AGK dënon gjuhën e zëvendësministrit Enver Dugolli drejtuar gazetarëve

Aktuale

AGK dënon gjuhën e zëvendësministrit Enver Dugolli drejtuar gazetarëve

Më: 9 maj 2020 Në ora: 13:42
Enver Dugolli

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me shqetësim ka reflektuar mbi gjuhën e përdorur në një status të fundit të zëvendësministrit në detyrë të Mbrojtjes dhe anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli.

Me datë 8 maj, Dugolli ka shkruar një status të tillë në rrjetin e tij personal social Facebook – “Piskamat shterruese e dëshpëruese të disa "gazetarëve" për të krijuar me çdo kusht viktimën, përveçse të gërditshme janë edhe ofenduese. Është e pakuptueshme kur mediumi bie në gracka të tilla për të krijuar më çdo kusht "viktimën plitike" madje duke i kushtuar transmetim direkt nga Stacioni i Policisë... Krijohet përshtypja se kushedi se ç'farë krimi i madh mund të ketë ndodhur... Gazetari se jo mahi...”

AGK e dënon fuqishëm përdorimin e një gjuhe të tillë, sidomos kur ajo vjen nga një individ që mban post kaq të respektuar, fjala e të cilit ka ndikim dhe i jep formë edhe mendimit të opinionit publik.

Gazetarët kanë të drejtë të raportojnë, dhe është detyrë e tyre e shenjtë që ky raportim të ndodhë, e të mos fshihet e manipulohet si i tillë. Gazetarët nuk performojnë ‘piskama’, ata mbulojnë ngjarje e zhvillime të ndryshme gjatë ditës, dhe rasti të cilit i është referuar Dugolli, nuk do të duhej të lihej në terr mediatik, siç pretendon ai.

AGK fton zyrtarët politikë dhe partitë e tyre politike të distancohen nga qëndrime të tilla të cilat vetëm sa e minojnë më shumë punën e gazetarëve në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat