A u shtuan pacientët në Klinikën Psikiatrike? Neuropsikiatri Rexhepi: Reagimet manifestohen shumë më vonë

Aktuale

A u shtuan pacientët në Klinikën Psikiatrike? Neuropsikiatri Rexhepi: Reagimet manifestohen shumë më vonë

Më: 12 maj 2020 Në ora: 23:09

Neuropsikiatri Sami Rexhepi ka thënë se fuqia e shprehisë e bën të vështirë për njerëzit që ta ruajnë distancimin fizik që është më se i domosdoshëm në frenimin e koronavirusit.

“Është ajo pjesë e shprehisë ku kontaktin tonë social e shoqërojmë gjithmonë me atë fizik. Nuk është e lehtë që shprehitë të ndërrohen shpejt. Megjithatë duhet ta kemi tërë kohën në mendje se ne duhet ta ndërrojmë, por jo deri në atë masë sa të bëhet një ngarkesë psiqike nëse ke prekë diçka ose dikë, sepse pastaj fillojmë të bëhemi obsesivë”.

“Tash dimë shumë më tepër për virusin dhe mënyrën e përhapjes. Na duhet kujdesi, prandaj distancimi fizik është shumë i rëndësishëm në këtë periudhë”.

Rexhepi në Rubikon me Adriatik Kelmendin ka thënë se tek populli është krijuar panik, qysh para se të niste përhapja e koronavirusit në Kosovë, për shkak se ka pasë shumë informata të paverifikuara që kanë qarkulluar.

“Faji është prej fillimit të paraqitjes së sëmundjes, edhe para se të paraqiteshin rastet e para në Kosovë. Informatat kanë qenë të paverifikuara dhe të llojllojshme dhe kanë krijuar një panik të madhe në popullatë”.

“Është krijuar një panik dhe frikë te populli dhe nuk e kemi ditur prej çka. Ka qenë diçka e padukshme, diçka që vetëm me sapun dhe ujë mbytet, por diçka që po e mbyt ekonominë e botës”.

Neuropsikiatri Rexhepi ka thënë se pandemia globale ka krijuar një fushë të madhe të studimit jo vetëm për mjekët, por edhe për sociologët.

“Jo të gjithë kanë reaguar njësoj në të gjitha shoqëritë. Ka pasë mënyra të ndryshme të reagimit, dhe kjo është pasojë e traditës dhe kulturës tonë – ballkanasit janë më temperament”.

Ai ka thënë se për të nuk ka qenë e rëndësishme se sa do të jetë numri i të infektuarve në Kosovë, por se sa do të mbingarkohet Klinika Infektive.

“Ne kemi arritur një gjë që e kemi kuptuar që jemi në një pandemi botërore dhe ka qenë një luftë në të cilën kemi hyrë të gjithë. Për mua nuk ka qenë aspak e rëndësishme se sa do të jetë numri i të infektuarve, por ka qenë shumë e rëndësishme se a do të mbingarkohet Klinika Infektive që të mos preken limitet e shëndetësisë tonë”.

Por, a është rritur numri i pacientëve edhe në Klinikën e Psikiatrisë në këtë situatë të pandemisë?

“Ne i presim më vonë. Zakonisht reagimet do të manifestohen shumë më vonë, edhe pse tash njerëzit që kanë pasë ankth dhe probleme emocionale më herët janë shumë më të ndjeshëm dhe reagimi i tyre është shumë më i fuqishëm. Është sikur në të pame [pas vdekjes së një personi] ku derisa vijnë njerëzit që të të ngushëllojnë nuk ke kohë me u mërzit, por kur mbyllet dera atëherë fillon t’i bësh llogaritë. Edhe ne për pasoja do të flasim më vonë”.

“Nuk dua ta frikësoj askënd, por është shumë me rëndësi perceptimi jonë për këtë mbyllje – a është administrative, apo kemi qenë ushtarë të zellshëm në këtë luftë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat