​Osmani kërkon interpretim ligjor për mandatin e deputetit Etem Arifi

Aktuale

​Osmani kërkon interpretim ligjor për mandatin e deputetit Etem Arifi

Më: 5 maj 2020 Në ora: 19:03
Vjosa Osmani

Pas raportimit në media se deputeti Etem Arifi është dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës me 1 vit e 3 muaj burg për mashtrim me subvencione, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani menjëherë e ka adresuar këtë çështje në instancat përkatëse meqë deri në ato momente Kuvendit nuk i ishte dërguar asnjë njoftim zyrtar lidhur me këtë rast.

Në një komunikatë për media thuhet se Osmani i ka dërguar letër Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Gjykatës së Apelit, nga të cilat ka kërkuar që t`i përcillen në Kuvend aktgjykimet nga të gjitha instancat gjyqësore për rastin e deputetit Arifi.

Kuvendi i Kosovës, më 1 maj e ka pranuar kopjen elektronike ndërkaq me 4 maj kopjen fizike të dokumentacionit të kërkuar nga institucionet përgjegjëse.

Po të njëjtën ditë, kryetarja Osmani ka kërkuar nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, i cili sipas fushëveprimtarisë së tij të ofrojë një opinion ligjor në lidhje me mandatin e deputetit Arifi.

Një opinion ligjor, kryeparlamentarja Osmani e ka kërkuar edhe nga Zyra Ligjore e Kuvendit dhe pas përgjigjes nga Komisioni për mandate dhe Zyra Ligjore, ajo çështjen e deputetit do ta trajtojë në procedurë të rregullt në Kryesinë e Kuvendit.

“Siç mund të jeni vënë në dijeni, me 20 prill 2018, Etem Arifi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me dy vjet burgim me kusht, pasi ai ishte shpallur fajtor për veprën penale të mashtrimit me subvencione. Dënimi i Arifi, ishte konfirmuar edhe me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të datës 20 gusht 2019, me të cilin dënimi me burgim ishte ulur në një vit e tre muaj. Kurse, më 30 janar 2020, Kolegji i Gjykatës Supreme ka vendosur që ta refuzojë si të pabazuar, kërkesën për mbrojtje te ligjshmërisë, të paraqitur nga mbrojtja e Arifit, e ushtruar kundër aktgjykimeve të Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe asaj të Apelit”, thuhet në letrën e kryeparlamentares.

Në letrën e saj, Osmani ka theksuar se më 30 prill 2020, përfaqësuesi i autorizuar i Etem Arifit ka dorëzuar në Kuvend një memorandum sqarues përmes së cilit paraqet qëndrimin e Arifit lidhur me rastin në fjalë dhe implikimet potenciale rreth mandatit të tij si deputet.

Kryetarja e Kuvendit, më tej, ka përmendur nenin 70, paragrafi 3, pika (6) të Kushtetutës, sipas të cilit mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim. Njëjtë rregullohet edhe në Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, specifikisht në nenin 8, pika 1.6 të këtij ligji, si dhe në nenin 25, pikën (d) të Rregullores së Kuvendit.

“Duke pasur parasysh këto shkresa, luteni që të jepni interpretimin tuaj lidhur me mandatin e deputetit Arifi”, përfundon letra e kryeparlamentares Osmani.

Deputeti nga radhët e Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifi, është shpallur fajtor para dy vjetësh për veprën penale të mashtrimit me subvencione.

Sipas aktakuzës, Arifi ka shfrytëzuar pozitën e tij të deputetit për të ndikuar për dhënien e subvencioneve për OJQ-në “Zëri i Ashkalinjëve për Integrim”, duke siguruar në këtë mënyre shumën prej 25.646 euro. Këto para, sipas prokurorisë, nuk janë përdorur për qëllime për të cilat janë dhënë, por janë përvetësuar nga Arifi dhe i akuzuari tjetër i këtij rasti, Bajram Gashi për persona të tjerë.

Sipas Lëvizje Vetëvendosje, Arifi ka humbur pozitën e deputetit të Kuvendit të Kosovës, duke iu referuar nenit 70 të Kushtetutës së Kosovës dhe se ai nuk ka të drejtë vote.

Vota e Arifit është llogaritur nga LDK-ja për formimin e qeverisë së re me AAK-në, Nisma dhe komunitetet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat