Sqaron Haki Abazi, kjo është e vërteta e deklaratave të Shkëlzen Gashit – zbulon detaje se çfarë ndodhi gjatë kohës së intervistës

Aktuale

Sqaron Haki Abazi, kjo është e vërteta e deklaratave të Shkëlzen Gashit – zbulon detaje se çfarë ndodhi gjatë kohës së intervistës

Nga: N. H Më: 25 prill 2020 Në ora: 15:25
Haki Abazi

Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Aazi, ka bërë një shkrim të gjatë në profilin e tij në Facebook, ku ka sqaruar gjithçka lidhur me deklaratat e Shkëlzen Gashit.

Sipas Abazit, në intervistën e shumëpërfolur nga Shkëlzen Gashi nuk është paraqitur mendimi zyrtar i qeverisë dhe kjo duhet ta përjashtonte lidhjen me politikën zyrtare.

Me tej thotë se kur Shkëlzen Gashi u intervistua në anën tjetër ata që akuzonin e nënshkruan një marrëveshje për të bërë zëvendëskryeministër dhe dy ministra të listës Srpska, që sipas Abazit është 100% e kontrolluar dhe në fakt vepron me direktivat e Vuçiqit dhe kundër qëllimet të UÇK-së, kundër ekzistencës së shtetit dhe pavarësisë.

Ja shkrimi i tij:

KONTRIBUTI I UÇK-së, NUK ZHBËHET, NUK NJOLLOSET E AS NUK DEFORMOHET

Në intervistën e shumëpërfolur nga Shkëlzen Gashi nuk është paraqitur mendimi zyrtar i qeverisë dhe kjo duhet ta përjashtonte lidhjen me politikën zyrtare. Teksa janë bërë 20-vjet duke u mbushur kupa e pavlerës dhe e pavërtetës, fajtorët presin në çdo moment që ta derdhin kupën mbi ndonjë të pafajshëm. Kështu ka ndodhur edhe me fjalën e Gashit dhe linçimit të tij publik. Ndonëse mediat trumbetojnë nga mëngjesi në darkë për lirinë e mendimit dhe shprehjes, disa prej tyre me qëllime direkt partiake, po e trajtojnë intervistën e tij sipas asaj çka ata duan, e jo sipas asaj çka tha Gashi, duke e pasuar atë diku tjetër dhe sigurisht duke e vënë në lojë të hequr nga konteksti, të fragmentarizuar dhe servuar për spektakël dhe goditje.

Moszbatimi i ligjit dhe kapja e drejtësisë - Debati për krimin dhe veprat kriminale do të përfundonte në momentin kur drejtësia jonë do të vepronte. UÇK-në nuk mundet askush ta njollosë dhe vepra e saj do të jetojë, derisa të ketë komb shqiptar. As ata që e kanë përdorur emblemën dhe ngjyrat e saj dikur për t’u fshehur e bërë punë të këqija, si dhe asnjë debat i sotëm e asnjë makineri e organizuar e Serbisë - nuk do të arrijnë kurrë të vendosin në pikëpyetje vlerën e UÇK-së, sakrificën e ushtarëve e të popullit që e ka përkrahur UÇK-në dhe mbi të gjitha atë që UÇK-ja paraqet në përfundimin e aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe bashkim kombëtar.

Lidhja me të vërtetën – Ne si popull dhe si shoqëri kemi afinitet me të vërtetën si të tillë, shpesh edhe më shumë e më drejtpërdrejtë sesa që i bëmë hajër vetës dhe shoqërisë tonë. Megjithatë, jo rrallëherë ia kemi vendosur këmbën në fyt njeriut tone, kur ka thënë një gjë apo kur ka qenë i shtrirë përtokë. Këtë zakonisht e bëjnë njerëzit që kanë interes për të dëmtuar dikë dhe sigurisht që reagimi bëhet kompleks dhe i pamëshirshëm në masat e gjera. Edhe nga kjo mund të marrim mësim të gjithë, por në prioritet duhet vënë keqbërja në vepra. Vrasjet e pasluftës të intelektualëve shqiptarë kanë ndodhur, zaptimet kanë ndodhur, ka ndodhur edhe krimi e korrupsioni, ka ndodhur edhe TOKA, përvetësimet e pasurive, kërcënime e shantazhe, kapje efektive e insitucioneve që kanë çuar në këtë stagnim, varfëri dhe prapakthim të shoqërisë tonë, sidomos në lëmin e arsimit dhe ngritjes profesionale e intelektuale. Fatkeqesia më e madhe është që në këtë kaos vlerash, trajektorja e individëve që helmojnë gjuhën dhe diskursin publik si hijena pas njerëzve, edhe mund të jetë ajo e njeriut që ka zgjedhur ashtu që të jetë protagonisti i helmimit të gjuhës dhe diskursit. Ama, po ata janë produkti i atyre që pikërisht kanë dalë dhe kanë përdorur vlerat e luftës dhe janë pasuruar e kanë kapur çdo cep të shoqërisë sonë dhe nuk e lënë që debati të ushqejë vlerat, ndërsa gjyqësori të zbatojë drejtësinë.

Problematizimi - Kur Shkëlzen Gashi u intervistua dhe tha atë që bëri bujën, po dje, ata që akuzonin e nënshkruan një marrëveshje për të bërë zëvendëskryeministër dhe dy ministra të listës Srpska, që është 100% e kontrolluar dhe në fakt vepron me direktivat e Vucicit dhe kubdër qëllimet të UÇK, kundër ekzistencës së shtetit dhe pacarësisë. Tani, le ta bëjmë inkuizicionin e Shkëlzen Gashit që tha një gjë, dhe të mos e çajmë kokën fare për faktin që ata që po shembin demokracinë dhe kushtetutshmërinë, që po shkelin mbi vlerat dhe ato që UÇK-ja dhe të gjithë të vrarët kanë luftuar për t’i mbrojtur dhe arritur. Ky është po i njëjti skenar dhe disa nga ata që sulmojnë Gashin, janë ata që heshtnin kur Thaci u përkul para pllakës së serbëve të vrarë në Grackë ku shkruhet se “janë të vrarë nga terroristët shqiptarë”. Mund të merremi gjithë ditën me faktin sesi duhet të artikulohej Gashi, ama do të jemi duke stisur një problem të panevojshëm, mbi të gjitha kur ai ka me dhjetra shkrime e hulumtime ku mbron dhe lartëson vlerat dhe sakrificën e UÇK-së. Megithatë ajo është një fjali që përveç se po keqpërdoret dhe është prerë nga kontektsi, gjithsesi nuk ngre peshë në aspektin formal e historik, përderisa prezenca e Presidentit para pllakës në Grackë është njohje e asaj para së cilës është përkuluar e që po ashtu ne takimin e këshillit të sigurimit në OKB, ka thënë që nuk përjashton që individ të caktuar kanë mund të përdorin kohën dhe të kenë kryer krime.

Prapaskena - Ndoshta edhe nuk është e rëndësishme nësë e hamë të gjallë Shkelzen Gashin, apo edhe cilindo individ tjetër për hir të ngritjes së kurthit dhe heqjes së vëmendjes nga aktualiteti dhe problemet e përditshme, por ajo që duhet shtruar sot është se nëse veprojmë kështu sa herë që mund të hapet një çështje kaq kontraverse - apo kur një deklarate bëhet shume më e rëndësishme sesa veprimet e 20-viteve të shoqëruara me krime kundër interesit të shtetit, kombit dhe publikut - atëherë do të jetë e vështirë që e verteta të dalë në dritë, që mendimi të tejkalojë reagimin që ndillet nga ata që në fakt janë duke u ndjerë të rrezikuar nga bashkimi i qytetarëve me LVV, për të çrrënjosur fenomenin e territ e të kapjes së shoqërisë dhe shtetit.

Në fakt ky do të ishte revolucion, sikur në vend të istikameve të disa mediave dhe individëve që janë instrumenti i parasë së kriminalizuar e korruptuar - duke e përdorur ekosistemin e gjetur pa ligj, që të bëjnë biznesin e trye të suksesshsëm - të ngrihej shoqëria e diskutimi mbi këtë baltë dhe të fokusohej në funskionimin e mekanizamve dhe institucioneve. Mos harroni që një ditë më parë kundër Shkëlzen Gashit deshën të ngrenë akt-akuzë për thirrje për rezistencë, ndërsa u tërhoq në momentin e fundit.

Gjurmët e ujkut - Në anën tjetër, kemi njerëz që me muaj të tërë nuk i përgjigjen prokurorisë e policisë për vepra të kryera e të dëshmuara, kemi thirrjet e Presidentit të vendit për mosrespektim dhe refuzim të vendimeve të qeverisë. Thirrje kjo e bazuar në asnjë kompetecë dhe që rrezikon sigurinë kombëtare dhe ai ende as nuk është ftuar për bisedë nga prokuroria.

Më kujtohet gjithashtu debati në parlamentin e Kosovës vite më pare, kur është thënë që të mbijetuarat dhe të dhunuarat gjatë luftës nuk janë viktima, sepse ato nuk janë të vdekura dhe atyre nuk ju takon përkrahja nga buxheti i shtetit. Atëbotë nuk kishte reagim, sepse hapësira ishte edhe më e ngushtë.

Reagimi si detyrë e përhershme e qytetarisë - Reagimi për ta mbrojtur UÇK-në dhe vlerave të saj është ajo çka duhet bërë për çdo ditë dhe në cdo rast. Ajo që ka bërë familja Jashari me të gjithë ata që kanë rënë për lirinë, pavarësinë dhe bashkimin kombëtar, duhet nderuar dhe mbrojtur për çdo ditë nga të gjithë që duan ta dëmtojnë, apo që kanë qëllime të fshehura. Por më së shumti dhe më e domosdoshmja është që UÇK-ja të mbrohet nga mosdija dhe qëllimet e nëndheshme që nga emri dhe në emrin e UÇK-së të vidhet edhe nga lapidaret, gurët e varreve të heronjve e dëshmorëve, ndërsa familjet e tyre dhe ata që kanë mbetur gjallë me vështirësi arritjnë të sigurojnë jetën e dinjitetshme të përditshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat