Rrustemi: Presidenti ka bërë shkelje të rëndë dhe të shumëfishtë të Kushtetutës

Aktuale

Rrustemi: Presidenti ka bërë shkelje të rëndë dhe të shumëfishtë të Kushtetutës

Më: 21 maj 2020 Në ora: 21:11
Adnan Rrustemi

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje Adnan Rrustemi thotë se ajo që nuk parashihet në Kushtetutë, nuk mund të zbatohet.

Në një postim në Facebook ai ka shkruar se Kushtetuta nuk parasheh ndonjë afat se kur partia fituese duhet të propozojë mandatarin për kryeministër.

“Gjykata Kushtetuese, ka kompetencë të interpretojë vetëm tekstin që veç ekziston në Kushtetutë, por në asnjë rrethanë nuk mund të zë vendin e kushtetutëbërësit dhe të shkruaj norma të reja, përfshirë këtu edhe caktimin e afateve që nuk ekzistojnë, sepse ky nuk do të ishte interpretim por kushtetutëbërje. Kompetenca e kushtetutbërjes i takon ekskluzivisht Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Ajo që nuk parashihet me Kushtetutë, nuk mund të zbatohet. Ajo çfarë nuk përmban Kushtetuta, nuk mund të përfshihet me vendime e aktgjykime, e as me nënkuptime presidentësh.
Kushtetuta nuk parasheh ndonjë afat se kur partia fituese duhet të propozojë mandatarin për kryeministër, sepse qëllimi i hartuesve të Kushtetutës ishte pikërisht lënia e hapësirës për krijimin e qeverisë përmes procesit politik, pra duke e lënë qëllimshëm të hapur afatin dhe duke mos i dhënë të drejtën asnjë institucioni që ta kufizojë atë. Afate të tilla nuk përmbajnë as kushtetutat e vendeve tjera demokratike.
Gjykata Kushtetuese, ka kompetencë të interpretojë vetëm tekstin që veç ekziston në Kushtetutë, por në asnjë rrethanë nuk mund të zë vendin e kushtetutëbërësit dhe të shkruaj norma të reja, përfshirë këtu edhe caktimin e afateve që nuk ekzistojnë, sepse ky nuk do të ishte interpretim por kushtetutëbërje. Kompetenca e kushtetutbërjes i takon ekskluzivisht Kuvendit të Kosovës.
Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të ngatërrojnë përgjegjësitë e tyre me përgjegjësitë e deputetëve, kurse kompetencat e Gjykatës të mos ngatërrojnë me kompetencat e Kuvendit.
Nëse anëtarët e Gjykatës Kushtetuese veç duan të bëjnë kësi ndryshimesh duhen së pari të bëhen deputetë me ndonjë parti politike, e nga aty të propozojnë amendamente kushtetuese.
Plotësimi i Kushtetutës me vendime e aktgjykime, do të përbënte ndërhyrje arbitrare në kushtetutë jo nga sovrani dhe përfaqësuesit e tij, por nga Gjykata Kushtetuese. Kjo nuk është kushtetuese, është antikushtetuese. Kjo nuk mund të ndodhë.
Çështja është e qartë dhe nuk ka alternativë. Presidenti ka bërë shkelje të rëndë dhe të shumëfishtë të Kushtetutës. Këtu nuk ka opsion tjetër veç konstatimit të antikushtetutshmërisë së dekretit të Presidentit nga ana e Gjykatës dhe shkuarja e vendit në zgjedhje. Gjykata përmes kësaj mbron rendin kushtetues dhe demokracinë në Kosovë. Nuk mund të justifikohet veprimi i presidentit dhe të mbrohet Kushtetuta njëkohësisht. Këto dyja përjashtojnë njëra-tjetrën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat