​Policia e Kosovës, e gatshme për t’iu përgjigjur sfidave në kohë pandemie

Aktuale

​Policia e Kosovës, e gatshme për t’iu përgjigjur sfidave në kohë pandemie

Më: 19 prill 2020 Në ora: 17:22
Ilustrim

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj kanë kryer sot vizita në drejtoritë rajonale të policisë në jug e veri të Mitrovicës, Njësinë Speciale Operative në kampin “Belvedere” të Mitrovicës dhe në pikën kufitare Bërnjak në Zubin Potok.

Gjatë këtyre vizitave u konstatua përgjegjësia e profesionalizmi i policisë në përgjigje ndaj pandemisë COVID-19 në secilën pjesë të vendit është e pandashme.

Në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës të Mitrovicës-Veriu, komandanti i këtij rajoni, kapiteni Nenad Gjuriq, zëvendësdrejtori, major Besim Hoti dhe shefi i hetimeve, nënkolonel Nenad Simiq njoftuan u.d. ministrin për zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19, si dhe me vështirësitë me të cilat përballen.

U.d. i ministrit Xhelal Sveçla përgëzoi zyrtarët policorë për angazhimin e tyre dhe u zotua se do të vazhdojë mbështetjen e tyre, në mbrojtje të shëndetit dhe jetës së qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike apo fetare.

Më pas, u.d. ministri Sveçla, ka vizituar Drejtorinë Rajonale në Mitrovicë-Jug ku u prit nga drejtorja e rajonit, kolonel Afërdita Mikullovci, e cila ka bërë të ditur se kanë kapacitete të mjaftueshme për të menaxhuar situatën, ndërsa u.d. ministri siguroi zyrtarët policorë që përkrahja e nivelit qendror nuk do të mungojë.

U.d. ministri Sveçla vazhdoi vizitën e tij në Njësinë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, në kampin “Belvedere” në Mitrovicë, ku nga komandanti i togut të dytë, rreshteri Faruk Cetinaj, është njoftuar se janë në gjendje gatishmërie për t’iu përgjigjur kërkesave nga drejtoritë rajonale nëpër Kosovë.

Gjatë vizitës në Bërnjak, u.d. ministri Sveçla u prit nga kapiteni Millosh Dançetoviq me vartësit e tij nga policia kufitare. Gjithashtu, u.d. ministri takoi edhe ekipin mjekësor dhe atë të Doganave të Kosovës të stacionuar në atë pikë kufitare, ku është njoftuar me masat e ndërmarra me qëllim të parandalimit të përhapjes së Covid-19.

Ai inkurajoi stafin policor, por edhe të tjerët, që të jenë të vendosur në aplikimin e masave në ruajtje të shëndetit të tyre, familjes dhe të gjithë qytetarëve.

Në të gjitha këto takime u vlerësua mbarëvajtja e kënaqshme e punës, profesionalizmi i punonjësve të policisë, si dhe u çmua angazhimi i të gjithëve në mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve, veçanërisht nga Policia e Kosovës.

“Policia dhe qytetarët janë së bashku e në ndihmë të njëri-tjetrit, që të zbatohen udhëzimet e masat e qeverisë e të profesionistëve shëndetësorë, dhe ta fitojmë luftën kundër virusit me sa më pak dëme”, tha Sveçla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat