlzen Gashi, kanë shpërndarë një foto ku thuhet se në Kosovë kanë vdekur 15 persona me COVID-19. Këtë informacion e kanë publikuar kur kanë shpërndarë një qëndrim të Avdullah Hotiti i cili dikur kërkonte shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe tash po kërkon zbutjen e masave për bizneset.

Kur një pjesë e BE’së po kërkon të zbuten masat e karantinës, edhe në Kosovë kanë filluar kërkesa të tilla. I fundit është Avdullah Hoti, ish-Zëvendëskryeministër i Parë në Qeverinë e shkarkuar Kurti.

Mirëpo, ky qëndrim i Hotit s’u ka pëlqyer këshilltarëve të Kryeministrit Kurti i cili u rrëzua në Parlament me votat e 2/3 të deputetëve.

Kështu, filozofi Elvis Hoxha dhe këshilltari tjetër Shkëlzen Gashi kanë shpërndarë informacionin se 15 qytetarë të Kosovës kanë vdekur nga COVID-19.

Nuk dihet se pse kanë shpërndarë një shifër të tillë.

Image
Image

Deri më tash nga COVID-19 në Kosovë kanë vdekur 12 persona, janë shëruar 84 dhe janë prekur 480 gjithsej.

Në gjithë botën me virusin korona janë mbi 2 milion njerëz, prej të cilëve 154 mijë kanë vdekur e 570 mijë të tjerë janë shëruar. Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit që është përhapur në shumicën e vendeve të botës.

E ka shpallur edhe “Gjendjen e emergjencës së shëndetit Publik”, ku shtetit i lejohet të përdor secilin resurs publik e privat për ta mposhtur virusin. Koronavirusi ka prekur shumicën e vendeve të Europës përfshirë edhe vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi.

Koronavirusi nisi në Wuhan të Kinës ku fillimisht virusi ishte përcjell nga shtazës e më vonë kaloi edhe te njeriu. Ende s’është gjetur vaksina me të cilën do të parandalohej shpërndarja e virusit. Për t’u mbrojtur nga ky virus kërkohet të mos kini kontakte me njerëz, të mos qëndroni në ambiente të mbyllura dhe t’i kushtoni kujdes higjienës, duke përfshirë larjen e shpeshtë të duarve.

Deri më tash, shumica e të prekurve me koronavirus janë shëruar. Kanë pasur probleme vetëm të moshuarit dhe ata që kanë pasur edhe më herët probleme shëndetësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat