Kurti: Partitë politike mos të shpallin fitoren pa aktgjykimin e Kushtetueses, nuk i inkurajojmë tubimet

Aktuale

Kurti: Partitë politike mos të shpallin fitoren pa aktgjykimin e Kushtetueses, nuk i inkurajojmë tubimet

Më: 13 maj 2020 Në ora: 14:42
Albin Kurti

(E plotësuar) - Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti duke arsyetuar shkarkimet e bordeve dhe drejtorëve në ndërmarrjet publike, ka deklaruar se sa herë qeveria këtyre zyrtarëve iu cenon interesat korruptive, fillojnë të bërtasin “Amelika, Amelika”.

Shefi i ekzekutivit në detyrë në një konferencë për medie tha se të korruptuarit nuk do t’i mbrojë më askush dhe as SHBA-ja.

Kurti: Sa herë zyrtarëve të korruptuar u cenohen interesat korruptive, piskasin ‘Amelika, Amelika’

“Sa herë që këtyre zyrtarëve të korruptuar qeveria e jona, e juaj e mirë iu cenon interesat korruptive, fillojnë e piskasin ‘Amelika, Amelika’. E keni vërejtur se si orvatën të keqpërdorin Amerikën sa herë që ia përmend korrupsionin. SHBA nuk i mbrojnë më të korruptuarit, ka kaluar çfarëdo kohe e imagjinuar e mund të gjejë strehim në SHBA për shkak të korrupsionit në vendin tënd. SHBA nuk i kanë thënë askujt të vjedhin popullin tënd. Unë nuk kam asnjë kritikë nga SHBA për shkarkimin e bordeve e drejtorëve. E vetmja kritikë më vjen prej këtyre të shkarkuarve”, tha Kurti.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot i ka bërë 100 ditë të punës, në shpalosjen e rreth 192 vendimeve gjatë ditës sotme, ai tha se kanë kursyer miliona euro.

**

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti iu ka bërë thirrje oponentëve të tij politikë që mos të shpallin fitoren për formimin e një qeverie të re, pa një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese.

Shefi i ekzekutivit pas mbledhjes së qeverisë ku paraqiti punën 100 ditëshe të tij, në një konferencë për medie foli edhe për “testimin” e protestës së djeshme, ku tha se nuk inkurajojnë tubimet dhe grumbullimet, por theksoi se qytetarët duhet të jenë aktiv.

I pyetur se a do të mirëpresin çfarëdo vendimi të Gjykatës Kushtetuese, Kurti tha se Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatarin për kryeministër do të presin në detyrë dhe me punë të shumta.

“Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese do të presim në detyrë dhe me punë të shumta, e posaçërisht sa i përket luftimit të pandemisë së Covid 19. Menaxhimi deri tash ka qenë shembullor, por unë vazhdojë t’iu bëj thirrje qytetarëve të ruajnë disiplinën. Ndërsa zyrtarëve tjerë shtetëror iu bëj thirrje që kurrsesi të mos e shpallin fitoren sepse nuk ka vend për trimufalizëm. Nuk mund të humbim këtë lojë tashmë dhjetë minutat e fundit. Kushdo që shpall fitore para kohe i ndihmon këtij armiku të padukshëm”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se dinë shumë gjëra, por jo se kush qëndron prapa “testit” të protestës së djeshme.

Kurti: Ne nuk inkurajojmë tubimet dhe grumbullimet

“Jemi në pritje të aktgjykimit të gjykatës kushtetuese ne nuk inkurajojmë tubimet dhe grumbullimet. Ne kërkojmë të respektohet të gjitha masat e ministrisë së shëndetësisë dhe udhëzimet. E kuptojmë nevojën e qytetarëve për të protestuar në këtë aspekt është e jona që vazhdimisht të bëjmë thirrje që qytetarët të jenë aktiv, por duke i respektuar patjetër këto masat e distancës fizike, higjienës dhe orarit...nuk e di kush ishte prapa, por i pash se ata ishin para qeverisë. Sa provojmë të shohim se kush janë prapa, shikoni se kush janë përpara me siguri do të japin përgjigjen se a kanë qenë brenda 90 minutëshit të tyre, apo jo”, tha ai.

Duke kërkuar zgjedhjet e reja, Kurti tha se përmasa e votës popullore për t’u kthyer tek vota e qytetarit është e madhe.

Kurti: Mund të merrni me mend sa është përmasa e votës popullore për të pasur kthim tek qytetarët

“Duke marrë parasysh qëndrimin parimor si asnjë tjetër të kryetares së Kuvendit, qëndrimi ne subjekti nga vij unë dhe partisë opozitare mund të merrni me mend sa është përmasa e votës popullore për të pasur kthim te burimi i sovranitetit e jo një qeveri të re nga kuvendi i vjetër”, tha ai.

Kryeministri Kurti përkundër kritikave ndaj LDK-së, u shpreh i kënaqur me punën e ministres së Arsimit, Hykmete Bajrami.

 

​Kurti: Është për keqardhje dhe turp trajtimi që i është bërë qeverisë nga presidenti Thaçi dhe regjimi i vjetër

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka mbajtur një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë në 100 ditshin e punës.

Kurti tha se Qeveria e tij ndahet në dy 50-të ditësh.

“Pas ekspozesë time nga disa minuta secili prej ministrave prezantoi punën e vetë gjatë këtyre 100 ditëve dhe ato raporte të punës do të publikohen nëpër ueb-faqet përkatëse ndërkaq shefi i stafit në zyrën e kryeministrit, Luan Dalipi do ta bëjë integrimin, përmbledhjen e këtyre.Nga zvogëlimi i kabinetit qeverisës dhe ulja e pagave për qeveritarët e deri tek shkarkimi i bordeve e menaxhmenteve të korruptuara të disa prej ndërmarrjeve publike, nga ndalja e gjakderdhjes financiare përmes asfaltit të shtrenjtë te ndalimi i kontratave lobuese, e qirave  të panevojshme, nga fillimi i vetingut në drejtësi tek mbështetja shtesë për  FSK-në. Nga menaxhimi shembullor i COVID-19, tek Pakoja Fiskale Emergjente. Nga pushimi i ambasadorëve, tek riatdhesimi i konsujve të nderit, nga fillimi i reciprocitetit tregtar me Serbinë, te donacioni gjysmë milion euro për Luginën, nga votimi me tre shkurt të mosbesimi me 25 mars e nesër te dita e 101 pasnesër 102, vazhdojmë”, tha Kurti.

Ai shtoi se sot kanë prezantuar dhe përmbledhur raportet e 100 ditshit të parë të qeverisjes së tyre të mirë.

****

 Qeveria e Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës, ku është diskutuar lidhur me 100 ditshin e kësaj qeverie në detyrë.

Ndër ministrat të cilët ka reaguar lidhur me fjalimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti është ai i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku.

Në fund të fjalimit të tij, Abdixhiku i tha Kurtit se është ndier i ofenduar nga fjalimi i tij kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kurti në mbledhjen e 100-ditëshit të kësaj qeveria akuzoi rëndë LDK-në e Isa Mustafës se po ia marrin pushtetin, duke shtuar se ministrat e kësaj partie kanë punuar mirë.

Abdixhiku iu drejtua Kurtit duke i thënë se është ndier i ofenduar nga fjalimi i tij, duke shtuar se përfaqësojnë LDK-në me krenari dhe çdo fyerje ndaj partisë së tij është edhe ndaj ministrave.

“Më lejoni të ju falënderoj juve kryeministër për mbështetjen që e keni dhënë ju dhe kabinetin dhe gjithë anëtarët e Qeverisë, besoj se kemi punuar mbarë e mirë. Më lejoni të theksoj se gjysma e këtij kabineti paraqet një kulturë dhe një forcë politike. Dhe, e përfaqëson me krenari, përfaqëson LDK-në. Prandaj çdo lavdatë ndaj punës tonë është lëvdatë ndaj LDK-së dhe çdo kritikë ndaj LDK-së është kritikë ndaj neve. Çdo fyerje ndaj LDK-së është fyerje ndaj nesh. Ndjehem i ofenduar prej pjesës së fjalimit që e ofendon LDK-në. Ne nuk u bëmë pjesë e këtij debati, sepse përderisa përfaqësojmë Qeverinë, e përfaqësojmë çdo qytetar të Kosovës dhe ndoshta kjo është pjesë e kulturës tonë”, tha Abdixhiku.

***

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është për keqardhje dhe turp trajtimi që i është bërë qeverisë që udhëheq nga presidenti, Hashim Thaçi, si dhe siç i cilësoi regjimi i vjetër, partitë e tjera politike.

Këto komente shefi i ekzekutivit i bëri në mbledhjen e qeverisë, ku paraqiti punën e tij në 100 ditëshin e parë. Derisa theksoi se qeveria e tij do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjet e reja të parakohshme.

Kurti: Është për keqardhje dhe turp trajtimi që i është bërë kësaj qeverie nga presidenti dhe regjimi i vjetër në këto 100 ditë

“Është për keqardhje dhe turp trajtimi që i është bërë kësaj qeverie nga presidenti dhe regjimi I vjetër në këto 100 ditë. Për fatin e keq nga këto veprime më së paku kam humbur unë, por më së shumti ka humbur shteti. Unë parapëlqej të humbas vet, e jo shteti. Kurse këta shtetin e japin por humbjen nuk e pranojnë. Por ja që kanë humbur, por një gjë është e qartë si kristali në këto 100 ditë ç’kapja e shtetit ka filluar dhe nuk do të ndalet. Unë tashmë e kam sqaruar se rruga përpara janë zgjedhjet e reja me masa mbrojtëse. Tash ka edhe parti tjera që po e kërkojnë të njëjtën gjë. Qeveria është në detyrë dhe do të vazhdojë deri në zgjedhjet e reja”, tha ai.

Krahas kësaj, Kurti iu bëri pyetje oponentëve të tij politikë se pse po nguten për të marrë ulësen e kryeministrit pa e pas votën e qytetarëve.

Kurti: Pse gjithë kjo nguti për të marrë ulësen e kryeministrit përmes presidentit të cilën unë e kam fituar me votën e lirë të qytetarëve

“Pas gati 15 vite të qëndrimit në opozitë ende ma i pas 50 ditë pune si subjekt fituese i zgjedhjeve na u bën bashkë i gjithë regjimi i vjetër që kishte qeverisur për 20 vite në Kosovë, vetëm për të rrëzuar një kryeministër dhe një qeveri që nga çdo parametër është treguar e suksesshme. Duke përfshirë edhe menaxhimin e pandemisë. Pse gjithë ky inat, pse gjithë kjo nguti për të marrë ulësen e kryeministrit përmes presidentit të cilën unë e kam fituar me votën e lirë të qytetarëve. Pse gjithë ky marrshim dhe urrejtje ndaj një kryeministri dhe një qeverie që ka punuar mirë dhe drejt. Pse gjithë ky luftim i qeverisjes sonë të mirë e cila jo që nuk i pati 100 ditë, por as 100 orë pa iu kundërvë frontalisht të gjithë ata që nuk i ndalën me 6 tetor”, tha ai.

Në këtë mbledhje të qeverisë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti foli edhe për masat që i kanë ndërmarrë për parandalimin e Covid-19.

Sipas tij nuk është mirë për të bërë hapa prapa në masat restriktive, por nëse ka infektime, Kurti tha se hapat e tillë janë të pashmangshme.

Kurti: Nuk është mirë të bëjmë hapa prapa, por nëse infektimet rritet atëherë hapat e tillë janë të pashmangshëm

“Nuk është mirë të bëjmë hapa prapa, por nëse infektimet rritet atëherë hapat e tillë janë të pashmangshëm”, tha ai.

***

Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi në mbledhjen e qeverisë që është duke u mbajtur ka folur edhe për funksionalizimin e Komisionit Disiplinor për pozitat e larta.

Abazi në fjalën e tij e konsideroi si sukses hartimin në kohë rekorde të planit qeverisë.

Sipas tij kjo qeveri në afat të shkurt arriti të organizojë manifestimin për pavarësinë e Kosovës dhe Epopenë e UÇK-së.

Derisa ka folur për komisionit disiplinor për pozitat e larta zëvendëskryeministri Abazi tha se askush nuk do të lejohet që të vazhdojë keqpërdorimet e pozitës dhe parasë publike.

Abazi: Askush nuk është mbi ligjin

“Funksionalizimi i komisionit disiplinor për pozitat e larta ka qenë një që është për brenda premtimit dhe u përmend nga kryeministri duke treguar konsistencën e plotë që asnjë njeri nuk është mbi ligjin dhe asnjë njeri nuk do të lejohet që vazhdoj keqpërdorimin të pozitës publike apo edhe të parasë publike gjithashtu dhe me këtë rast kemi bërë shqyrtimin çështjeve të ngritura nga ministria e Drejtësisë, nga Ministria e Integrimit Evropian dhe pozitat tjera të larta shqyrtuese. Ne do të vazhdojmë me këtë punë sigurisht dhe besoj që edhe me këtë kemi qenë plotësisht të hapur dhe transparent për brenda punës së Komisionit Disiplinor dhe në rrjedhshmëri të këtij veprimi ne si Zyrë e kryeministrit kemi funksionalizuar komisionin për pozitat e larta drejtuese është vazhduar që të zgjatet afati i drejtorit të Agjencisë për Barazi Gjinore që ka qenë një prej më të rëndësishmeve”, tha ai.

***

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në prezantimin e të arriturave në 100 ditshin e qeverisë së tij, ka thënë se heqja e privilegjeve të shumë pritet t’i kursej buxhetit të vendit mbi 300 mijë euro në vit.

Sipas tij, nga ulja e kabinetit qeveritar, në vit do të kursehen rreth 1.4 milion euro.

“Në 100 ditë janë marr 192 vendime nga qeveria dhe unë si kryeministër, pa përmendur këtu dhjetëra vendime nga secila ministri veç e veç. Nga ulja e kabinetit qeveritar do të kursehen rreth 1.4 milion euro në vit, pasi ka më pak ministra e zëvendësministra, këshilltarë dhe asistentë. Nga zbritja e pagave do të kursehen mbi 1.1 milion euro në vit, pasi pagat e qeveritarëve do të reflektojnë në sektorin privat. Heqja e privilegjeve të shumta dhe shpenzimeve, në dreka e darka, telefona dhe udhëtime do të kursehen mbi 300 mijë euro në vit dhe do të reflektojë më mirë në jetën e qytetarëve që i përfaqësojmë”, tha Kurti.

Ai tregoi se, nga reduktimi i shpenzimeve në Telekomin e Kosovës pritet të kursehen mbi 550 mijë euro brenda një viti.

“Në Telekomin e Kosovës janë reduktuar shpenzimet e panevojshme, një prej të cilave është ulja e pagës prej 65 për qind e pagës së ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv. Kursimi i përgjithshëm vjetor, vetëm në këtë kompani publike, është mbi 550 mijë euro”, tha ai. 

***

Qeveria e Kosovës është duke mbajtur mbledhjen e radhës, ku kryeministri në detyrë Albin Kurti, është duke prezantuar punën e bërë gjatë këtyre 100 ditëve.

Kurti deklaroi se prioritetet e kësaj Qeverie ishin të përcaktuara nga qytetarët.

“Zgjedhjet e 6 tetorit të shprehura nga qytetarët e Kosovës për ndryshim, ne i kthyem në Qeveri të reformave më 3 shkurt, dhe sot janë bërë 100 ditë të punës sonë. Unë jam zgjedhur kryeministër në një kohë ku në secilin sondazh qytetarët kanë listuar korrupsionin dhe papunësinë si problemet kryesore të tyre, dhe një ndër arsyet pse ata e kanë lëshuar vendin edhe në paqe edhe pas pavarësisë. Pra, korrupsion i lartë qeveritar dhe papunësi e lartë qytetarë, ose mjerimi i madh i qytetarëve në një anë korrupsionin e zhvatja e buxhetit nga qeveritarët në anën tjetër. Prandaj, ndryshe nuk kishte se si të ndodhte sepse prioritet e kësaj qeverie ishin përcaktuar nga qytetarët më 6 tetor”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se pas zgjedhjes së tij si kryeministër, ai ka filluar me vendime e veprime për ndaljen e korrupsionit.

“Kabinet i vogël e paga të vogla, sepse jemi vend i vogël. Kemi nisur si kabinet i ri një kulturë të re të qeverisjes, punojmë për të shërbyer qytetarët, e nuk punësohen të afërmit për të sunduar popullin”, deklaroi ai.

Kryeministri në detyrë ka pohuar se gjatë këtyre 100 ditëve kanë marrë 192 vendime.

Nis mbledhja e Qeverisë, Kurtit i raportojnë ministrat për 100 ditëshin

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë në raportimin për 100 ditëshin e qeverisjes se nga sulmet që i janë bërë atij më së shumti ka humbur shteti.

Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti ka thënë se është për zgjedhje të reja dhe se Qeverinë do ta drejtojë deri atëherë.

“Është për keqardhje dhe turp trajtimi që i është Qeverisë dhe Kryeministrit nga Presidenti dhe regjimi i vjetër. Nga këto më së paku kam humbur unë, e më së shumti shteti. Këta shtetin e japin. Kanë humbur”, është shprehur ai.

“Në këto 100, çkapja e shtetit nga mujsharët ka filluar dhe nuk do të ndalet. Ka edhe parti që po kërkojnë zgjedhje. Qeveria do të mbetet në detyrë deri në zgjedhjet e reja”.

“Qeveria u rrëzua por një popull i tërë u ngrit. Jam i mbushur me shpresë më shumë se kurrë. Ajo që më jep shpresë është shpirti i qytetarëve të zgjuar. Besimi që kanë në vetën e tyre dhe Qeverinë e tyre”.

***

Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, është duke drejtuar mbledhjen e radhës të ekzekutivit në të cilën ministrat do të raportojnë për 100 ditshin e punës së tyre.

Secili nga ministrat do të ketë 3 minuta në dispozicion për të prezantuar punën e tij në këtë mbledhje.

Prezent janë edhe ministrat nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, Lumir Abdixhiku, Hikmete Bajrami e Besjan Mustafa.

Koalicioni mes LDK’së dhe Vetëvendosjes kishte zgjatur vetëm 52 ditë. Pas kësaj periudhe kohore partia e drejtuar nga Isa Mustafa kishte organizuar mocion mosbesimi për Kurtin që ishte përkrahur nga 2/3 deputetëve të Kuvendit. Mospajtimet mes dy partive kishin qenë të shumta përfshirë politikat karshi SHBA’së.

***

Ka filluar mbledhja e Qeverisë në detyrë ku ministrat do t’i raportojnë kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit mbi 100 ditshin e punës.

Në këtë mbledhje kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka kërkuar që ministrat të raportojnë për të arriturat e tyre në jo më shumë se 3 minuta.

”Nga ministrat kërkohet që të jenë të gatshëm të raportojnë për të arriturat e tyre në jo më shumë se 3 minuta secili/a”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në pikë të rendit të ditës është shqyrtimi i raportit të punës dhe ndonjë pikë tjetër mund të shtohet nëse ka kërkesa.

Këtë mbledhje Kurti e ka nisur duke kujtuar masakrën e Korishës. Ai ka shprehur ngushëllime edhe për personat që kanë vdekur nga koronavirusi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat