Kushtrim Palushi: Dekreti i presidentit ka probleme me bazën juridike dhe arsyeshmërinë

Aktuale

Kushtrim Palushi: Dekreti i presidentit ka probleme me bazën juridike dhe arsyeshmërinë

Më: 1 maj 2020 Në ora: 07:37
Kushtrim Palushi

Juristi Kushtrim Palushi ka vlerësuar se ka probleme me bazën juridike dhe me arsyeshmërinë në dekretin e Presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e qeverisë, Avdullah Hoti.

Në një intervistë në Edicionin Special ai tha se Gjykata Kushtetuese ka gjasë që ta shpallë antikushtetues këtë dekret për disa arsye.

“Ky dekret ka probleme sa i përket bazës juridike që përdorë. Presidenti i referohet në tërësi nenit 95 – rikujtojmë që neni 95 ka pesë paragrafë që iu referohen situatave të ndryshme”.

“Presidenti në dekretin e tij nuk iu ka referuar asnjërit prej këtyre paragrafëve që do të thotë se ka gjasë që Gjykata Kushtetuese të konstatojë se dekreti është kundërkushtetues pikërisht për këtë aspekt teknik”.

“Dekreti i presidentit gjithashtu është problematik në aspektin që nuk e arsyeton se pse i ka dhënë kandidatit të dytë, në këtë rast Avdullah Hotit, mandatin për formimin e qeverisë. Nuk e arsyeton pse Vetëvendosje nuk është mandatuar, qoftë duke u thirrur në refuzimin e VV-së ose mos përgjigjen e saj. Kështu që edhe në këtë aspekt besoj që dekreti i presidentit do të konsiderohet që është kundërkushtetues”.

Palushi gjithashtu pohoi se e rëndësisë së veçantë është edhe vendosja e masës së përkohshme.

Sipas tij, bazuar në praktikat e mëparshme kur një gjë e tillë kishte ndodhur në një afat pesëditor, kjo mund të pritet edhe kësaj radhe.

“Ka bazë të mjaftueshme që Gjykata Kushtetuese të vendosë masën e përkohshme, do të thotë t’i ndalojë kuvendit të marrë ndonjë vendim apo të pezullojë çfarëdo vendimi që kuvendi mund të ndërmarrë ndërkohë”.

“Pavarësisht manovrimeve juridike që presidenti apo palët e përfshira në këtë rast kanë mundur të bëjnë edhe po që se supozojmë që qeveria do te votohej ditën e shtunë dhe Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë kërkesën për masë të përkohshme gjatë javës së ardhshme, prap se prapë Gjykata Kushtetuese mund të vendosë ta pezullojë vendimin e kuvendit që të mos ketë qeveri deri sa Gjykata Kushtetuese të vendosë meritorisht për kërkesën”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat