MSh paralajmëron masa ligjore ndaj deputetes Time Kadrijaj, pasi publikoi një vendim të ministrit Vitia

Aktuale

MSh paralajmëron masa ligjore ndaj deputetes Time Kadrijaj, pasi publikoi një vendim të ministrit Vitia

Më: 2 maj 2020 Në ora: 17:59
Arben Vitia

Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar masa ligjore ndaj deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, pasi kjo publikoi një vendim të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për lirim të disa personave nga masa e izolimit.

Kadrijaj tha se ata ishin aktivistë të VV-së, ndërsa në vendimin e publikuar shiheshin emrat e personave që lirohen si raste psikiatrike pas vlerësimit të mjekëve.

Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate thotë se të gjitha vendimet e posaçme të nënshkruara nga ana e ministrit Arben Vitia janë rekomanduar nga profesionistët shëndetësorë, të fushave të ndryshme, të cilët e kanë përgatitur pasqyrën shëndetësore për secilin person që ka hyrë në territorin e Republikës së Kosovës pas hyrjes në fuqi të masave për mbrojtjen e shëndetit publik dhe rekomandimeve te Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

“Këto ekipe profesionistësh janë ekspertë të fushave dhe të pavarur në punën e tyre. Është e pandershme dhe sulm i ulët ndaj profesionistëve shëndetësor, që në këtë kohë pandemie janë në krye të detyrës dhe mbajnë mbi supe përgjegjësi të mëdha për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve tanë. Mbi të gjitha, publikimi i këtyre të dhënave paraqet cenim të rëndë të privatësisë, si dhe është i ndëshkueshëm edhe më ligjet në fuqi. Është një veprim skandaloz dhe mbi të gjitha jo njerëzor”, thuhet në njoftim.

Ministria e Shëndetësisë thekson se bashkë me personelin shëndetësor mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e shëndetit publik, njëkohësisht edhe në mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve tanë nga stigmatizimi, siç përcaktohet edhe me ligjet në fuqi.

“Ministria e Shëndetësisë, si institucion, do të ndërmerr çdo veprim në pajtim me ligjin ndaj personave që kanë cenuar rëndë privatësinë e qytetarëve të cilët janë kontrolluar nga profesionistët shëndetësor.

Privatësia e gjendjes shëndetësore është e drejtë e garantuar me ligj për secilin qytetarë në Republikën e Kosovës. Ndaj ju bëjmë thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin veprime me dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në fund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat