Zyrtare: Organizohet protesta e parë, vjen thirrja për popullin që të bashkohen, kërkohen zgjedhje të reja

Aktuale

Zyrtare: Organizohet protesta e parë, vjen thirrja për popullin që të bashkohen, kërkohen zgjedhje të reja

Nga: D.RR Më: 9 maj 2020 Në ora: 20:43
Protesta e kaluar e Vetëvendosjes

Për shkak të gjendjes së krijuar politike në vend, ku paritë që nuk kanë dalë të parat në zgjedhje po tentojnë të formojnë qeveri të re pas rrëzimit të Kurtit, drejtori i ORCA, Rron Gjinovci, ka organizuar protestë bashkë me një grup aktivistësh dhe qytetarësh.

Ai ka thënë se qëllimi i vetëm i protestës është që përmes saj të kërkojnë zgjedhje të reja.

Gjinovci ka shkruar në Facebook se kushdo që dëshiron t’i shërbejë vendit le të jetë i vëmendshëm ditëve në vazhdim dhe le të bashkohet në përpjekjen e re për ta demokratizuar përfundimisht vendin tonë.

Njoftimi i plotë:

PROTESTË PËR ZGJEDHJE

Bashkë me një grup aktivistësh dhe qytetarësh që kanë qenë të përfshirë në protestat qytetare disa viteve të fundit, jemi duke diskutuar për krijimin e një grupi të ri të organizimit të protestave që kërkojnë zgjedhje në vendin tonë.

Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili do të tregojë për rrugët legale të organizimit institucional, të cilin vendim të gjithë ne duhet ta respektojmë institucionalisht, si qytetarë na takon e drejta për të protestuar duke kërkuar zgjedhje të reja si legjtimitet politik e demokratik i kujtdo që mendon ta udhëheqë vendin në emër të qytetarëve të tij. Gjykata punën e saj, ne punën tonë.

Partitë politike që veprojnë në vendin tonë nuk mund të jenë të papërgjegjshme ndaj zgjedhësve të tyre. Edhe nëse legalisht një veprim politik është i mundur, në një demokraci ai nuk ka kuptim pa legjitimitet demokratik e politik, i cili fitohet në zgjedhje. Edhe nëse zgjedhja e një qeverie të re, nga Gjykata Kushtetuese konstatohet e mundur, kërkesa jonë për zgjedhje të reja është po ashtu e mundur, legjitime, legale, madje edhe kushtetuese.

Është evidente se përplasjet e fundit politike dhe ndërrimi i pozicioneve politike që mbanin para zgjedhjeve shumica e partive, kërkojnë qartësi. Këtë qartësi mund ta sjellin vetëm zgjedhjet. Prandaj ne, qytetarët e Kosovës, nuk duhet të kërkojmë as më shumë as më pak sesa që partitë të kthehen edhe njëherë te burimi i fuqisë së tyre, tek ne, votuesit e tyre. Vetëm ne e kemi fuqinë supreme për t’iu treguar atyre se çka bën e çka jo. Nëse ata mendojnë se mund ta marrin fuqinë nga ne, një herë në katër vjet duke na mashtruar, atëherë ne duhet t’iu tregojmë se e kanë gabim. Përmes të drejtës sonë kushtetuese për të protestuar, ne do të kërkojmë zgjedhje.

Përmes zgjedhjeve më paqësore që ka parë vendi ynë ne do të tregojmë se burimi i sovraniteti të shtetit tonë jemi ne. Prandaj, kushdo që dëshiron t’i shërbejë vendit le të jetë i vëmendshëm ditëve në vazhdim dhe le të na bashkohet në përpjekjen e re për ta demokratizuar përfundimisht vendin tonë.
ZGJEDHJE! ✊

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat