Krasniqi për Qeverinë Kurti: Mëkat që s’patëm rastin t’i shohim duke bashkëqeverisur më gjatë

Aktuale

Krasniqi për Qeverinë Kurti: Mëkat që s’patëm rastin t’i shohim duke bashkëqeverisur më gjatë

Më: 27 prill 2020 Në ora: 19:06
Albert Krasniqi

Analisti Albert Krasniqi po e vlerëson si rast të humbur mosvazhdimin e jetëgjatësisë së Qeverisë Kurti.

Ai tha se ishte pritë një kohë të gjatë një qeverisje e tillë.

“Shumë keq që s’patëm rastin me e pa një qeveri të koalicionit VV-LDK, për shkak se është pritë një kohë të gjatë të ketë një forcë të re politike në udhëheqje të qeverisë”.

“Ka qenë një momentum i mire për një koalicion në mes të këtyre dy partive politike, kështu që është mëkat që nuk patëm rastin t’i shohim duke bashkëqeverisur për një kohë më të gjatë”.

Krasniqi komentoi edhe zgjedhjet e ardhshme.

“Në zgjedhjet e ardhshme gara do te ishte më e barabartë nëse Vetëvendosje do të kishte pasur rastin të qeverisë, kjo për shkak që i kemi parë të gjitha partitë tjera në qeverisje”.

Përderisa LDK, AAK dhe Nisma janë në bisedime për arritjen e një koalicioni qeverisës, e rëndësisë së madhe është edhe AKR-ja e Behgjet Pacollit. Ky i fundit gjendet jashtë vendit dhe potencialisht do të futet në karantine kur të kthehet në Kosovë.

Por, Krasniqi thotë se deputetët mund edhe të mos iu nënshtrohen këtyre rregullave – gjë që do t’ia mundësonte Pacollit prezencën në Kuvend në rast se mbahet seanca për votimin e qeverisë së shpejti.

“Nuk mund të votohet online. Rregullorja e Punës se Kuvendit të Kosovës nuk e lejon këtë”.

“Nëse ndodhe kjo, është tentim për me e shty afatin e fundit. Tani mundet Avdullah Hoti deri më 2 maj të mos e dërgojë emrin tek presidenti dhe pastaj t’i shfrytëzojë maksimumin e atyre 15 ditëve që deri më 17 maj të mos ketë votim të qeverise – kur edhe do të kishte kaluar ky afati i karantinimit për Pacollin. Ndërkohë do të kishim edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese pastaj, lidhur me kushtetueshmërinë e veprimit të presidentit për të dekretuar dikë të dytë”.

“Mirëpo mendoj që deputetët nuk do të duhej t’i nënshtroheshin këtyre rregullave”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat