​LDK fton partitë politike të respektojnë masën e përkohshme të Kushtetueses

Aktuale

​LDK fton partitë politike të respektojnë masën e përkohshme të Kushtetueses

Më: 2 maj 2020 Në ora: 15:48
Arban Abrashi

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, vendimi për vendosjen e masës së përkohshme ndaj dekretit të Presidentit të Republikës për dhënien e mandatit kandidatit të LDK-së, Avdullah Hoti, për të formuar qeverinë e re në seancën e Kuvendit të Kosovës, e thirrur për datën 2 maj 2020, si vendim duhet të respektohet nga të gjitha subjektet politike.

Kështu ka thënë në një konferencë për medie, sekretari organizativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi.

Abrashi: Respektojmë vendimet e kësaj mase

“Ne e kemi marrë dekretin në bazë të rregullave kushtetuese dhe ligjore, është e drejtë e të tjerëve të ankohen dhe të kërkojnë masë dhe masa e përkohshme pak a shumë është një procedurë e zakonshme në raste të tilla, ne e kemi përshëndetur këtë masë dhe respektojmë vendimin e kësaj mase dhe ftojmë të gjitha subjektet tjera të bëjnë të njëjtën”, thotë Abrashi.

Abrashi ka theksuar se këto ditë do t’i shfrytëzojnë për të hartuar programin qeverisës, derisa theksoi se ky koalicion ka shumë punë për faktin se qeveria Kurti, nuk ka bërë asgjë konkrete.

Abrashi: Qeveria Kurti nuk ka bërë asgjë konkrete

“Këto ditë ne do t’i shfrytëzojmë për punë të tjera, pikë së pari për hartimin e një programi, nëse nuk kemi pasur shumë kohë kemi folur shumë për orientime programore për partnerët e koalicionit të ri, tani do të ulemi të detaizojmë, të shfrytëzojmë këtë kohë derisa Gjykata Kushtetuese të punon në masë, të hartojmë programin tonë të detajuar sepse do të përballemi me një krizë të madhe ekonomike. Qeveria Kurti ka pas shumë fjalë por nuk ka bërë asgjë konkrete”, tha Abrashi.

Ai shpreson se Gjykata Kushtetuese nuk do të vonohen shumë për shkak se siç theksoi ai, Kosova ka nevojë urgjente për formim të Qeverisë.

Sa i përket shkresës së kryeministrit drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ai thotë se ka tone kërcënuese.

Kurse për dërgimin e letrës në Venecia theksoi se, është vlerë e shtuar.

Abrashi: Shkresa ka tone kërcënuese

“Shkresa ka tone kërcënuese, domethënë secili prej nesh që e lexon atë shkresë aty vërehet qartë një tendencë kërcënuese e kryeministrit ndaj gjykatës kushtetuese dhe besoj që secili prej nesh duhet të reagojë. Dërgimi i letrës në komisionin e Venecias është vetëm një vlerë e shtuar, ne jemi të bindur se në demokracitë parlamentare kështu funksionojnë kuvendet, ai që formon shumicën parlamentare ai formon edhe institucionet dhe besoj që kjo ka me u konfirmuar edhe ndaj Kurtit nëse ai merr letër nga komisioni i Venecias”, ka deklaruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat