Vajza nga Kosova ka ngecur në Itali, thotë se është në gjendje të keqe emocionale e financiare

Aktuale

Vajza nga Kosova ka ngecur në Itali, thotë se është në gjendje të keqe emocionale e financiare

Më: 20 maj 2020 Në ora: 16:22
Erza Kusari

Erza Kusari, një e re nga Kosova, e cila ka shkuar që të punojë në Itali në kuadër të një organizate të huaj, thotë se Ambasada e Kosovën po i injoron kërkesat e saj për kthim në Kosovë.

Ajo përmes një postimi në Facebook thotë se është në gjendje të keqe emocionale dhe financiare, e vetmuar dhe pa fije shprese se do të kthehet në shtëpi.

Erza thotë se ka kontaktuar me Ambasadën e Kosovës në Itali dhjetëra herë që nga muaji mars, por thotë se askush nuk ka shprehur interesim për t’i ofruar ndihmë asaj.

Thirrjen e fundit në këtë Ambasadë thotë se e ka bërë dje dhe thotë se personi që i është përgjigjur ka tingëlluar sikur nuk e dinte se pse punonte në një ambasadë.

Para se t’i drejtohet Ambasadës së Kosovës në Itali, Erza thotë se ka tentuar dy herë që me mjete vetjake e familjare të kthehet në Kosovë, por në të dyja rastet thotë se është anuluar fluturimi. Kjo thotë se ia ka rënduar edhe më shumë gjendjen emocionale dhe financiare

Madje, ajo thotë se përveç gjendjes së rëndë emocionale dhe financiare, ka pasur edhe komplikime shëndetësore, për të cilat thotë se mezi e ka marrë ndihmën e nevojshme.

Në një nga thirrjet në Ambasadë, Erza thotë se i kanë kërkuar që t’ua dërgojë kopjen e pasaportës dhe vizës dhe pastaj i kanë thënë se do ta informojnë se çfarë do të ndodhë, që të cilën thotë se nuk e kanë bërë asnjëherë.

Ky është postimi i plotë i saj:

Dje ishte pika e fundit, nuk po mund të duroj më!

Askush nuk duron tërë jetën!

Dje për herë të fundit thirra Ambasadën e Kosovës në Itali për më shumë se të dhjetën herë që nga fillimi i pandemisë Covid-19. Kam provuar t’i kontaktoj në çdo formë, qoftë me email, telefon apo rrjete sociale duke shpresuar që të paktën do të mundohen të më ndihmojnë apo të më sigurojnë informacion në bazë të rolit që deri dje anipse me një fije mjaft të vogël shprese besoja se e kanë.

Në thirrjen e djeshme, e funda për mua drejtuar këtij institucioni, personi i cili mu përgjigj kishte një ton cinik.

Unë në ditët e fundit lexoja lajme se po hapen kufinjtë prandaj desha të sigurohem nga ana e tyre, ndërsa ofendimi tjetër që ai ma bëri ishte: “informohu ti mirë e pastaj vepro”, thuajse unë kisha thirrur pa interesim, ku ky zotëriu tingëllonte thuajse nuk e dinte pse punonte në një ambasadë, ku primare duhet të jenë interesat e qytetarëve të shtetit të cilin ata e përfaqësojnë.

Në thirrjen paraprake mu pergjigj një grua, nuk e mbaj mend saktë a ishte në Konsullatën e Romës apo Ambasadë, por ishte aq e painteresuar sa s’thuhet dhe sa herë e pyesja diçka më përgjigjej shkurt dhe vrazhdë, bile as nuk më linte të përfundoja mirë fjalinë, duke mu drejtuar me “Zonjë”.

Këto thirrje patën filluar që nga fillimi i muajit mars, ku para se t’i thërras, jam munduar dy herë që me mjete vetanake e familjare të kthehem në Kosovë, por që në të dy rastet më është anuluar fluturimi, besoj s’është nevoja të flas fare për stresin e shkaktuar, ata që e kanë provuar humbjen e fluturimeve e dijnë më së mirë, po flas duke e pasur parasysh se ndoshta të tjerët nuk e kanë pasur edhe një pengesë tjetër që unë pata, virusin. Kështu, së pari fillova t’u shkruaj, iu përshkrova gjithë situatën time që nga arsyeja e ardhjes sime këtu e deri tek gjendja ime e rënduar emocionale dhe financiare.

Kam folur me të njejtin person disa herë, atij i përshkrova më së miri situatën, ishte i njejti person me atë të Ambasadës Italiane në Kosovë, sepse në fillim kam kontaktuar edhe ata, vazhdimisht më thoshin se do të mundohen të merren me çështjen time nëse e shohin se është rast emergjent, unë nuk di a ka rast më emergjent sesa të jesh në gjendje shumë të keqe emocionale dhe financiare?!

Madje thuajse nuk mjaftuan këto kam pasur edhe komplikime shëndetësore, për të cilat pas shumë mundineve në gjendje të sëmurë, mezi kam marrë ndihmën e nevojshme.

Por siç po shihet neglizhenca dhe mosinteresimi i tyre ndaj shtetasve kosovarë është i paskajshëm.

Në njërën ndër thirrjet, e mbaj mend gjatë fillimit të muajit prill, më thanë: “do t’ju lajmërojmë rreth çdo të reje, vetëm kini durim sepse besoj këto ditë përmirësohet gjendja apo organizohet diçka”. Prap, nga pamundësia për diçka tjetër fillova të shpresoj së do të ndodhë, por prap u dëshpërova.

Në çdo thirrje kam qenë më se e kuptueshme, jam munduar të kuptoj se edhe ata mbase kanë një punë të lodhshme, e që nuk jam e vetmja në këtë gjendje, por e pashë se jo vetëm që s’më ndihmuan, por edhe më bënë të ndjehem e tepërt në çdo thirrje.

Më kërkuan t’iu dërgoj kopjen e pasaportës dhe vizës dhe pastaj të më informojnë se çfarë do të ndodhë, i’u dërgova, dhe më pas nuk pranova as thirrje, as email, ASGJË!

Kaluan disa javë dhe vendosa t’u shkruaj prapë, i pyeta nëse të paktën kanë ndonjë informatë rreth fluturimeve Itali-Suedi, sepse aty e kam hallën dhe mendova të shkoj së pari aty dhe pastaj të kthehem në Kosovë. As nuk morën mundin të më kthejnë mesazhin, e lëre më të pyesin rreth gjendjes sime.

Të gjithë shtetasit janë tërhequr për në shtetet e tyre që nga fillimi i pandemisë, madje edhe shtetasit e Kosovës nëpër shtete tjera edhe më të largëta, deri në SHBA, e unë po e vuaj ende izolimin e vetmuar në Itali!

Me ndihmën e familjes dhe shoqërisë jam munduar ta marr veten, po çka nëse s’do ta kisha pasur as këtë mbështetje? A do duhej që tërë kjo situatë të përfundontë ndryshe? A nuk ka mësuar fare shteti im nga rastet e shumta që ndodhën brenda kufijve të tij?!

Unë mendoj se edhe nëse nuk na është bërë zgjidhja për arsye të situatës, të paktën është dashur një monitorim dhe mbështetje në forma të ndryshme nga vetë Ambasada, së paku të marrin shembull nga vendet e zhvilluara se çfarë bëjnë ata për qytetarët e tyre.

Kisha pas deshirë ta dijë se çfarë mendojnë që është roli i tyre, a vetëm të figurojnë që ekzistojnë si formalitet për të t’hequr qafe? Se për të të ndihmuar, po shihet qartë se ku janë!

Ambasadat jashtë vendit paguhen me një shumë marramendëse me taksat e qytetarëve por përkujdesja e tyre ndaj neve si qytetarë të Republikës së Kosovës që kemi mbetur jashtë vendit është nën ZERO.

Edhe durimi ka një fund!

Turpi ju mbuloftë!

Nga një qytetare e vetmuar dhe e pashpresë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat