Kurti për krizën nga Covid-19: Kosova ka përdorë vetëm politikat fiskale e jo edhe monetare

Aktuale

Kurti për krizën nga Covid-19: Kosova ka përdorë vetëm politikat fiskale e jo edhe monetare

Më: 21 prill 2020 Në ora: 16:50
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova ka qenë e hendikepuar me mundësi përdorimi vetëm të politikave fiskale në përballjen me situatën e krijuar nga përhapja e koronavirusit, derisa vendet në gjithë botën kanë përdorur politika fiskale dhe monetare për t’u përballur me këtë krizë.

Në pjesëmarrjen e tij në forumin virtual të organizuar nga Oda Ekonomike amerikane në Kosovë, Kurti ka thënë se pandemia Covid-19 ka ndezur një krizë të pa precedentë me ndikim të dyfishtë shëndetësor dhe ekonomik, globalisht.

“Sipas tij, gjersa vendet në mbarë botën kanë përdorur politikat fiskale dhe monetare për t’u përballur me këtë krizë, Kosova ka qenë e hendikepuar me mundësi përdorimi vetëm të politikave fiskale, gjë që e ka vështirësuar përballjen me këtë situatë. Kryeministri në detyrë potencoi se Qeveria që ai drejton e ka bërë adresimin e krizës duke llogaritur e optimizuar çdo vendim, me qëllim të maksimizimit të aktivitetit ekonomik dhe minimizim të dëmit shëndetësorë. Ai u shpreh se në programin e tij qeverisës përfshihet fokusim i shtuar në zhvillim të ekonomisë, i cili synohet të arrihet duke e formalizuar ekonominë, duke luftuar korrupsionin dhe duke motivuar prodhimin”, thuhet në komunikatën për media nga Oda Ekonomike Amerikane.

Kurti ndër të tjera ka thënë se kjo situatë unike ka dëshmuar rëndësinë e prodhimit vendor, dhe ka treguar nevojën për zëvendësim të importit me produkte vendore.

E ministri i financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka thënë se qëllimi i pakos emergjente nuk ka qenë të mbulojë dënimin total ekonomik, sepse sipas tij kjo do të ishte e pamundur.

Bislimi ka thënë se për pakon e re të rimëkëmbjes ekonomike do të konsultohet edhe me ish-ministrat e financave.

“Sipas tij, pakoja është dizajnuar për të minimizuar sa më shumë dëmet, dhe për momentin ajo adreson vetëm çështjet emergjente, gjersa mbështetje tjetër për ekonominë parashikohet në pakon e rimëkëmbjes. Bislimi theksoi se targetimet brenda pakos emergjente kanë qenë pamundësimi i rritjes së varfërisë, punëmarrësi si urë mes amvisërisë dhe prodhimit, mbulimi i kostos agregate për bizneset si dhe kostoja shtesë për komunat. Bislimi tha se për pakon e re të rimëkëmbjes ekonomike do të konsultohet e edhe me ish-ministrat e Financave, dhe se është duke përcjellur me vëmendje praktikat dhe instrumentet që vendet e tjera po përdorin për relaksimin e kësaj gjendje në aspektin ekonomik, ashtu që të vlerësojë se cilët hapa mund të adaptohen në ekonominë tonë”, thuhet tutje në komunikatë.

Ndërsa Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, tha se duke e marrë parasysh strukturën e paqëndrueshme ekonomike të Kosovës, ai bashkë me kryetarin e Odës Ekon omike të Kosovës Berat Rukiqi dhe ndërmarrësin Visar Ramajli kanë prezantuar një opinion i cili parasheh se gjatë fazës së rikuperimit, Kosova ka mundësi të zhvillojë një model të ri ekonomik të orientuar në zhvillim.

Ai ka përmendur shembullin e Irlandës e cila pas krizës së vitit 2008 me koordinim të mirë politik dhe social, dhe strategji ekonomike të fokusuar në mbajtje të rritjes, arriti të ndryshojë pozitivisht kursin ekonomik të këtij vendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat