Presidenti Thaçi ia dërgon letrën e radhës Isa Mustafës, kërkon emrin e mandatarit

Aktuale

Presidenti Thaçi ia dërgon letrën e radhës Isa Mustafës, kërkon emrin e mandatarit

Më: 29 prill 2020 Në ora: 12:17
Hashim Thaçi

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i ka kërkuar edhe një herë liderit të LDK-së, Isa Mustafa, që të propozojnë mandatarin potencial për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili duhet të sigurojë se do ta ketë numrin e duhur të votave në Kuvendin e Kosovës dhe të zotohet se do të krijojë Qeveri stabile dhe gjithëpërfshirëse në përputhje me Kriteret Mbizotëruese.

Sipas kësaj letre të presidentit Thaçi, thuhet se pas konsultimit publik me të gjithë liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend (22 prill 2020), liderët e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend, përveç përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje, u deklaruan njëzëri që janë për një Qeveri të re dhe që vendi të mos shkojë në zgjedhje.

“Në këtë takim, po ashtu, para të pranishmëve i kam prezantuar edhe kriteret mbizotëruese për formimin e Qeverisë së re, me qëllim që të shmangen zgjedhjet, duke gjetur rrugë procedurale për krijimin e Qeverisë”, thuhet aty.

“Në përputhje me mandatin tim kushtetues dhe në respektim të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të parakohshme, ruajtjes së stabilitetit të vendit dhe në përputhje me urgjencën për t’i dhënë vendit Qeveri të re me legjitimitet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në përputhje me Kriteret Mbizotëruese për formimin e Qeverisë së re, luteni edhe një herë, që pa humbur kohë, të propozoni mandatarin potencial për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili duhet të sigurojë se do ta ketë numrin e duhur të votave në Kuvendin e Kosovës dhe të zotohet se do të krijojë Qeveri stabile dhe gjithëpërfshirëse”, thuhet më tej në letrën e presidentit Thaçi dërguar Kryetarit të LDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat