MSH-ja nuk përjashton mundësinë që të hiqen masat e fazës së dytë para kohe - Bota Sot
MSH-ja nuk përjashton mundësinë që të hiqen masat e fazës së dytë para kohe

Aktuale

MSH-ja nuk përjashton mundësinë që të hiqen masat e fazës së dytë para kohe

Më: 23 maj 2020 Në ora: 13:39
Ministria e Shëndetësisë

Asocacioni i Komunave të Kosovës sot ka kërkuar nga institucionet që të shkurtojnë fazën e dytë të rihapjes me pretekstin se humbjet ekonomike mund të jenë të mëdha.

Por, për këtë kërkesë Ministria e Shëndetësisë thotë se është vendimmarrësja për shumicën e çështjeve që lidhen me menaxhimin e kësaj pandemie sipas kompetencave të bartura nga Qeveria e Kosovës për menaxhimin e situatës emergjente me Covid-19 dhe bazuar në Ligjin për menaxhimin e sëmundjeve ngjitëse.

Në një përgjigje Ministria e Shëndetësisë tha se janë duke bërë rivlerësimin e situatës dhe se nuk përjashtohet mundësia e lirimit të masave të fazës së dytë më herët se që është paraparë.

“Sipas vendimeve të MSH-së është zhvilluar Plani për hapjen graduale ekonomike dhe tash është duke u zbatuar faza e dytë e kësaj hapjeje. Faza e tretë është paraparë të nisë më 1 qershor, ndërkohë që, rivlerësimi për shumë veprimtari është duke u bëre tani, përfshirë ceremonitë fetare, tregjet e tjera, palestrat, qendrat e kujdesit ditor, qendrat tregtare, parqet dhe veprimtari të tjera”, thuhet në përgjigje.

Kjo ministri që ka kompetencat për vendimet e tilla, thotë se të tjerët mund të japin rekomandimet dhe opinionet e tyre, por se vendimet merren bazuar në raportet profesionale.

“MSH merr vendime duke u bazuar në rekomandimet e institucioneve të saj kompetente për vlerësime profesionale sikurse është IKSHPK. Edhe të tjerët, normalisht, kanë të drejtë të japin opinionet dhe propozimet e tyre, bazuar edhe në praktikat e vendeve të tjera; të marrin edhe vendime brenda niveleve të përgjegjësive të tyre, por vendimmarrja në nivel qendror për pandeminë Covid-19 bëhet nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim edhe me institucionet dhe nivelet e tjera, përfshirë edhe komunat”.

Në fazën e tretë është paraparë lirimi i plotë i gastronomisë, veprimtari të arsimit të lartë sikurse provimet; pastaj testet e maturës dhe të arritshmërisë; hapja e kinemave e teatrove, hapja selektive e aktiviteteve sportive etj.

MSH thotë se kjo listë nuk e përjashton mundësinë që të hapen më parë se që është parashikuar edhe veprimtari të tjera, varësisht prej situatës epidemiologjike në vend.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat