Rruga e tretë: Kushtetuesja mund të vendosë kundër kërkesës së VV’së dhe kundër dekretit të Thaçit

Aktuale

Rruga e tretë: Kushtetuesja mund të vendosë kundër kërkesës së VV’së dhe kundër dekretit të Thaçit

Më: 14 maj 2020 Në ora: 18:22
Foto ilustrim

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese mund të jetë i atillë që as nuk do t’i plotësonte dëshirën Vetëvendosjes për të shkuar në zgjedhje, por as nuk do t’ia miratonte Presidentit Thaçi mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër. Mes një bllokade e polarizimi të skenës politike, Gjykata Kushtetuese mund të dalë me një rrugë të tretë, që do të evitonte në të ardhmen krijimin e disa precedentëve

Lëvizja Vetëvendosje kërkon zgjedhje me çdo kusht, ndërsa Presidenti Hashim Thaçi ka dekretuar Avdullah Hotin për kryeministër, që është kandiduar nga LDK’ja, si partia e dytë e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Të dyja palët insistojnë të veprohet sipas pozicioneve të tyre, ndërsa trupa e Gjykatës Kushtetuese po e trajton këtë bllokadë politike në vend.

Si opsion po shihet mundësia që Kushtetuesja të dalë me një aktgjykim, sipas të cilit, do të binte poshtë dekreti i Presidentit Thaci dhe do t’i jepej VV’së edhe një mundësi për të kandiduar dikë për kryeministër, por kësaj radhe do të kishte një afat kur duhet ta dorëzojë emrin.

Juristi Ehat Miftaraj thotë se Gjykata Kushtetuese mund të dalë me një aktgjykim që nuk do t’i jepte të drejtë as Presidentit Thaçi, i cili tashmë ka dekretuar mandatarin nga partia e dytë e dalë në zgjedhje, por të mos i japë të drejtë as VV’së, e cila opsion të vetëm e sheh shkuarjen në zgjedhjet e reja.

Sipas tij, Kushtetuesja mund të vendosë që ta caktohet një afat kohor, brenda të cilit partia fituese do të dërgonte te Presidenti emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë. 

“Duke marrë për bazë faktin se në këtë fazë kontestuese janë çështjet që kanë të bëjnë afatin ligjor kur partia fituese duhet të propozoj mandatarin për Kryeministër tek Presidenti, dhe të drejtën dhe obligimin e  partisë fituese që herën e parë që vet ose në mungesë të votave të mjaftueshme të gjej partner për të formuar qeverinë, Gjykata Kushtetuese fare lehtë mund të përfundojë me një aktgjykim i cili në të njëjtën kohë mund të mos i japë të drejtë apo të kontestojë qëndrimet publike si të Presidentit ashtu edhe VV dhe partive që tanimë kanë arritur marrëveshje për formimin e qeverisë së re, kjo duke caktuar afat ligjor për partinë fituese që të realizojë të drejtën e saj për të formuar qeverinë, dhe nëse kjo nuk do të ishte e mundur atëherë të kalohet në rundin e dytë”, ka thënë Miftaraj.

Analisti Arton Demhasaj thotë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese mund të dalë më së afërmi me opsionin që vendit të parë t’i jepet mundësia që ta formojë Qeverinë, por që partia fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit t’i caktohet një afat kohor brenda të cilit ajo duhet ta dorëzojë emrin e mandatarit te Presidenti.

“Më e afërta që mund të dalë nga Gjykata Kushtetuese është kjo që dekretin e Presidentit për mandatimin e Hotit ta hedhë poshtë dhe të kërkojë nga Presidenti edhe njëherë që të japë mandatin te partia e parë, që është Vetëvendosje, por me afat të caktuar. Mund të japë një afat për 15 ditë ose ku ta di sa”, ka thënë Demhasaj.

“Nëse brenda atij afati nuk e krijon qeverinë, atëherë vjen në shprehje diskrecioni të Presidentit që ta japë mandatin për partinë e dytë”

Sipas Demhasajt “zgjedhjet mund të pamundësohen nga vendimi Gjykata Kushtetuese sepse jemi në fillim të mandatit të legjislaturës”

Demhasaj beson se ky opsion do të evitonte precedentin që partia e parë ta çojë vendin në zgjedhje sa herë që nuk arrin ta ketë shumicën.

“Krijohen dy lloje precedentësh, cila do situatë që ndodh. Nëse shkojmë në zgjedhje, krijohet precedenti që vazhdimisht, sa herë kemi zgjedhje të reja, nëse partia e parë nuk e krijon shumicën e nevojshme, prapë të shkohet në zgjedhje. Opsioni tjetër, dhënia e mandatit te partia e dytë, atëherë krijohet një precedent tjetër, caktimi i një afati për partinë e parë, e nëse nuk arrin ta formojë, atëherë mandatohet partia e dytë. Për Kosovën ky precedenti që vendi të shkojë në zgjedhje nuk është i favorshëm, prandaj mendoj që Gjykata Kushtetuese duhet të caktoj një afat për vendin e parë dhe nëse dështon për dy herë radhazi, atëherë qeverinë ta formojë, i dyti” 

Presidenti Hashim Thaçi ka mandatuar Avdullah Hotin e LDK’së për ta formuar Qeverinë, pasi ka konsideruar se LVV nuk i është përgjigjur kërkesës së tij për propozim të emrit të ri për kryeministër, pas rrëzimit të Albin Kurtit më 25 mars. 

Pas publikimit të dekretit të presidentit për mandatim të Hotit, Lëvizja Vetëvendosje e ka dorëzuar në Gjykata Kushtetuese këtë vendim të Thaçit, duke e konsideruar se ka anashkaluar partinë e Kurtit, si fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e Presidentit dhe pritet që deri më 29 maj të dalë me aktgjykim rreth kësaj cështjeje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat