​PDK denoncon korrupsionin e Vetëvendosjes: Po përfiton nga tenderët në kohën e koronavirusit

Aktuale

​PDK denoncon korrupsionin e Vetëvendosjes: Po përfiton nga tenderët në kohën e koronavirusit

Më: 20 prill 2020 Në ora: 15:10
Foto ilustrim

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dënuar keqpërdorimet e mëdha financiare dhe abuzimet me pushtetin nga Lëvizja Vetëvendosje nën mbulimin e masave kundër koronavirusit.

Në një komunikatë për media thuhet se veprimet e fundit të ndërmarrë nga Lëvizja Vetëvendosje në kuadër të qeverisjes së Komunës së Prizrenit janë qartazi shkelje ligjore që kërkojnë angazhimin e menjëhershëm të prokurorisë së shtetit për t’i hetuar për korrupsion e keqpërdorim.

Ditëve të fundit është publikuar nga Komuna e Prizrenit e qeverisur nga Lëvizja Vetëvendosje, tenderi "Furnizim me material shpenzues sanitar për nevojat e shërbimeve shëndetësore për mbrojtje nga koronavirusi në komunën e Prizrenit" në shumën prej 102.040 euro”.

Në këtë kontratë, duket qartë që çmimet janë shumë herë më të larta se çmimet normale që ekzistojnë në tregun e lirë sot, si dhe krahasuar me çmimet e të njëjtave produkte të kontratave të lidhura deri më tani nga Ministria e Shëndetësisë dhe komunat tjera në Kosovë, thuhet në komunikatë.

Sipas PDK-së, ajo që e bën këtë kontratë edhe më të dyshimtë dhe shkeljen edhe më flagrante, është fakti që këtë tender e ka fituar kompania “EKA TRADEING" SH.P.K. e cila ka një fushë-veprimtarie që nuk lidhet me materialet që përfshihen në këtë tender dhe është themeluar vitin e kaluar.

Për më tepër, PDK e konsideron të ulët që kjo përpjekje korruptive është bërë duke abuzuar me një çështje të rëndësishme për qytetarët sikurse është shëndeti dhe bëhet pikërisht në periudhën emergjente të luftës kundër koronavirusit.

“Ky veprim korruptiv nuk është aspak një rast i veçuar, përkundrazi, është dëshmi e një tradite të mbushur me korrupsion, abuzim e keqpërdorim që Lëvizja Vetëvendosje ka ndërtuar në komunën e Prizrenit. Në kë to vite, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili i përket partisë Lëvizja Vetëvendosje, e ka zhytur komunën në nepotizëm, krim e korrupsion. Partia që drejton Prizrenin e ka inkriminuar komunën duke mbajtur numrin më të lartë të zyrtarëve me së paku pesë drejtorë që kanë pasur aktakuza për korrupsion”, përfundon komunikata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat