Qeveria miraton Programin për Barazi Gjinore dhe merr vendim për shpalljen muze të ish-Burgut në Prishtinë

Aktuale

Qeveria miraton Programin për Barazi Gjinore dhe merr vendim për shpalljen muze të ish-Burgut në Prishtinë

Më: 23 maj 2020 Në ora: 20:21
Foto ilustrim

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ka miratuar Programin e Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024 dhe Planin e veprimit 2020-2022, dhe vendimin për shprehje të vullneti dhe interesit që Ndërtesa e ish-burgut në Prishtinë, në rrugën “Luan Haradinaj”, të shpallet muze.

Sipas njoftimit nga qeveria, vendimi për Programin për Barazi Gjinore obligon institucionet e vendit që të zbatojnë këtë program sipas aktiviteteve të parapara në Planin e Veprimit, ndërsa Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit obligohet për monitorim të zbatimit dhe për raportim vjetor mbi zbatimin e programit.

Programi i Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024, e përkufizon barazinë gjinore si një të drejtë themelore dhe një nga faktorët e rëndësishëm për rritjen ekonomike, zhvillimin dhe stabilitetin në shoqëri. Barazia gjinore është edhe një nga parimet fundamentale të të drejtave të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Objektivi i përgjithshëm strategjik i Programit të Kosovës për Barazi Gjinore është sigurimi i barazisë gjinore si një fokus i proceseve transformuese në të gjitha strukturat, institucionet, politikat, procedurat, praktikat dhe programet e qeverisë, agjencive, shoqërisë civile, sektorit privat dhe komunitetit të donatorëve. Ky objektiv synohet të arrihet duke punuar në tri drejtime:

Krijimin e mundësive të barabarta për të kontribuar dhe përfituar nga zhvillimi ekonomik, gjithëpërfshirja dhe përmirësimi i mirëqenies sociale.

Avancimi i barazisë gjinore përmes arsimit cilësor, shëndetësisë cilësore, gjithëpërfshirjes dhe shfrytëzimit të kapaciteteve njerëzore në zhvillimin e qëndrueshëm dhe zhdukjen e pabarazisë dhe stereotipeve gjinore;

Avancimi i të drejtave për vendimmarrje, paqe, siguri dhe drejtësi.

“Në mbledhjen e sotme, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka shqyrtuar dhe miratuar edhe vendimin për shprehje të vullnetit dhe interesit që Ndërtesa e ish-burgut në Prishtinë, në rrugën “Luan Haradinaj”, të shpallet muze. Me këtë vendim është obliguar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që, në koordinim me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe Ministrinë e Financave dhe Transfereve, dhe në pajtim me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, Ligjin për Institucionet e Kulturës dhe me legjislacionin tjetër në fuqi, të zhvillojë të gjitha procedurat e nevojshme dhe t’i propozojnë Qeverisë së Republikës së Kosovës themelimin e këtij Muzeu”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat