​Komisioni për të Drejtat e Njeriut kërkon përgjegjësi për rastin e 26 vjeçarit

Aktuale

​Komisioni për të Drejtat e Njeriut kërkon përgjegjësi për rastin e 26 vjeçarit

Më: 6 maj 2020 Në ora: 15:24
Teuta Haxhiu

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka diskutuar lidhur me rastin e vetëvrasjes së 26 vjeçarit në Qendrën e Studentëve, e cila është shndërruar në karantinë. Anëtarët e këtij komisioni kanë kërkuar përgjegjësi nga institucionet përkatëse lidhur me këtë rast.

Anëtarja nga PDK Valdete Idrizi, tha se si komision po kërkojnë llogari lidhur me këtë rast. Sipas saj, dorëheqja është akt moral dhe se përgjegjësia nuk mund t’i ik asnjëri.

Idrizi: Dorëheqja është akt moral, përgjegjësisë nuk mund t'i ik asnjëri

"Secili prej neve anëtarëve të këtij komisioni përveç që i shprehnim shqetësimet tona dhe atë neglizhencën që e ka pasur institucioni përgjegjëse Ministria e Shëndetësisë. Po kërkojmë do të thotë llogari, sepse dorëheqja është akt moral, le të jetë në ndërgjegjen e personave. Por, në anën tjetër përgjegjësisë nuk mund t'i ik asnjëri", tha ajo.

Idrizi tha se i gjithë komisioni e ka mbështetur inicimin e PDK-së për krijimin e një komisioni hetimor për rastin e 26 vjeçarit, që ka vdekur duke u hedhur nga kati i 4 në Qendrën e Studentëve.

Idrizi: U deklaruan që do të bashkëpunojnë me çfarëdo nisme që merret për të hetuar

"Asnjë anëtarë i këtij komisioni nuk e ka kontestuar edhe faktikisht u deklaruan që do të bashkëpunojnë me çfarëdo nisme që merret për të hetuar, të gjithë pa dallim. Përveç koleges nga veriu që mungonte të gjithë ishim prezentë dhe gjithë njëzëri e kemi shprehur edhe shqetësimin edhe interesimin edhe vullnetin dhe kontributin që mundet me dhanë si komision për të ndihmuar në hetimin sa më të shpejt të këtij rasti", tha ajo.

Ajo tha se është shqetësuese trajtimi jo i barabartë i njerëzve për t'u futur në karantinë ose jo.

Dorëheqje të kryeministrit në detyrë, ministrit të Shëndetësisë dhe atij të Punëve të Brendshme ka kërkuar anëtarja e këtij komisioni nga AAK, Teuta Haxhiu. Ajo tha se më e pakta që është mundur të bëhet është dorëheqja e të lartpërmendurve.

Haxhiu: Kërkojmë përgjegjësi të institucioneve

“Kërkojmë përgjegjësi të institucioneve, veprim të drejtësisë, pra të institucioneve përgjegjëse, por llogaridhënia dhe ata që janë përgjegjës, se në fund të fundit Agoni ka humbur në duart e shtetit të Republikës së Kosovës. Për neve është shqetësim dhe çka mund të themi ajo çka më së pakti ndoshta ish deshtë të ndodh, që fatkeqësisht nuk ka ndodhur ka qenë dorëheqja aty për aty ish deshtë të ndodh në parim po të kishte moral politik, por në fakt nuk po ka e ministrit të Shëndetësisë, po pse jo edhe ministrit të Punëve të Brendshme, ndoshta pse jo edhe e kryeministrit në detyrë. Por, mbi të gjitha edhe një herë i ftojmë organet e drejtësisë që të merren me urgjencë me këtë rast”, tha ajo.

Ndërkaq, anëtarja e komisionit nga radhët e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, tha se kanë kërkuar njëzëri që të kryhen hetimet rreth rastit.

E pyetur se cili është qëndrimi i saj sa i përket kërkesës që të dorëhiqen ministri i Shëndetësisë dhe ai i Punëve të Brendshme, Bogujevci tha se duhet të ketë hetim për këtë rast dhe të ketë përgjigje se çfarë ka ndodhur në këtë proces.

Bogujevci: Duhet ta respektojmë punën e Prokurorisë

“Unë mendoj që duhet të përqendrohemi tek pjesa që mos të krijojmë dhimbje më të madhe për familjen, mendoj që duhet ta respektojmë punën e Prokurorisë dhe që të mos ndërhyjmë në fakt edhe në punën e tyre. Është një rast tejet i rëndë dhe besoj që të gjithë kanë përjetuar këtë rast shumë rëndë, po mendoj që duhet të ketë hetim dhe duhet të kemi përgjigje çfarë ka ndodhur në këtë proces”, tha ajo.

Sa i përket inicimit të PDK-së për krijimin e një komisioni hetimor, ajo tha se janë për çdo komision që e zbardh rastin dhe kërkohet përgjegjësi.

Në këtë mbledhje të komisionit është trajtuar edhe çështja e ndarjes së 10 milionë euro nga qeveria në detyrë për pagesën e energjisë elektrike për qytetarët e veriut. Anëtarja e AAK-së Teuta Haxhiu, tha se është një diskriminim që ka ndodhur me qytetarët e vendit.

Haxhiu: Është një diskriminim që ka ndodhur me qytetarët e vendit

“Është një diskriminim që ka ndodhur me qytetarët e vendit, sepse indirekt prapë taksat e qytetarëve të vendit shkojnë tek serbët të cilët shpenzojnë rrymë për 20 vite dhe ndahen në këtë kohë të pandemisë 10 milionë euro nga qeveria në dorëheqje, qeveria Kurti. Pra, duke parë diskriminimin që po ndodh me qytetarët e vendit, ne e kemi ngritur këtë çështje dhe ka mbetur prapë që të diskutojmë”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat