Abelard Tahiri: Qeveria e re do të jete qeveri e përfitimeve, jo e parimeve

Aktuale

Abelard Tahiri: Qeveria e re do të jete qeveri e përfitimeve, jo e parimeve

Më: 30 prill 2020 Në ora: 18:10
Abelard Tahiri

Deputeti nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri ka reaguar pasi presidenti Hashim Thaçi e ka dekretuar Avdullah Hotin e LDK-së si kandidat për kryeministër.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka reaguar pas dekretimit të Avdullah Hotit si kandidat për kryeministër nga ana e presidentit Hashim Thaçi.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Tahiri ka thënë se qeveria e re do të jetë qeveri e përfitimeve dhe jo e parimeve.

Postimi i plotë i Tahirit, pa ndërhyrje:

Presidenti paska dekretuar Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër i qeverisë së re. Kështu, ish zëvendëskryeministri që para tre muajsh e lavdëronte shefin e tij Albin Kurtin si kryeministër i shpresës, tani po ia zë vendin, për shkak se Albini paska qenë kryeministër i shthurjes. Pra nga një koalicion i shpresave të rreme, po kalojmë tek një koalicion i interesave të bëme. Do ta kemi një qeveri të re që është kombinuar nga rrethanat e përfitimet, por s’ka të bëjë asgjë me parimet.

Një qeveri të plogësht përballë sfidave emergjente si pandemia, e të çakorduar përballë sfidave si zhvillimi e ekonomia. Por në tërë këto zhvillime politike, ku koalicionet ranë e u ngritën shpejt, qytetarët megjithatë nuk morën përgjigje se ku mbeti shpresa e LDK-së dhe Vetëvendosjes, dhe si u bënë “kapësit e djeshëm të shtetit”, partnerë të LDK-së në qeverinë e re.

Kjo tregon qartë se Vetëvendosja dhe LDK-ja, janë e njëjta mendësi shantazhuese, që synojnë të përfundojnë në qeverisje përfituese. Natyrisht se përballë këtij devalvimi të integritetit politik, detyrat tona si opozitë bëhen më të mëdha. Kosova meriton shumë më mirë se kaq, e një ditë, shumë afër, do ta ketë atë që e meriton.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat