AGK: Raporti i “Reporterëve pa kufij” konfirmon paqëndrueshmërinë e mediave në Kosovë

Aktuale

AGK: Raporti i “Reporterëve pa kufij” konfirmon paqëndrueshmërinë e mediave në Kosovë

Më: 21 prill 2020 Në ora: 17:16
AGK

Pas publikimit të raportit nga “Reporterët pa kufij”, rreth gjendjes se lirisë së mediave, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës thotë se raporti e pasqyron gjendjen reale jo të kënaqshme të lirisë së mediave në Kosovë.

“Reporterët pa Kufij” e kanë radhitur Kosovën në vendin 75 në botë sa i përket lirisë së shtypit, gjë që qëndron më mirë krahasuar me disa vende të rajonit.

“Raporti evidenton paqëndrueshmërinë e vazhdueshme të mediave, ku pothuajse si gjithçka tjetër në vend, mbetet e ndarë në vija etnike. Ne raport theksohet se qasja në informacion shpesh është e kufizuar në një grup etnik ose politik, me shumicën e mediave që raportojnë kryesisht për çështje që kanë të bëjnë me kombësinë e tyre. Disa nga shqetësimet e përbashkëta, sipas raportit, janë sulmet fizike dhe verbale ndaj gazetarëve, sulmet kibernetike ndaj mediave online si dhe mungesa e transparencës sa i përket pronësisë së mediave”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

Asociacioni vlerëson se gjetjet e këtij raporti duhet të jenë alarm për institucionet e vendit në funksion të krijimit të një ambienti më të mirë dhe të sigurt të të bërit gazetari.

“Sipas indeksit të “Reporterët pa kufij”, shumë media në Kosovë nuk kanë qëndrueshmëri financiar, gjë që i bën ato të ndjeshme ndaj ndikimeve politike dhe kjo shpesh rezulton në vetë-censurim. Sa i përket mediave të komuniteteve pakicë, sipas raportit, shumica prej tyre janë në prag të shuarjes, duke mbijetuar kryesisht nga donacionet e huaja. Raporti përfundon me atë se deri më tani, fati i shumë gazetarëve në Kosovë mbetet i panjohur, përfshirë gazetarët që u zhdukën ose u rrëmbyen gjatë konfliktit të vitit 1999”, thuhet tutje në njoftimin e AGK-së.

Sa i përket rajonit, raporti sivjet ka nxjerrë Malin e Zi në vendin 105, Serb inë 93, Shqipërinë 84 dhe Bosnje dhe Hercegovinën 58.

Indeksi i Lirisë së Shtypit Botëror për vitin 2020, i cili vlerëson situatën për gazetarët në 180 vende, në nivel botëror paralajmëron se dekada e ardhshme do të jetë përcaktuese për të ardhmen e gazetarisë, për shkak të pandemisë Covid-19 e cila do të prodhojë shumë kriza që kërcënojnë të drejtën e raportimit të lirë, informacionin e pavarur, të larmishëm dhe të besueshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat