Visar Ymeri ka një propozim, thotë se VV-ja është fituesi i 6 tetorit

Aktuale

Visar Ymeri ka një propozim, thotë se VV-ja është fituesi i 6 tetorit

Nga: A.M. Më: 22 prill 2020 Në ora: 20:03
Visar Ymeri

Nënkryetari i Partisë Social Demokrate, Visar Ymeri, ka thënë se është fakt që Lëvizja Vetëvendosje është është partia e parë e dalur nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

Po ashtu, ai k shkruar në postimin e tij në Facebook, se zgjidhja më e mirë do të ishte një qeveri e koncenzusit të gjerë politik, e cila do ta kishte mandatin e shkurtuar në kohë e të qartë dhe përqendruar në kompetenca.

Postimi i plotë:

VETËVENDOSJE! është partia e parë e dalur nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Ky është fakt.

LDK e ka shprehur qartë qëndrimin e vet se nuk do të qëndrojë në qeveri me VETËVENDOSJE!-n. Edhe ky është fakt.

VETËVENDOSJE! (së paku publikisht) nuk ka shprehur interesim të krijojë një koalicion tjetër për të krijuar shumicë në Kuvend. Rrjedhimisht nuk mund ta votojë një qeveri të re nën udhëheqjen e saj.

Ndërkohë që i kemi 3 çështje shumë serioze e të rrezikshme me të cilat po ballafaqohemi si shtet: pandeminë, goditjen e rëndë ekonomike si rezultat i pandemisë, dialogu me Serbinë i cili duket të jetë prioritet i kohës.

Në këtë situatë, dhe duke i pasur parasysh këto rrethana, zgjidhja më e mirë do të ishte një qeveri e koncenzusit të gjerë politik, e cila do ta kishte mandatin e shkurtuar në kohë e të qartë dhe përqendruar në kompetenca. Kështu vërtetë partitë politike do të tregonin se e vendosin interesin e Kosovës para interesit partiak. Sepse përballja me këto 3 çështje domosdoshmërisht kërkon unitet kombëtar. Secila prej tyre e tejkalon zakonshmërinë e luftës politike, të tillë çfarë e bëjmë atë në Kosovë.

Përndryshe, përplasjet politike nuk janë të këqija në vete. Ato zakonisht prodhojnë një përnaltësim të atributeve demokratike shoqërore e institucionale dhe rritje të përgjegjësisë politike të akterëve në këtë fushë. Pra, shoqëritë mësojnë demokracinë, gjithëpërfshirjen e tolerancën politike (edhe) për shkak të përplasjeve. Por fatkeqësisht jo te ne.

Shiheni diskutimin aktual për atë se çfarë thotë Kushtetuta se si krijohet Qeveria në situata të tilla në të cilën jemi. Dhe a ma thoni dallimin mes këtij diskutimi dhe atij në vitin 2014? Përveç që VETËVENDOSJE! aktuale është diskursivisht PDK e vitit 2014, e opozita aktuale bashkë me Presidentin, prapë diskursivisht, është VLAN-i i vitit 2014, asgjë tjetër nuk ka ndryshuar. Përkundër që në mes ka një aktvendim të Gjykatës Kushtetuese që merret saktësisht me këtë çështje. Sot sillemi sikur ai të mos kishte ndodhur. Sikur ajo përplasje e atëhershme politike të mos kishte ndodhur. Pra sikur koha nuk ecën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat